Çfarë besojnë Dëshmitarët e Jehovait?
Si Dëshmitarë të Jehovait, përpiqemi fort t’i përmbahemi modelit të krishterimit që mësoi Jezui dhe që e praktikuan apostujt e tij. Ky artikull përmbledh bindjet tona themelore.
Perëndia. Adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë e të Plotfuqishëm, Krijuesin, emri i të cilit është Jehova. (Psalmi 83:18; Zbulesa 4:11) Ai është Perëndia i Abrahamit, i Moisiut dhe i Jezuit.—Dalja 3:6; 32:11; Gjoni 20:17.
Bibla. E pranojmë Biblën si mesazhin e frymëzuar të Zotit për njerëzimin. (Gjoni 17:17; 2 Timoteut 3:16) I bazojmë bindjet tona në 66 librat e saj, ku futet si «Dhiata e Vjetër», edhe «Dhiata e Re». Fjalët e profesor Xhejson D. Bedunit ishin me vend kur shkroi se Dëshmitarët e Jehovait i ndërtojnë «ato që besojnë dhe praktikojnë mbi të vërtetat e Biblës, pa e përcaktuar që më përpara se çfarë duan të gjejnë atje». a
Ndonëse e pranojmë të gjithë Biblën, nuk e interpretojmë atë fjalë për fjalë. E kuptojmë se disa pjesë të saj janë shkruar me gjuhë të figurshme ose simbolike dhe nuk duhen marrë fjalë për fjalë.—Zbulesa 1:1.
Jezui. Ndjekim mësimet dhe shembullin e Jezu Krishtit, si edhe e nderojmë atë si Shpëtimtarin tonë dhe si Birin e Perëndisë. (Mateu 20:28; Veprat 5:31) Pra, jemi të krishterë. (Veprat 11:26) Megjithatë, nga Bibla kemi mësuar se Jezui nuk është Perëndia i Plotfuqishëm dhe se në Shkrime nuk ka asgjë që mbështet doktrinën e Trinitetit.—Gjoni 14:28.
Mbretëria e Perëndisë. Kjo është një qeveri reale në qiell, jo një gjendje në zemrën e të krishterëve. Ajo do të zëvendësojë qeveritë njerëzore dhe do të përmbushë qëllimin e Perëndisë për tokën. (Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10) Këto do t’i bëjë së shpejti, pasi profecitë biblike tregojnë se po jetojmë në «ditët e fundit».—2 Timoteut 3:1-5; Mateu 24:3-14.
Jezui është Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë në qiell. Ai nisi të qeveriste në vitin 1914.—Zbulesa 11:15.
Shpëtimi. Çlirimi nga mëkati dhe vdekja është i mundur falë flijimit shpërblyes të Jezuit. (Mateu 20:28; Veprat 4:12) Që të përfitojnë nga ai flijim, njerëzit duhet që jo vetëm të tregojnë besim te Jezui, por edhe të ndryshojnë mënyrën e jetesës e të pagëzohen. (Mateu 28:19, 20; Gjoni 3:16; Veprat 3:19, 20) Veprat e një njeriu tregojnë nëse besimi i tij është i gjallë. (Jakovi 2:24, 26) Sidoqoftë, shpëtimin nuk mund ta fitojmë me forcat tona; ai vjen falë ‘dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’.—Galatasve 2:16, 21.
Qielli. Perëndia Jehova, Jezu Krishti dhe engjëjt besnikë banojnë në botën e padukshme. b (Psalmi 103:19-21; Veprat 7:55) Relativisht pak veta, 144.000, do të ringjallen që të jetojnë në qiell për të qeverisur me Jezuin në Mbretërinë e tij.—Danieli 7:27; 2 Timoteut 2:12; Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 3.
Toka. Zoti e krijoi tokën që të ishte shtëpia e përhershme e njerëzimit. (Psalmi 104:5; 115:16; Eklisiastiu 1:4) Ai do t’i bekojë njerëzit e bindur me shëndet të përsosur dhe jetë të përhershme në një parajsë tokësore.—Psalmi 37:11, 34.
E keqja dhe vuajtjet. Këto filluan kur u rebelua një nga engjëjt e Perëndisë. (Gjoni 8:44) Ky engjëll, që pas rebelimit u quajt «Satana» dhe «Djall», e bindi çiftin e parë njerëzor të bashkohej me të, dhe pasojat për pasardhësit e tyre kanë qenë katastrofike. (Zanafilla 3:1-6; Romakëve 5:12) Që të zgjidhte çështjet morale që ngriti Satanai, Zoti lejoi të keqen dhe vuajtjet, por nuk do t’i lejojë përgjithmonë.
Vdekja. Njerëzit që vdesin, pushojnë së ekzistuari. (Psalmi 146:4; Eklisiastiu 9:5, 10) Ata nuk vuajnë në një ferr të zjarrtë torturash.
