Kalo te përmbajtja

I ndajnë apo i bashkojnë Dëshmitarët e Jehovait familjet?

I ndajnë apo i bashkojnë Dëshmitarët e Jehovait familjet?

 Si Dëshmitarë të Jehovait, përpiqemi t’i forcojmë familjet, si tonat, edhe ato të të tjerëve. Respektojmë Perëndinë si Krijuesin e institucionit të familjes. (Zanafilla 2:​21-​24; Efesianëve 3:​14, 15) Nëpërmjet Biblës ai jep parime që kanë ndihmuar njerëz në mbarë botën të kenë martesa të forta e të lumtura.

Si ndihmojnë Dëshmitarët e Jehovait që familjet të jenë të forta?

 Ne bëjmë çmos të zbatojmë këshillat e Biblës, pasi kjo na bën burra, gra dhe prindër më të mirë. (Proverbat 31:10-​31; Efesianëve 5:22–​6:4; 1 Timoteut 5:8) Mençuria e Biblës ndihmon që edhe familjet me bindje të ndryshme fetare t’ia dalin mbanë. (1 Pjetrit 3:​1, 2) Ja si shprehen disa persona që nuk janë Dëshmitarë, bashkëshortët e të cilëve janë bërë Dëshmitarë:

  •   «Gjashtë vitet e para të martesës vetëm ziheshim e acaroheshim. Por, pasi Ivete u bë Dëshmitare e Jehovait, filloi të tregohej më e dashur dhe e durueshme. Nëse martesa jonë shpëtoi, ishte falë ndryshimeve që ajo bëri.»​—Clauir nga Brazili.

  •   «Nuk isha dakord kur burri im, Chansa, filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, sepse mendoja se ata i prishnin familjet. Që atëherë, kam kuptuar se faktikisht ishte Bibla ajo që e ndihmoi martesën tonë.»​—Agness nga Zambia.

 Gjatë predikimit u tregojmë njerëzve se si na ndihmon zbatimi i mençurisë së Biblës . . .

A shkakton ndërrimi i fesë mosmarrëveshje në martesë?

 Të themi të drejtën, ndonjëherë po. Për shembull, një raport i vitit 1998 nga kompania Sofres thoshte se 1 në 20 martesa ku njëri nga bashkëshortët ishte Dëshmitar, kishte probleme serioze kur ai përqafoi këtë fe.

 Jezui paratha se ata që ndjekin mësimet e tij ndonjëherë do të kenë konflikte në familje. (Mateu 10:32-​36) Historiani Will Durant vëren se nën Perandorinë romake «krishterimi akuzohej për prishje të familjeve» a, dhe disa Dëshmitarë të Jehovait sot akuzohen për të njëjtën gjë. Por a do të thotë kjo se është bashkëshorti Dëshmitar ai që shkakton probleme?

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut

 Në vendimin e saj për akuzën se Dëshmitarët e Jehovait prishin familjet, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut tha se pjesëtarët e familjes që s’janë Dëshmitarë shpesh shkaktojnë konflikt ngaqë nuk duan «të pranojnë dhe të respektojnë lirinë fetare të të afërmit për të shfaqur hapur dhe për të praktikuar fenë e tij ose të saj». Ajo shtoi: «Kjo situatë ndodh rëndom në martesat ku bashkëshortët kanë fe të ndryshme, dhe Dëshmitarët e Jehovait nuk bëjnë përjashtim.» b Edhe kur ndeshin mungesë tolerance fetare, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen fort të ndjekin këshillën biblike: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. . . . Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.»​—Romakëve 12:17, 18.

Pse Dëshmitarët e Jehovait besojnë se duhet të martohen vetëm brenda fesë së tyre?

 Dëshmitarët i binden udhëzimit të Biblës për t’u martuar «vetëm në Zotërinë», domethënë me një person që ka të njëjtin besim fetar. (1 Korintasve 7:​39) Kjo këshillë është edhe biblike, edhe praktike. Për shembull, një artikull i vitit 2010 në botimin Journal of Marriage and Family thoshte se «çiftet me partnerë që kanë të njëjtën fe, të njëjtat zakone dhe bindje fetare» priren të kenë marrëdhënie të një cilësie më të lartë. c

 Por, Dëshmitarët e Jehovait nuk i nxitin ata që i përkasin të njëjtit besim të ndahen nga bashkëshorti që nuk është Dëshmitar. Bibla thotë: «Nëse ndonjë vëlla ka një grua jobesimtare, e cila megjithatë është dakord të jetojë me të, ai të mos e lërë. Edhe gruaja që e ka burrin jobesimtar, i cili megjithatë është dakord të jetojë me të, të mos e lërë burrin.» (1 Korintasve 7:​12, 13) Dëshmitarët e Jehovait i binden këtij urdhërimi.

a Shih librin Caesar and Christ, faqja 647.

b Shih vendimin e marrë për çështjen Dëshmitarët e Jehovait të Moskës dhe të tjerë kundër Rusisë, faqet 26-​27, paragrafi 111.

c Shih Journal of Marriage and Family, vëllimi 72, numri 4, (gusht 2010), faqja 963.