A mund të vendosë dikush që të mos jetë më Dëshmitar i Jehovait?
Po. Një person mund të largohet nga organizata jonë në dy mënyra.
Nëpërmjet një kërkese formale. Me gojë ose me shkrim, një person mund të tregojë se ka marrë vendim se nuk do që të njihet më si Dëshmitar i Jehovait.
Nëpërmjet veprimeve. Dikush mund të bëjë diçka që tregon se nuk do që të jetë pjesë e vëllazërisë sonë mbarëbotërore. (1 Pjetrit 5:9) Për shembull, ai mund të bëhet pjesë e një feje tjetër dhe ta bëjë të qartë se ka ndër mend të vazhdojë të jetë pjesë e saj.—1 Gjonit 2:19.
A e konsideroni ende Dëshmitar të Jehovait dikë që nuk predikon më ose nuk vjen më në mbledhjet tuaja?
Po. Të kërkosh të mos jesh më Dëshmitar i Jehovait, ose të vetëpërjashtohesh, nuk është njësoj si të jesh i dobët në besim. Shpesh ata që për njëfarë kohe nuk janë më shumë aktivë në adhurimin e Perëndisë ose e ndërpresin fare atë, s’e kanë braktisur besimin, por po vuajnë nga shkurajimi. Në vend që t’i shmangim, ne përpiqemi t’u japim zemër e t’i mbështetim. (1 Selanikasve 5:14; Juda 22) Nëse personi do ndihmë, pleqtë e kongregacionit marrin masa që ta ndihmojnë të forcojë besimin.—Galatasve 6:1; 1 Pjetrit 5:1-3.
Gjithsesi, pleqtë nuk janë të autorizuar ta detyrojnë ose t’i bëjnë presion dikujt që të vazhdojë si Dëshmitar i Jehovait. Secili e zgjedh vetë fenë. (Josiu 24:15) Besojmë se ata që adhurojnë Zotin duhet ta adhurojnë me vullnet të lirë e me gjithë zemër.—Psalmi 110:3; Mateu 22:37.