Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë disa festa?
Si e përcaktojnë Dëshmitarët e Jehovait nëse një festë është e pranueshme për Perëndinë?
Para se të vendosin nëse do ta festojnë apo jo një festë, Dëshmitarët e Jehovait konsultohen me Fjalën e Perëndisë. Disa festa janë qartësisht në kundërshtim me të vërtetat e Biblës. Kur bëhet fjalë për festa të tilla, Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin pjesë në to. Ndërsa, kur bëhet fjalë për festa të tjera, çdo Dëshmitar zgjedh vetë, duke u përpjekur ‘të mbajë një ndërgjegje të pastër para Perëndisë dhe njerëzve’.—Veprat 24:16.
Më poshtë jepen disa pyetje që Dëshmitarët e Jehovait ia bëjnë vetes para se të vendosin nëse do të marrin pjesë në një festë. a
A bie ndesh me mësimet e Fjalës së Perëndisë festa?
Parim nga Bibla: «Dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,—thotë Jehovai,—dhe mjaft e prekët gjënë e papastër.»—2 Korintasve 6:15-17.
Që të ndahen plotësisht nga mësime të papastra frymësisht, pra nga mësime që janë në kundërshtim me atë që thotë Bibla, Dëshmitarët e Jehovait nuk kremtojnë festa që kanë tiparet e mëposhtme.
Festa që e kanë origjinën te besimi dhe kulti i hyjnive. Jezui tha: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.» (Mateu 4:10) Ngaqë i vënë veshin këtij paralajmërimi, Dëshmitarët e Jehovait nuk festojnë Krishtlindjet, Pashkët, dhe 1 Majin b, përderisa këto festa e kanë origjinën te kulti i hyjnive dhe jo tek adhurimi i Jehovait. Nuk marrin pjesë as në festa të tilla si këto më poshtë:
Kwanzaa. Sipas një enciklopedie, emri Kwanzaa «vjen nga shprehja sualeze matunda ya kwanza, e cila do të thotë ‘frytet e para’, dhe [kjo] tregon se festa i ka rrënjët te festimet e para të të korrave që janë dokumentuar në historinë e Afrikës». (Encyclopedia of Black Studies) Ndonëse për disa Kwanzaa nuk është festë fetare, një enciklopedi tjetër e krahason me një festë tjetër afrikane, gjatë së cilës frytet e para «u ofrohen hyjnive dhe të parëve të vdekur në shenjë falënderimi» dhe shton: «E njëjta frymë me falënderime dhe mirënjohje për bekimet e marra nga të parët e vdekur, karakterizon edhe festën afroamerikane Kwanzaa.»—Encyclopedia of African Religion.
Festa e Mesvjeshtës. Sipas një libri, kjo është «një festë për nder të hyjnisë hënë». (Holidays, Festivals, and Celebrations of the World Dictionary) Një ndër ritet e kësaj feste «kërkon që e zonja e shtëpisë të përkulet para hyjnisë».—Religions of the World—A Comprehensive Encyclopedia of Beliefs and Practices.
Nevruzi (Dita e Sulltan Nevruzit). «Kjo festë e ka origjinën nga feja zoroastriane dhe është ndër ditët e shenjta të kalendarit zoroastrian. . . . Sipas traditës zoroastriane, shpirti i mesditës, i njohur si [Rapithwin], që mendohej se mbahej me forcë nëntokë gjatë muajve të ftohtë nga shpirti i dimrit, mirëpritej përsëri me festime në mesditën e ditës së Nevruzit.»—UNESCO.
Nata e Jaldasë. Sipas një libri, kjo festë kremtohet në solsticin e dimrit dhe «pa dyshim ka lidhje me kultin e Mitrës», perëndisë së dritës. (Sufism in the Secret History of Persia). Disa mendojnë se kjo festë mund të ketë lidhje me adhurimin e perëndisë diell të Romës dhe të Greqisë. c
Dita e Falënderimeve. Ashtu si Kwanzaa, kjo festë i ka rrënjët në festimet e lashta të të korrave për nder të hyjnive të ndryshme. Me kalimin e kohës, «këto tradita të lashta u asimiluan nga feja e krishterë».—A Great and Godly Adventure—The Pilgrims and the Myth of the First Thanksgiving.
