Pikëpamja e Dëshmitarëve të Jehovait për arsimimin
Pikëpamja jonë për arsimimin bazohet te parimet e Biblës. Çdo Dëshmitar vendos në bazë të ndërgjegjes së stërvitur sipas Biblës si do t’i zbatojë parimet hyjnore, si ato që renditen më poshtë. a
Arsimimi është jetësor
Arsimimi e ndihmon dikë të zhvillojë «mençurinë dhe aftësinë për të menduar», cilësi që Bibla i ngre lart. (Proverbat 2:10, 11; 3:21, 22) Veç kësaj, Jezui u tha dishepujve të tij t’u mësonin të tjerëve gjërat që ai u kishte urdhëruar. (Mateu 28:19, 20) Prandaj ne i nxitim dhe i ndihmojmë ata në kongregacionin tonë të kenë arsimim të mirë, që përfshin aftësi në lexim, shkrim dhe komunikim, b si dhe njohuri për besimet fetare dhe kulturat e tjera.—1 Korintasve 9:20-22; 1 Timoteut 4:13.
Edhe qeveritë e kuptojnë vlerën e arsimimit dhe shpesh nxjerrin ligje që përcaktojnë vitet e arsimit të detyrueshëm. Ne u bindemi këtyre ligjeve, në harmoni me urdhërimin: «Çdo shpirt të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta», pra ndaj qeverive. (Romakëve 13:1) Për më tepër i nxitim fëmijët tanë të mësojnë dhe të bëjnë më të mirën në shkollë, e jo të kënaqen me përpjekjet minimale. c Sikurse thuhet në Fjalën e Perëndisë: «Çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain [Perëndinë] e jo si për njerëzit.»—Kolosianëve 3:23.
Arsimimi na ndihmon të sigurojmë gjërat e nevojshme për familjen. Bibla thotë që «nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët, e sidomos për pjesëtarët e shtëpisë së vet, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një njeri pa besim». (1 Timoteut 5:8) Arsimimi mund të na ndihmojë të përmbushim detyrimin e shenjtë për të mbështetur familjen. Një enciklopedi (The World Book Encyclopedia) thotë se një synim kryesor i arsimimit është «t’i aftësojë njerëzit të bëhen anëtarë produktivë të shoqërisë . . . si punëtorë që do t’i kontribuojnë ekonomisë». Një person i kualifikuar dhe i arsimuar mund të sigurojë për familjen më kollaj dhe në mënyrë më të qëndrueshme, sesa dikush i pakualifikuar dhe pa arsimim bazë.—Proverbat 22:29.
Prindërit sigurojnë për fëmijët edhe duke i stërvitur për jetën si të rritur dhe shkolla ka shumë peshë në këtë. (2 Korintasve 12:14) Ne i nxitim prindërit t’i çojnë fëmijët në shkollë, edhe nëse jetojnë në zona ku arsimimi është me pagesë, nuk sigurohet kollaj ose bie ndesh me normat kulturore. d Po ashtu, u japim prindërve sugjerime praktike se si të përfshihen në shkollimin e fëmijëve. e
Arsimimi duhet parë me objektivitet
Ne i analizojmë me kujdes opsionet që ofrohen për arsimin. Bibla thotë: «Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.» (Proverbat 14:15) E zbatojmë këtë parim duke analizuar me kujdes opsionet që ofrohen pas përfundimit të arsimit të detyrueshëm, si dhe koston e vlerën e tyre. Për shembull, në përgjithësi formimit profesional ia sheh të mirën për një periudhë të arsyeshme kohe.
Arsimimi nga Bibla ka më shumë vlerë. Ndryshe nga njohuria që merret në shkolla, arsimimi nga Bibla jep njohurinë jetëshpëtuese të Perëndisë. (Gjoni 17:3) Po ashtu mëson vlera morale—«drejtësinë, gjykimin dhe ndershmërinë, gjithë udhën e asaj që është e mirë». (Proverbat 2:9) Arsimimi që mori Pavli, sot mund të krahasohet me shkollën e lartë. Gjithsesi ai pranoi ‘vlerën e pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu’. (Filipianëve 3:8; Veprat 22:3) Edhe sot, shumë Dëshmitarë të Jehovait kanë mbaruar shkollën e lartë dhe më tej, ama janë të bindur që arsimimi nga Bibla ka vlerë më të madhe. f
Arsimi i lartë mund të na rrezikojë moralin dhe lidhjen tonë me Perëndinë
Një proverb biblik thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» (Proverbat 22:3) Dëshmitarët e Jehovait mendojnë se disa universitete ose qendra të tjera të arsimit të lartë karakterizohen nga një mjedis që mund të paraqesë rreziqe për moralin dhe lidhjen me Perëndinë. Për këtë arsye, shumë Dëshmitarë zgjedhin të mos e zhytin veten ose fëmijët e tyre në këtë mjedis. Ata mendojnë se në qendrat e arsimit të lartë, është e zakonshme të nxiten ide të gabuara si këto që renditen më poshtë:
Ide e gabuar: Paraja sjell lumturi dhe siguri
Shpeshherë arsimi i lartë paraqitet si mënyra më e sigurt për një punë me pagë të majme, prandaj po rritet numri i studentëve që shkojnë në universitet kryesisht për të fituar shumë para. Disa shpresojnë që paraja t’u sjellë lumturi dhe siguri, por Bibla nxjerr në pah kotësinë e kësaj mënyre të menduari. (Eklisiastiu 5:10) Ç’është më e rëndësishmja, Bibla mëson edhe se «dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme» dhe shpesh e bën dikë të humbasë besimin te Perëndia. (1 Timoteut 6:10) Dëshmitarët e Jehovait bëjnë gjithë sa kanë në dorë të mos bien në grackën e ‘fuqisë mashtruese të pasurisë’.—Mateu 13:22.
