Vendosëm të thjeshtonim jetën
Madiani dhe Marçela, nga Medelini Kolumbisë, kishin një jetë të rehatshme. Madiani kishte një punë të mirë që i lejonte të jetonin në një apartament të bukur. Ama ndodhi diçka që i bëri të shqyrtonin përparësitë si shërbëtorë të Perëndisë Jehova. Ata tregojnë: «Më 2006 ndoqëm asamblenë speciale njëditore me temë ‘Mbajeni syrin të thjeshtë’. Shumë prej fjalimeve na nxitnin që të thjeshtonim jetën për t’i shërbyer sa më plotësisht Perëndisë. Ndërsa po ktheheshim në shtëpi, kuptuam se po bënim krejt të kundërtën. Menduam për gjithë gjërat që kishim blerë në mënyrë impulsive dhe se sa borxhe kishim për të larë.»
Fjalimet që dëgjuan ishin si një zile alarmi për Madianin dhe Marçelën. Prandaj filluan ta thjeshtonin jetën. Ata thonë: «Nisëm të pakësonim shpenzimet, u transferuam në një apartament më të vogël, shitëm makinën dhe blemë një motoçikletë.» Gjithashtu nuk shkonin më në qendra tregtare, që të mos tundoheshin për të blerë. Filluan të kalonin më shumë kohë duke u folur fqinjëve për Biblën dhe shoqëroheshin me vëllezër e motra pionierë specialë a që i shërbenin Perëndisë Jehova me zell.
Pak kohë më vonë, Madiani dhe Marçela vendosën të zgjeronin më tej shërbimin duke u transferuar në një zonë rurale që të ndihmonin një kongregacion të vogël. Prandaj, Madiani e la punën. Përgjegjësja i tha se kishte luajtur mendsh që po largohej nga puna. Por, Madiani u përpoq të arsyetonte me të: «Ti fiton goxha para, por a je e lumtur?» Ajo e pranoi se nuk ishte, ngaqë kishte mjaft probleme që s’i zgjidhte dot. Pastaj ai i tha: «Pra, s’ka rëndësi sa para fiton. Rëndësi ka çfarë të bën të lumtur. Unë dhe gruaja ime jemi të lumtur kur u mësojmë njerëzve për Perëndinë. Ndaj duam të bëjmë më tepër në këtë vepër, që të jemi edhe më të lumtur.»
Madiani dhe Marçela kanë gjetur kënaqësi e lumturi të vërtetë duke e vënë shërbimin e Perëndisë në vend të parë. Prej 13 vjetësh ata shërbejnë në veriperëndim të Kolumbisë, nëpër kongregacione të ndryshme që kanë shumë nevojë. Tani gëzojnë edhe privilegjin të shërbejnë si pionierë specialë.
a Pionierët specialë caktohen nga zyra e degës vendëse e Dëshmitarëve të Jehovait për të predikuar lajmin e mirë në kohë të plotë, në territore të veçanta. Ata marrin një sasi të vogël parash që të përballojnë shpenzimet.