Festa që bazohen te bestytnitë dhe te fati. Bibla thotë se ata ‘që shtrojnë tryezë për perëndinë e Fatit të Mirë’ janë ndër ata ‘që braktisin Jehovain’. (Isaia 65:11) Prandaj Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin pjesë në festat e mëposhtme:
Ivan Kupala. Një libër thotë: «Sipas njerëzve, gjatë ditës së Ivan Kupalës, natyra ka shumë fuqi magjike dhe, po të jesh i guximshëm dhe me fat, mund të marrësh nga kjo fuqi.» (The A to Z of Belarus) Fillimisht kjo festë me natyrë pagane festohej për solsticin e verës. Megjithatë, një enciklopedi vëren se, «pasi paganët pranuan besimin e krishterë, kjo festë pagane u shkri me festën e Kishës për Gjon Pagëzorin».—Encyclopedia of Contemporary Russian Culture.
Viti i Ri Hënor (Viti i Ri Kinez ose Viti i Ri Korean). Një libër thotë: «Në këtë periudhë të vitit, meraku kryesor i familjeve, miqve dhe të afërmve është të sigurojnë fat të mirë, t’u bëjnë nderime perëndive e frymërave, si dhe të urojnë fat për vitin që vjen.» (Mooncakes and Hungry Ghosts—Festivals of China) Po njësoj, edhe Viti i Ri Korean «përfshin adhurimin e të parëve, ritet për të përzënë frymërat e liga dhe për të sjellë fat të mirë, si dhe fallet [parashikimet] për Vitin e Ri».—Encyclopedia of New Year’s Holidays Worldwide.
Festa që bazohen tek ideja se shpirti është i pavdekshëm. Fjala e Perëndisë e thotë qartë se shpirti vdes. (Ezekieli 18:4) Ja pse Dëshmitarët e Jehovait nuk kremtojnë festat që renditen më poshtë, të cilat nxitin besimin te pavdekësia e shpirtit:
Dita e Gjithë Shpirtrave (Dita e të Vdekurve). Sipas një enciklopedie, kjo ditë «përkujton gjithë të ndjerët besnikë». Ajo shton se, «gjatë gjithë Mesjetës, ishte i përhapur besimi se, në këtë ditë, shpirtrat në purgator mund t’u shfaqeshin si fantazma, shtriga, zhaba etj, atyre që u kishin bërë keq kur ishin gjallë».—New Catholic Encyclopedia.
Dita Përkujtimore Ching Ming dhe Festa e Fantazmës së Uritur. Këto dy festa mbahen për të nderuar të parët e vdekur. Gjatë festës Ching Ming, një libër thotë se «digjet ushqim, pije dhe kartëmonedha që të vdekurin të mos e marrë uria, etja dhe të mos ngelet pa para». Po ashtu ky libër thotë se, «gjatë Muajit të Fantazmës së Uritur, sidomos kur hëna është e plotë [sipas praktikantëve të kësaj feste], lidhja mes të gjallëve dhe të vdekurve bëhet më e fortë, prandaj është e rëndësishme që, këtë natë, të merren masa për të qetësuar të vdekurit dhe për të adhuruar të parët e vdekur».—Celebrating Life Customs Around the World—From Baby Showers to Funerals.
Chuseok. Një libër thotë se kjo festë përfshin «t’i japësh ushqim dhe verë shpirtrave të të vdekurve». Ky zakon është pasqyrim «i besimit se shpirti vazhdon të ekzistojë edhe pasi trupi ka vdekur».—The Korean Tradition of Religion, Society, and Ethics.
Festa që kanë lidhje me okultizmin. Bibla thotë: «Të mos gjendet asnjë nga ata . . . që hedhin fall, që merren me magji, që kërkojnë ogure, ndonjë shtrigë, ndonjë që ysht të tjerët, që këshillohet me një medium ose me dikë që ka si zanat parathënien e ngjarjeve a ndonjë që pyet të vdekurit. Sepse . . . janë të pështirë për Jehovain.» (Ligji i përtërirë 18:10-12) Që të qëndrojnë të pastër nga çdo lloj okultizmi—përfshirë astrologjinë (një formë falli)—Dëshmitarët e Jehovait nuk festojnë as Hallouinin, as festat më poshtë:
Viti i Ri Sinhalez dhe Viti i Ri Tamil. «Ritet tradicionale të këtij festimi . . . përfshijnë kryerjen e disa veprimeve në atë moment që astrologët e kanë përcaktuar se sjell fat.»—Encyclopedia of Sri Lanka.
