Kalo te përmbajtja

Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk pranojnë transfuzione gjaku?

Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk pranojnë transfuzione gjaku?

Ide të gabuara e të zakonshme

E rreme: Dëshmitarët e Jehovait nuk besojnë se mjekët mund t’i ndihmojnë, prandaj nuk kërkojnë trajtim mjekësor.

 E vërtetë: Ne kërkojmë kujdesin mjekësor më të mirë të mundshëm për veten dhe familjet tona. Kur kemi probleme shëndetësore, shkojmë te mjekë të aftë që ofrojnë kujdes mjekësor dhe kirurgji pa gjak. Ne i vlerësojmë përparimet që janë bërë në fushën e mjekësisë. Në fakt, trajtimet pa gjak që janë zhvilluar për të ndihmuar pacientët Dëshmitarë, tani po përdoren në dobi të të gjithë njerëzve. Në shumë vende, çdo pacient tani mund të zgjedhë t’i shmangë rreziqet e transfuzionit, si sëmundjet që transmetohen nëpërmjet gjakut, reaksionet e sistemit imunitar dhe gabimet njerëzore.

  E rreme: Dëshmitarët e Jehovait besojnë se sëmundjet e një personi shërohen me anë të besimit.

 E vërtetë: Ne nuk e praktikojmë shërimin me anë të besimit.

  E rreme: Shmangia e transfuzioneve të gjakut kushton tej mase.

 E vërtetë: Trajtimet mjekësore pa transfuzione gjaku kursejnë shumë para. a

  E rreme: Shumë Dëshmitarë, ku përfshihen edhe fëmijë, vdesin çdo vit ngaqë refuzojnë transfuzione gjaku.

 E vërtetë: Ky pohim është krejtësisht pa baza. Kirurgët kryejnë rregullisht ndërhyrje të ndërlikuara pa transfuzione gjaku, si operacione të zemër, kirurgji ortopedike dhe transplantime organesh. b Pacientët, ku përfshihen edhe fëmijë, të cilët nuk bëjnë transfuzion gjaku, zakonisht e marrin veten po aq mirë ose më mirë se ata që pranojnë transfuzione. c Gjithsesi, askush nuk mund ta thotë me siguri se një pacient do të vdesë ngaqë nuk pranon gjak, ose do të jetojë ngaqë e pranon atë.

Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk pranojnë transfuzione gjaku?

 Kjo është një çështje fetare dhe jo mjekësore. Si Dhiata e Vjetër, edhe Dhiata e Re, urdhërojnë qartësisht të rrimë larg nga gjaku. (Zanafilla 9:4; Levitiku 17:10; Ligji i përtërirë 12:23; Veprat 15:​28, 29) Gjithashtu, për Perëndinë, gjaku përfaqëson jetën. (Levitiku 17:14) Prandaj, ne nuk marrim gjak jo vetëm ngaqë i bindemi Perëndisë, por edhe ngaqë e respektojmë atë si Dhënësin e jetës.

Pikëpamje që ndryshojnë

Ndërhyrje kirurgjike të ndërlikuara mund të kryhen me sukses pa transfuzione gjaku

 Më parë, në përgjithësi mjekët i konsideronin ekstreme e madje vetëvrasëse strategjitë pa transfuzione, të quajtura mjekime pa gjak, por vitet e fundit kjo ka ndryshuar. Për shembull, në vitin 2004, një artikull nga një botim mjekësor thoshte se «shumë teknika që janë zhvilluar për pacientët Dëshmitarë të Jehovait, do të bëhen një praktikë standarde vitet e ardhshme». d Në vitin 2010, një artikull nga një botim (Heart, Lung and Circulation), thoshte se «‘kirurgjia pa gjak’ nuk duhet përdorur vetëm për D[ëshmitarët] e J[ehovait], por kirurgët duhet të mendojnë ta përdorin atë në çdo rast».

 Mijëra mjekë në mbarë botën tani përdorin teknika për ruajtjen e gjakut për të kryer ndërhyrje kirurgjike të ndërlikuara pa transfuzione. Alternativa të tilla të transfuzionit të gjakut po përdoren edhe në vendet në zhvillim dhe kërkohen nga shumë pacientë që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait.

[Shënimi]

a Shih botimin Transfusion and Apheresis Science, vëllimi 33, nr. 3, f. 349.

b Shih botimet The Journal of Thoracic and Cardiovascular Surgery, vëllimi 134, nr. 2, f. 287-288; Texas Heart Institute Journal, vëllimi 38, nr. 5, f. 563; Basics of Blood Management, f. 2; dhe Continuing Education in Anaesthesia, Critical Care & Pain, vëllimi 4, nr. 2, f. 39.

c Shih botimin The Journal of Thoracic and Cardiovascular Surgery, vëllimi 89, nr. 6, f. 918; dhe Heart, Lung and Circulation, vëllimi 19, f. 658.

d Continuing Education in Anaesthesia, Critical Care & Pain, vëllimi 4, nr. 2, faqja 39.