Pse i kanë ndryshuar Dëshmitarët e Jehovait disa nga bindjet e tyre?
Ne kemi përdorur gjithmonë Biblën si autoritetin e vetëm për bindjet tona, ndaj i kemi ndrequr ato ndërkohë që na është qartësuar kuptueshmëria për Shkrimet. a
Ndryshime të tilla janë në përputhje me parimin biblik te Proverbat 4:18, që thotë: «Shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që ndriçon gjithnjë e më shumë, derisa bëhet ditë e plotë.» Ashtu si drita e diellit në agim që e përshkon peizazhin gradualisht, edhe Perëndia e jep kuptueshmërinë e të vërtetave hyjnore gradualisht, në kohën e duhur sipas tij. (1 Pjetrit 1:10-12) Siç e paratha Bibla, ai e ka përshpejtuar këtë proces gjatë ‘kohës së fundit’.—Danieli 12:4.
Këto ndryshime në kuptueshmëri as nuk duhet të na habitin, as nuk duhet të na shqetësojnë. Edhe adhuruesit e lashtë të Zotit kishin ide e pritshmëri të gabuara dhe duhej të ndreqnin pikëpamjen.
Moisiu u ofrua për të çliruar kombin e Izraelit 40 vjet para kohës së caktuar nga Perëndia.—Veprat 7:23-25, 30, 35.
Apostujt nuk e kuptuan profecinë që parathoshte vdekjen dhe ringjalljen e Mesisë.—Isaia 53:8-12; Mateu 16:21-23.
Disa të krishterë të hershëm kishin ide të gabuara për kohën kur do të vinte «dita e Jehovait».—2 Selanikasve 2:1, 2.
Më vonë Perëndia ua ndreqi kuptueshmërinë e gabuar dhe lutemi që të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë edhe me ne.—Jakovi 1:5.
a Nuk përpiqemi t’i fshehim këto ndryshime në kuptueshmërinë e Biblës. Faktikisht, i dokumentojmë e i botojmë. Për shembull, shih te Mjet kërkimesh: Dëshmitarët e Jehovait/Pikëpamjet dhe bindjet/Qartësimi i bindjeve tona, në pjesën e botimeve tona online.