A i detyrojnë Dëshmitarët e Jehovait fëmijët që të kenë të njëjtin besim?
Jo, sepse çdo njeri vendos vetë nëse do ta adhurojë Perëndinë apo jo. (Romakëve 14:12) Dëshmitarët e Jehovait u mësojnë fëmijëve parimet e Biblës, ama kur fëmijët rriten, duhet të vendosin vetë nëse do të bëhen Dëshmitarë.—Romakëve 12:2; Galatasve 6:5.
Si shumica e prindërve, edhe Dëshmitarët e Jehovait duan më të mirën për fëmijët, ndaj u mësojnë gjërat që mendojnë se do t’u sjellin dobi, si aftësi praktike, parime morale dhe bindje fetare. Ata besojnë se Bibla të ndihmon të bësh jetën më të mirë të mundshme. Ja pse përpiqen t’u ngulitin fëmijëve vlerat e saj duke studiuar Biblën me ta dhe duke shkuar bashkë në mbledhjet e krishtere. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Kur rritet, çdo fëmijë mund të vendosë në bazë të njohurisë nëse do të përqafojë bindjet fetare të prindërve.
A pagëzojnë foshnja Dëshmitarët e Jehovait?
Jo. Bibla nuk e miraton pagëzimin e foshnjave. Për shembull, ajo tregon se të krishterët e shekullit të parë e dëgjuan mesazhin e Biblës, «i përqafuan me zemër fjalët» e saj, u penduan, pastaj u pagëzuan. (Veprat 2:14, 22, 38, 41) Pra, që dikush të pagëzohet, duhet të jetë aq i rritur sa t’i kuptojë mësimet e Biblës, t’i besojë dhe ta ketë ndarë mendjen të jetojë në përputhje me këto mësime. Një foshnjë nuk i bën dot këto.
Kur fëmijët rriten, vjen një moment që mund të vendosin të pagëzohen. Gjithsesi, që të pagëzohen, duhet të kuptojnë angazhimin që po marrin.
A i mbajnë larg fëmijët që vendosin të mos pagëzohen?
Jo. Edhe pse prindërit Dëshmitarë trishtohen kur fëmija nuk e pranon besimin e tyre, prapëseprapë e duan dhe nuk i shkëputin lidhjet vetëm se ai nuk dëshiron të bëhet Dëshmitar.
Pse Dëshmitarët i marrin me vete në predikim fëmijët?
Kemi shumë arsye pse i marrim fëmijët në predikim. a
Bibla i udhëzon prindërit që t’i mësojnë fëmijët për Perëndinë dhe t’i stërvitin që ta adhurojnë. (Efesianëve 6:4) Të flasësh hapur për besimin, është pjesë e adhurimit, prandaj predikimi është pjesë e rëndësishme e kësaj stërvitjeje.—Romakëve 10:9, 10; Hebrenjve 13:15.
Bibla nxit veçanërisht të rinjtë «të lëvdojnë emrin e Zotit». (Psalmi 148:12, 13, Diodati i Ri) Një mënyrë kryesore si e lëvdojmë Perëndinë është t’u flasim të tjerëve për të. b
Fëmijët nxjerrin dobi kur predikojnë me prindërit. Për shembull, mësojnë të komunikojnë me çdo lloj njeriu dhe zhvillojnë cilësi të bukura, si dhembshuria, mirësia, respekti dhe altruizmi. Gjithashtu i kuptojnë më mirë arsyet nga Bibla ku mbështeten bindjet e tyre.
A marrin pjesë në festa fetare a të tjera?
Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin pjesë në ato festa që nuk i pëlqejnë Perëndisë. c (2 Korintasve 6:14-17; Efesianëve 5:10) Për shembull, nuk i festojmë ditëlindjet ose Krishtlindjet, pasi kanë origjinë pagane.
Gjithsesi, ne kënaqemi kur kalojmë kohë me familjen dhe nuk ua kursejmë gjërat e mira fëmijëve. Në vend që të lejojmë kalendarin të përcaktojë se kur duhet të rrimë me familjen e të japim dhurata, ne i bëjmë këto gjatë gjithë vitit.
a Faktikisht, fëmijët Dëshmitarë duhet të predikojnë të shoqëruar me prindin ose me një të rritur të pjekur.
b Bibla përmend shumë fëmijë që ia kënaqën zemrën Perëndisë duke u folur të tjerëve për bindjet e tyre.—2 Mbretërve 5:1-3; Mateu 21:15, 16; Luka 2:42, 46, 47.
c Shih artikullin «Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë disa festa?»
d Disa emra janë ndryshuar.