Songkran. Një enciklopedi shpjegon se emri i kësaj feste aziatike «vjen nga një fjalë sanskrite . . . që do të thotë ‘lëvizje’ ose ‘ndryshim’». Kjo festë «shënon hyrjen e diellit në yjësinë e Dashit».—Food, Feasts, and Faith—An Encyclopedia of Food Culture in World Religions.
Kremtime që kishin të bënin me adhurimin nën Ligjin e Moisiut, i cili mori fund me flijimin e Jezuit. Fjala e Perëndisë thotë: «Krishti është fundi i Ligjit.» (Romakëve 10:4) Edhe sot të krishterët nxjerrin dobi nga parimet e Ligjit të Moisiut që iu dha Izraelit të lashtë. Megjithatë, ata nuk kremtojnë festat e atij ligji, sidomos ato që kanë të bëjnë me një Mesi që duhet të vijë, për të cilin të krishterët besojnë se tashmë ka ardhur. Bibla thotë: «Këto gjëra janë një hije e gjërave që do të vijnë, kurse realiteti i përket Krishtit.» (Kolosianëve 2:17) Meqë këto festa e kanë kryer funksionin dhe meqë kanë disa zakone që bien ndesh me Biblën, festat e renditura më poshtë janë ndër festat që Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë:
Hanukah. Kjo festë kremton rikushtimin e tempullit judaik në Jerusalem. Nga ana tjetër, Bibla thotë se Jezui u bë Kryeprifti i tendës [tempullit] «më të madhe dhe më të përsosur, që nuk është bërë me duar, domethënë jo e këtij krijimi». (Hebrenjve 9:11) Për të krishterët, ky tempull i figurshëm zëvendësoi tempullin e Jerusalemit.
Rosh Hashanah (Viti i Ri Judaik). Kjo festë bëhet ditën e parë të vitit judaik. Në kohët e lashta, pjesë e rëndësishme e kësaj feste ishin flijimet dhe blatimet që i bëheshin Perëndisë. (Numrat 29:1-6) Megjithatë, Jezu Krishti, si Mesia, bëri që «flijimi dhe blatimi të pushojnë», duke ua hequr vlerën në sytë e Perëndisë.—Danieli 9:26, 27.
A promovon festa bashkëpunimin mes feve?
Parim nga Bibla: «Ç’pjesë ka një besimtar me një jobesimtar? Ç’marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt?»—2 Korintasve 6:15-17.
Ndonëse Dëshmitarët e Jehovait përpiqen fort të jetojnë në paqe me të tjerët dhe respektojnë të drejtën e kujtdo se çfarë të besojë, ata nuk marrin pjesë në festa që promovojnë bashkëpunimin e feve në këto mënyra.
Kremtime për një figurë fetare ose për ngjarje që inkurajojnë adhurimin e përbashkët ndërmjet njerëzve të besimeve të ndryshme. Kur Perëndia e çoi popullin e tij të lashtë në një tokë ku banorët atje praktikonin fe të tjera, ai u tha: «Nuk do të bësh besëlidhje me ta ose me perënditë e tyre. . . . Në rast se do t’u shërbesh perëndive të tyre, kjo do të bëhet një lak për ty.» (Dalja 23:32, 33) Për këtë arsye, Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin pjesë në festa si këto:
Loy Krathong. Për këtë festë tajlandeze, njerëzit bëjnë «varka të vogla me gjethe, u vënë qirinj ose shkopinj temjani dhe i lëshojnë në ujë. Thuhet se varkat marrin me vete fatin e keq. Faktikisht festa bëhet në kujtim të një gjurme të shenjtë lënë nga Buda anash lumit.»—Encyclopedia of Buddhism.
National Repentance Day. Sipas një qeveritari të cituar në gazetën The National të Papua Guinesë së Re, kush merr pjesë në këtë festë «bie dakord me parimet themelore të besimit të krishterë». Ai shtonte se «festimi i National Repentance Day ndihmon që të promovohen parimet e krishtere në vend».
Vesak. «Është dita më e shenjtë e kalendarit budist, gjatë së cilës festohet lindja, ndriçimi dhe vdekja e Budës, pra arritja e Nirvanës.»—Holidays, Festivals, and Celebrations of the World Dictionary.