Ide e gabuar: Një person duhet të rendë pas prestigjit dhe pozitës që mund të sigurojë arsimi i lartë
Për shembull, Nika Gilauri, ish-kryeministër i Gjeorgjisë, shkroi në lidhje me pikëpamjen e përhapur të vendit të tij: «Në Gjeorgji, diploma e universitetit është thuajse e detyrueshme si simbol i pozitës. . . . [Në të kaluarën,] të rinjtë pa diplomë ishin turpi i familjes.» g Krejt ndryshe Bibla na paralajmëron të mos kërkojmë të shquhemi. Jezui u tha udhëheqësve fetarë të kohës së tij që kërkonin lavdi për veten: «Si mund të besoni, kur pranoni lavdi nga njëri-tjetri?!» (Gjoni 5:44) Mjedisi që karakterizon universitetet mund të ushqejë krenarinë dhe fodullëkun që Perëndia i urren.—Proverbat 6:16, 17; 1 Pjetrit 5:5.
Ide e gabuar: Çdokush duhet të vendosë standardet e tij për të drejtën dhe për të gabuarën
Dëshmitarët e Jehovait u përmbahen standardeve të Perëndisë për të drejtën dhe për të gabuarën. (Isaia 5:20) Gjithsesi, sipas një artikulli në botimin periodik Journal of Alcohol and Drug Education, shumë studentë në universitete «marrin vendime që bien ndesh me atë që pranojnë si të drejtë dhe të gabuar» h për shkak të presionit të moshatarëve. Ky përfundim pajtohet me parimin e Biblës: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» (1 Korintasve 15:33) Në universitete janë të përhapura e madje nxiten praktika që Perëndia i dënon të tilla, si: dehja, përdorimi i drogës dhe seksi jashtë martesës.—1 Korintasve 6:9, 10; 2 Korintasve 7:1.
Ide e gabuar: Arsimi i lartë është mënyra më e mirë për të përmirësuar botën
E pranojmë se shumë veta nuk e ndjekin shkollën e lartë për pasuri, prestigj ose për kënaqësi të paligjshme e të pamoralshme, por që të përmirësojnë veten dhe botën. Këto janë synime fisnike, por Dëshmitarët e Jehovait kanë zgjedhur një drejtim tjetër. Ashtu si Jezui, e shohim Mbretërinë e Perëndisë si të vetmen shpresë për një botë më të mirë. (Mateu 6:9, 10) Gjithsesi, nuk mjaftohemi vetëm duke pritur që Mbretëria e Perëndisë të zgjidhë problemet e botës. Përkundrazi, siç bëri Jezui, predikojmë ‘lajmin i mirë për mbretërinë’ në gjithë tokën dhe ndihmojmë qindra mijë veta çdo vit të ndryshojnë për mirë jetën. i—Mateu 24:14.
a Të rinjtë Dëshmitarë që jetojnë me prindërit veprojnë sipas vullnetit të prindërve për arsimimin, për aq kohë sa ky nuk bie ndesh me ligjet e Perëndisë.—Kolosianëve 3:20.
b Për këtë qëllim, kemi botuar mbi 11 milionë kopje të botimeve që mësojnë lexim dhe shkrim, si broshura Të mësojmë lexim dhe shkrim. Kemi klasa falas për të mësuar lexim dhe shkrim në 120 gjuhë përreth botës. Nga viti 2003 deri në vitin 2017 kemi mësuar rreth 70.000 njerëz të lexojnë dhe të shkruajnë.
c Shih artikullin «A duhet ta lë shkollën?»
d Për shembull, i nxitim prindërit të çojnë në shkollë si djemtë, edhe vajzat. Shih artikullin «A duhet të shkojë në shkollë fëmija im?» në Kullën e Rojës të 15 marsit 2003.
e Shih artikullin «Si të ndihmosh fëmijën të përmirësojë notat»
f Shih pjesën «Pikëpamje për origjinën e jetës» në sitin jw.org.
g Practical Economics: Economic Transformation and Government Reform in Georgia 2004—2012, faqja 170.
h Vëllimi 61, nr. 1, prill 2017, faqja 72.
i Shih pjesën «Bibla të ndryshon jetën» në jw.org, që të lexosh për shembuj të vërtetë që flasin për fuqinë e Fjalës së Perëndisë dhe të mesazhit për Mbretërinë.