Perëndia do të ringjallë miliarda veta. (Veprat 24:15) Megjithatë, ata që do të refuzojnë të mësojnë udhët e Zotit pasi të jenë ringjallur, do të shkatërrohen përgjithmonë pa shpresë tjetër ringjalljeje.—Zbulesa 20:14, 15.
Familja. I përmbahemi standardit fillestar të Zotit për martesën, që është lidhja mes një burri të vetëm dhe një gruaje të vetme, ku e vetmja bazë e vlefshme për divorc është imoraliteti seksual. (Mateu 19:4-9) Jemi të bindur se mençuria e Biblës i ndihmon familjet të jenë të forta.—Efesianëve 5:22–6:1.
Adhurimi ynë. Nuk përnderojmë kryqin a ndonjë shëmbëlltyrë tjetër. (Ligji i përtërirë 4:15-19; 1 Gjonit 5:21) Ndër aspektet bazë të adhurimit tonë janë:
I lutemi Zotit.—Filipianëve 4:6.
Lexojmë e studiojmë Biblën.—Psalmi 1:1-3.
Meditojmë për atë që mësojmë nga Bibla.—Psalmi 77:12.
Mblidhemi bashkë për t’u lutur, për të studiuar Biblën, për të kënduar, për të shprehur besimin dhe për të inkurajuar bashkëbesimtarët e të tjerët.—Kolosianëve 3:16; Hebrenjve 10:23-25.
Predikojmë ‘lajmin e mirë për mbretërinë’.—Mateu 24:14.
Ndërtojmë e mirëmbajmë Sallat e Mbretërisë dhe godina të tjera që përdoren për të çuar përpara veprën tonë botërore të arsimimit biblik.—Psalmi 127:1.
Organizata jonë. Jemi të organizuar në kongregacione, dhe secili mbikëqyret nga një trup pleqsh. Sidoqoftë, pleqtë nuk përbëjnë një klasë kleri dhe nuk marrin rrogë. (Mateu 10:8; 23:8) Në mbledhjet tona nuk kërkohet e dhjeta dhe nuk kërkohen kurrë para. (2 Korintasve 9:7) Të gjitha aktivitetet tona mbështeten nga kontribute anonime.
Trupi Udhëheqës, një grup i vogël të krishterësh të pjekur që shërbejnë në selinë tonë botërore, drejtojnë Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën.—Mateu 24:45.
Uniteti ynë. Kemi të njëjtat bindje në të gjithë botën. (1 Korintasve 1:10) Gjithashtu përpiqemi fort që mes nesh të mos ketë dallime sociale, etnike, racore ose klasore. (Veprat 10:34, 35; Jakovi 2:4) Por, edhe pse jemi në unitet, secili prej nesh gëzon të drejtën e zgjedhjes. Çdo Dëshmitar merr vendime sipas ndërgjegjes së tij të stërvitur sipas Biblës.—Romakëve 14:1-4; Hebrenjve 5:14.
Sjellja jonë. Në çdo gjë që bëjmë, përpiqemi të tregojmë dashuri altruiste. (Gjoni 13:34, 35) Nuk praktikojmë gjëra që nuk i pëlqejnë Perëndisë, përfshirë keqpërdorimin e gjakut, si transfuzioni i gjakut. (Veprat 15:28, 29; Galatasve 5:19-21) Jemi paqësorë dhe nuk marrim pjesë në luftë. (Mateu 5:9; Isaia 2:4) E respektojmë qeverinë e vendit ku jetojmë dhe u bindemi ligjeve të saj për aq kohë sa nuk na kërkojnë të shkelim ligjet e Perëndisë.—Mateu 22:21; Veprat 5:29.
Marrëdhëniet me të tjerët. Jezui urdhëroi: «Duaje të afërmin tënd si veten.» Gjithashtu tha se të krishterët «nuk janë pjesë e botës». (Mateu 22:39; Gjoni 17:16) Ndaj përpiqemi «të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve», ndonëse qëndrojmë rreptësisht asnjanës në çështjet politike dhe nuk bashkohemi me fe të tjera. (Galatasve 6:10; 2 Korintasve 6:14) Gjithsesi i respektojmë zgjedhjet e të tjerëve në këto aspekte.—Romakëve 14:12.
Nëse ke pyetje të tjera për bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait, mund të lexosh më shumë për ne në sitin tonë, të kontaktosh një nga zyrat tona, të shkosh në mbledhje në një nga Sallat e Mbretërisë që ke afër ose të flasësh me një Dëshmitar në zonën tënde.
a Shih librin Truth in Translation, faqja 165.
b Engjëjt e ligj janë dëbuar nga qielli, por vazhdojnë të ekzistojnë në botën e padukshme.—Zbulesa 12:7-9.