Festa që bazohen në tradita fetare që Bibla nuk i mbështet. Jezui u tha krerëve fetarë të kohës së tij: «E keni bërë fjalën e Perëndisë të pavlefshme, për shkak të traditës suaj.» Ai shtoi edhe se adhurimi i tyre ishte i kotë, pasi mësonin «thjesht urdhërime njerëzish». (Mateu 15:6, 9) Ngaqë e marrin seriozisht këtë paralajmërim, ka shumë ngjarje fetare në të cilat Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin pjesë:
Epifania (Tre Mbretërit, Dita e Ujit të Bekuar dhe Timkat). Kremtuesit e kësaj feste kujtojnë qoftë vajtjen e astrologëve te Jezui, qoftë pagëzimin e Jezuit. Sipas një enciklopedie, kjo festë «i ktheu në të krishtere disa festa pagane që mbaheshin në pranverë për të nderuar hyjnitë e ujit të rrjedhshëm, të lumenjve dhe të përrenjve». (The Christmas Encyclopedia) Ndërsa për festën etiopase Timkat, që ka lidhje me Epifaninë, një enciklopedi tjetër thotë se «është e rrënjosur thellë në traditë».—Encyclopedia of Society and Culture in the Ancient World.
Ngjitja në Qiell e Virgjëreshës Mari (Të Ngriturit e Marisë Virgjër në Qiell). Mbahet për të festuar besimin se nëna e Jezuit u ngjit në qiell me trupin e saj fizik. Por një enciklopedi thotë se «ky besim ishte i panjohur për të krishterët e hershëm dhe nuk përmendet asgjëkundi në Shkrime».—Religion and Society—Encyclopedia of Fundamentalism.
Festa e Ngjizjes pa Mëkat (Zoja e Papërlyeme). «Ngjizja pa mëkat [e Marisë] nuk mësohet nga Shkrimet . . . Është mësim i Kishës.»—New Catholic Encyclopedia.
Kreshmët. Sipas një enciklopedie, kjo periudhë pendese dhe agjërimi filloi «në shekullin e katërt», 200 vjet pasi kishte përfunduar së shkruari Bibla. Në lidhje me ditën e parë të Kreshmëve, kjo enciklopedi pohon: «Riti i lyerjes së besimtarëve me hi të Mërkurën e Përhimjes është kthyer në rit botëror që nga Këshilli i Beneventos, në vitin 1091.»—New Catholic Encyclopedia.
Meskel (Maskal). Një enciklopedi thotë se, gjatë kësaj feste etiopase, festohet «gjetja e Kryqit të Vërtetë (kryqi në të cilën kryqëzuan Jezuin), duke ndezur zjarre të mëdhenj në vende të hapura e duke kërcyer rreth tyre». (Encyclopedia of Society and Culture in the Medieval World; kllapat janë të enciklopedisë.) Për më tepër, Dëshmitarët e Jehovait nuk e përdorin kryqin kur adhurojnë Perëndinë.
A lartëson festa një njeri, një organizatë ose një simbol kombëtar?
Parim nga Bibla: «Kështu thotë Jehovai: ‘Ai që ka besim te njeriu e që e ka shpresën te krahu i njeriut, dhe zemra e të cilit largohet nga Jehovai, është i mallkuar.’»—Jeremia 17:5.
Edhe pse Dëshmitarët e Jehovait kanë vlerësim për njerëzit e tjerë e madje luten për ta, nuk marrin pjesë në organizime e festa të tilla si më poshtë.
Festa që bëhen për të nderuar një sundimtar a personalitet të shquar. Fjala e Perëndisë thotë: «Për të mirën tuaj, hiqni dorë nga njeriu, i cili varet nga fryma që gjendet në flegrat e tij, sepse çfarë është ai që të merret parasysh?» (Isaia 2:22) Ja pse Dëshmitarët e Jehovait nuk festojnë, për shembull, ditëlindjen e një sovrani.
Festa për nder të flamurit. Dëshmitarët e Jehovait nuk festojnë Ditën e Flamurit. Pse jo? Sepse Bibla thotë: «Ruhuni nga idhujt.» (1 Gjonit 5:21) Në ditët tona, shumë njerëz nuk e konsiderojnë flamurin idhull, pra objekt adhurimi. Megjithatë, sipas historianit Karlton Hejz, «simboli kryesor i besimit te nacionalizmi dhe objekti kryesor i adhurimit është flamuri».
