A është ndryshe Bibla e Dëshmitarëve të Jehovait?
Dëshmitarët e Jehovait në studimet e tyre kanë përdorur shumë përkthime të Biblës. Megjithatë, kur e kemi në gjuhën që duam, çmojmë në veçanti Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, sepse përdor emrin e Zotit, është e saktë dhe e qartë.
Përdor emrin e Zotit. Disa botues të Biblës nuk ia kanë dhënë meritën atij që i takon. Për shembull, një përkthim i Biblës rendit emrat e mbi 70 njerëzve që kanë kontribuar në njëfarë mënyre për prodhimin e saj. E megjithatë, po ky përkthim e heq fare emrin e Autorit të saj—Perëndisë Jehova!
Krejt ndryshe, Përkthimi Bota e Re rivendos emrin e Perëndisë në mijëra vendet ku gjendej në tekstin origjinal, kurse komiteti që ka prodhuar këtë përkthim mbetet anonim.
Saktësia. Jo të gjitha përkthimet e përcjellin me saktësi mesazhin origjinal të Biblës. Për shembull, në një përkthim Mateu 27:40 është përkthyer: «Në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!» Por, në tekstin origjinal përdoret një fjalë që do të thotë «shtyllë». Ndoshta përkthyesit kanë futur fjalën «kryq», ngaqë besonin se Jezui ka vdekur në një kryq. Ama, Bibla nuk e mbështet këtë mësim. Kështu, Përkthimi Bota e Re thotë me saktësi: «Nëse je bir i Perëndisë, zbrit nga shtylla e torturës!»
Qartësia. Përveçse i saktë, një përkthim i mirë duhet të jetë edhe i qartë, i lehtë për t’u kuptuar. Shikoni një shembull. Te Mateu 5:3, Jezui përdori një shprehje që fjalë për fjalë do të thotë «lum të varfrit në frymë». Meqë kjo shprehje nuk ka shumë kuptim në gjuhët e sotme, Përkthimi Bota e Re e përkthen më qartë këtë varg. Aty thuhet: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.»
Përveç përdorimit të emrit të Perëndisë, saktësisë dhe qartësisë, Përkthimi Bota e Re ka edhe një aspekt tjetër të veçantë: u jepet njerëzve falas. Si rezultat, miliona veta kanë mundësi ta lexojnë Biblën në gjuhën mëmë, madje edhe ata që s’kanë mundësi ta blejnë.