Çfarë ndodhi me Dëshmitarët e Jehovait gjatë Holokaustit?
Në Gjermani dhe në vendet e pushtuara nga nazistët jetonin rreth 35.000 Dëshmitarë të Jehovait, dhe gjatë Holokaustit vdiqën rreth 1.500 prej tyre. Jo për çdo rast dihet shkaku i vdekjes. Meqë kërkimet vazhdojnë, në të ardhmen mund të ketë shifra dhe hollësi të reja.
Si vdiqën?
Ekzekutime: Në Gjermani dhe në vendet e pushtuara nga nazistët u ekzekutuan gati 400 Dëshmitarë. Shumicës iu bë gjyq, u dënuan me vdekje dhe iu pre koka. Të tjerë i pushkatuan ose i varën pa gjyq.
Burgosje në kushte të tmerrshme: Në kampet e përqendrimit dhe në burgjet naziste vdiqën mbi 1.000 Dëshmitarë. Ata humbën jetën për shkak të punës së rëndë ose për shkak të torturave, të urisë, të të ftohtit, të sëmundjeve ose të mungesës së kujdesit të duhur mjekësor. Të tjerë vdiqën pak pasi u liruan në fund të Luftës II Botërore, për shkak të trajtimit çnjerëzor.
Shkaqe të tjera: Disa Dëshmitarë vdiqën në dhoma gazi, nga eksperimentet mjekësore ose injeksionet vdekjeprurëse.
Pse u përndoqën?
Dëshmitarët e Jehovait u përndoqën ngaqë jetuan në përputhje me mësimet e Biblës. Kur shteti nazist u kërkoi të bënin gjëra që Bibla i ndalon, ata nuk pranuan, por vendosën ‘t’i bindeshin Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve’. (Veprat 5:29) Shqyrto dy fusha në të cilat vendosën të vepronin kështu.
Asnjanësia në çështjet politike. Dëshmitarët e Jehovait që jetuan nën sundimin nazist, ishin asnjanës në çështjet politike, njësoj siç janë sot në çdo vend të botës. (Gjoni 18:36) Prandaj nuk pranuan
të futeshin në ushtri ose të bënin çfarëdolloj pune që lidhej me luftën.—Isaia 2:4; Mateu 26:52.
të votonin ose të futeshin në organizatat naziste.—Gjoni 17:16.
të nderonin flamurin nazist ose të thoshin «Hail Hitler!»—Mateu 23:10; 1 Korintasve 10:14.
Besimi. Edhe pse Dëshmitarëve të Jehovait iu ndalua të praktikonin besimin, ata vazhduan
të mblidheshin që të luteshin e të adhuronin Perëndinë.—Hebrenjve 10:24, 25.
të flitnin për mesazhin e Biblës dhe të shpërndanin literaturë biblike.—Mateu 28:19, 20.
t’u bënin të mira të afërmve, përfshirë edhe judenjtë.—Marku 12:31.
të mos hiqnin dorë nga besimi, duke mos firmosur dokumente ku u kërkohej të mohonin bindjet e tyre.—Marku 12:30.
Profesor Robert Garuarti arriti në përfundimin se Dëshmitarët e Jehovait ishin «i vetmi grup në Rajhun e Tretë që u përndoq vetëm për shkak të bindjeve fetare». a Të burgosurit e tjerë në kampet e përqendrimit i admironin Dëshmitarët e Jehovait për qëndrimin e palëkundur. Një i burgosur austriak vërejti: «Ata nuk shkojnë në luftë. Do të preferonin më mirë të vdisnin vetë, sesa të vrisnin ndonjë tjetër.»
Ku vdiqën?
Në kampe përqendrimi: Shumica e Dëshmitarëve të Jehovait vdiqën në kampe përqendrimi. I futën në kampe, si në Aushvic, Bukenvald, Dakau, Flosenbërg, Mathauzen, Nojengame, Niderhagen, Ravensbruk dhe Zaksenhauzen. Është konfirmuar se rreth 200 Dëshmitarë të Jehovait kanë vdekur vetëm në Zaksenhauzen.
Në burgje: Disa Dëshmitarë i torturuan në burg derisa vdiqën. Të tjerë vdiqën ngaqë i keqtrajtuan gjatë marrjes në pyetje.
Në vende ekzekutimi: Dëshmitarët e Jehovait u ekzekutuan kryesisht në burgjet e Plotzenzit në Berlin, të Brandenburgut dhe të Halle (Zale). Përveç tyre, ka prova edhe për rreth 70 vende të tjera ku janë ekzekutuar Dëshmitarë.
Disa të ekzekutuar
Emri: Helena Gotholti
Vendi i ekzekutimit: Plotzenzi (Berlin)
Helenën, bashkëshorte dhe mama të dy fëmijëve, e arrestuan disa herë. Në vitin 1937, kur ishte shtatzënë, e morën në pyetje dhe e keqtrajtuan aq shumë sa humbi fëmijën. Më 8 dhjetor 1944 i prenë kokën në gijotinë në burgun e Plotzenzit, Berlin.
Emri: Gerhart Liboldi
Vendi i ekzekutimit: Brandenburg
Gerhartit i prenë kokën më 6 maj 1943 kur ishte veçse 20 vjeç. Dy vjet më parë i kishin prerë kokën të atit në të njëjtin burg. Në letrën e lamtumirës drejtuar familjes dhe të fejuarës, ai shkroi: «Pa fuqinë e Zotërisë, s’do të ecja dot në këtë udhë.»
Emri: Rudolf Aushneri
Vendi i ekzekutimit: Halle (Zale)
Rudolfi ishte vetëm 17 vjeç kur i prenë kokën më 22 shtator 1944. Në letrën e tij të lamtumirës, i shkroi këto fjalë mamasë: «Mjaft vëllezër kanë ecur në këtë udhë, prandaj edhe unë do të veproj si ata.»
a Hitler’s Hangman: The Life of Heydrich, faqja 105.