Festa që lartësojnë shenjtorët. Çfarë ndodhi kur një burrë me frikë Perëndie u përkul para apostullit Pjetër? Në Fjalën e Perëndisë thuhet: «Pjetri e çoi dhe i tha: ‘Ngrihu, edhe unë jam njeri.’» (Veprat 10:25, 26) As Pjetri, as ndonjë nga apostujt e tjerë nuk pranuan respekt ose përnderim të veçantë, prandaj Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin pjesë në festa që mbahen për nder të atyre që konsiderohen shenjtorë, si këto që renditen më poshtë:
Dita e Gjithë Shenjtorëve. Një enciklopedi thotë: «Kjo festë nderon gjithë shenjtorët . . . Nuk dihet me siguri nga e ka origjinën.»—New Catholic Encyclopedia.
Festa e Zojës së Guadalupes. Kjo festë bëhet në nder të «shenjtores mbrojtëse të Meksikës», që disa besojnë se është Maria, nëna e Jezuit. Thuhet se i është shfaqur në mënyrë të mbinatyrshme një fshatari në vitin 1531.—The Greenwood Encyclopedia of Latino Literature.
Dita e emrit. Në një libër thuhet: «Dita e emrit bëhet për të festuar ditën e shenjtorit, emrin e të cilit ia kanë vënë fëmijës ditën e pagëzimit ose të krezmimit.» Libri shton se «kjo ditë ka ngjyrim të fortë fetar».—Celebrating Life Customs Around the World—From Baby Showers to Funerals.
Festa që kanë lidhje me lëvizje politike ose sociale. Shkrimet e Shenjta thonë: «Më mirë të gjesh strehë te Jehovai, sesa të kesh besim te njeriu.» (Psalmi 118:8, 9) Dëshmitarët e Jehovait nuk festojnë Ditën e Rinisë ose Ditën e Gruas, për të treguar se besojnë që problemet e botës do t’i zgjidhë Perëndia e jo njerëzit. Për të njëjtën arsye nuk marrin pjesë në Emancipation Day (ditë kur kujtohet ndalimi i skllavërisë nga qeveria) a në ndonjë festë të ngjashme. Përkundrazi, presin që problemet e racizmit dhe të pabarazisë t’i zgjidhë Mbretëria e Perëndisë.—Romakëve 2:11; 8:21.
A lartëson festa një komb apo një grup etnik?
Parim nga Bibla: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»—Veprat 10:34, 35.
Edhe pse shumë Dëshmitarë të Jehovain e duan vendin e tyre, nuk marrin pjesë në festa që lartësojnë kombe ose grupe etnike, në ndonjë nga mënyrat e mëposhtme.
Ngjarje që nderojnë forcat e armatosura. Në vend që të përkrahte luftërat, Jezui u tha dishepujve të tij: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.» (Mateu 5:44) Për këtë arsye, Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin pjesë në festa që nderojnë ushtarët, të tilla si më poshtë:
Anzac Day. Një libër thotë se «Anzac është akronimi i Australian and New Zealand Army Corps [Trupat Ushtarake të Australisë dhe të Zelandës së Re]» dhe se «gradualisht Anzac Day është kthyer në ditë përkujtimore për të rënët e luftës».—Historical Dictionary of Australia.
Dita e Veteranëve (Remembrance Day, Remembrance Sunday dhe Memorial Day). Sipas një enciklopedie, këto festa bëhen për të nderuar «veteranët e forcave të armatosura dhe të vrarët në luftërat e vendit».—Encyclopædia Britannica.
Festa që kanë lidhje me historinë ose me pavarësinë e një kombi. Jezui tha kështu për dishepujt e tij: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:16) Edhe pse Dëshmitarëve të Jehovait u pëlqen të njohin historinë e një vendi, ata nuk përfshihen në festa si këto më poshtë:
Dita e Australisë (Australia Day). Sipas një enciklopedie, kjo festë kujton «ditën e vitit 1788, kur ushtarët anglezë ngritën flamurin e tyre dhe e shpallën Australinë koloni të re».—Worldmark Encyclopedia of Cultures and Daily Life.
Dita e Gaj Fouksit. Një botim thotë se është «festë kombëtare që përkujton përpjekjen e dështuar të Gaj Fouksit dhe simpatizantëve të tjerë katolikë për të hedhur në erë, si mbretin Xhejms I, edhe parlamentin [e Anglisë] në vitin 1605».—A Dictionary of English Folklore.
Dita e Pavarësisë. Në vende të ndryshme, në këtë ditë njerëzit festojnë shpalljen e pavarësisë së vendit.
A është një festë që karakterizohet nga sjellja e shfrenuar dhe imorale?
Parim nga Bibla: «Ju mjafton koha që kaluat duke kryer vullnetin e botës, kur rendnit në vepra të sjelljes së shthurur, në epshe, teprime në verë, ahengje të shfrenuara, gara në të pirë dhe idhujtari të kundërligjshme.»—1 Pjetrit 4:3.
Në harmoni me këtë parim, Dëshmitarët e Jehovait i shmangin ahengjet e shfrenuara dhe festat ku njerëzit dehen. Dëshmitarëve të Jehovait u pëlqen të mblidhen me miqtë dhe mund të vendosin të pinë alkool me masë ose të mos pinë fare. Ata bëjnë çmos të zbatojnë këshillën e Biblës: «Nëse hani, nëse pini apo nëse bëni diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.»—1 Korintasve 10:31.
Kjo është arsyeja pse Dëshmitarët e Jehovait nuk përfshihen në karnavale e festa të ngjashme që përkrahin sjelljen e turpshme që dënohet në Fjalën e Perëndisë. Këtu përfshihet festa judaike e Purimit d. Ndonëse për shumë kohë Purimi është mbajtur në kujtim të çlirimit të judenjve në shekullin e pestë p.e.s., sipas një libri, sot mund «të përshkruhet si varianti judaik i festës Mardi Gras ose i karnavaleve». Ky libër shpjegon edhe se, shumë nga ata që e festojnë «vishen me kostume (shpesh burrat veshin rroba grash), sillen në mënyrë të shthurur, pinë me tepri dhe bëjnë shamatë».—Essential Judaism.
A i duan familjarët e tyre Dëshmitarët e Jehovait që nuk festojnë disa festa?
Po. Shkrimet e Shenjta mësojnë që duhet t’i duam e t’i respektojmë familjarët, pavarësisht nga besimi i tyre fetar. (1 Pjetrit 3:1, 2, 7) Kuptohet që, kur një Dëshmitar i Jehovait nuk merr më pjesë në disa festa, të afërmit e tij a të saj mund të mërziten, të lëndohen a madje të ndihen të tradhtuar. Ja pse shumë Dëshmitarë të Jehovait marrin iniciativën që t’i sigurojnë të afërmit se i duan, t’u shpjegojnë me takt arsyet e vendimeve të tyre dhe t’i vizitojnë në raste të tjera.
A u imponohen të tjerëve për sa u përket festave?
Jo. Ata besojnë se çdokush ka të drejtë të vendosë vetë. (Josiu 24:15) Dëshmitarët e Jehovait ‘nderojnë njerëzit e çdo lloji’, pavarësisht nga bindjet fetare.—1 Pjetrit 2:17.
a Artikulli nuk rendit të gjitha festat që Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë dhe as përmban të gjitha parimet e Biblës që mund të përfshihen.
b Në disa vende, 1 Maji njihet kryesisht si Dita e Punëtorëve. M.gj.th. kjo festë e ka origjinën nga Roma e lashtë. Për më shumë informacion, lexoni artikullin: «1 Maji: Çfarë domethënie ka për ju?»—Revista Zgjohuni! e 22 prillit 2005, faqet 12-14.
c Mithra, Mithraism, Christmas Day & Yalda, nga K. E. Eduljee, faqet 31-33.
d Festë vjetore që mbahej më 14 dhe 15 adar, për të kujtuar shpëtimin e judenjve nga shfarosja në kohën e mbretëreshës Ester. Fjala purím, që nuk vjen nga hebraishtja, ka kuptimin «shorte». Festa e Purimit, ndryshe Festa e Shorteve, e mori emrin nga veprimi i Hamanit, i cili hodhi Purin (shortin), që të fiksonte datën kur do të vinte në jetë komplotin për shfarosjen e judenjve.—Estera 3:7; 9:26.