Si stërviten Dëshmitarët e Jehovait për veprën e tyre të predikimit dhe të mësimdhënies?
Dëshmitarët e Jehovait marrin stërvitje të vazhdueshme për të gjitha aspektet e jetës si të krishterë, ku përfshihet edhe shërbimi ose vepra që bëjnë. Vetë Jezui i urdhëroi dishepujt e tij të kryenin këtë vepër, pra të predikonin dhe t’u mësonin njerëzve lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Stërvitjen për këtë e marrin në mbledhjet që mbajnë çdo javë dhe në kongreset e asambletë e përvitshme. Dëshmitarët e Jehovait që kanë përgjegjësi të caktuara në kongregacion ose në organizatë, marrin stërvitje të mëtejshme në disa shkolla të veçanta, ku trajtohen materiale të bazuara në Bibël.
Në këtë artikull
Çfarë stërvitjeje marrim ne si Dëshmitarë të Jehovait?
Mbledhjet e kongregacionit. Çdo javë mblidhemi në grupe të organizuara që quhen kongregacione, për të ndjekur dy mbledhje që mbahen në vendet tona të adhurimit, të cilat quhen Salla Mbretërie. Zakonisht njëra nga mbledhjet mbahet gjatë javës, kurse tjetra në fundjavë. Në to mund të marrë pjesë kushdo dhe nuk mblidhen para.
Mbledhja e mesjavës. Mësojmë si të përmirësojmë leximin, artin e bashkëbisedimit, aftësitë për të folur para një auditori dhe për të predikuar e mësuar të tjerët. Kjo stërvitje ofrohet nëpërmjet fjalimeve, diskutimeve, demonstrimeve dhe videove. Ajo na ndihmon të jemi më të efektshëm për të folur me të tjerët për mesazhin e Biblës dhe për të drejtuar kurse të Biblës me të interesuarit. Të gjithë ata që marrin pjesë në mbledhje nxjerrin dobi nga stërvitja që ofrohet. Ç’është më e rëndësishme, mbledhjet tona na forcojnë besimin te Perëndia dhe dashurinë për të dhe për bashkëbesimtarët.
Mbledhja e fundjavës. Kjo mbledhje me dy pjesë fillon me një fjalim nga Bibla, i menduar kryesisht për publikun e gjerë. Në pjesën e dytë bëhet një diskutim me pyetje e përgjigje rreth një artikulli në botimin për studim të Kullës së Rojës. a Artikujt shpjegojnë tema dhe parime të ndryshme nga Bibla, që na ndihmojnë si në shërbim, ashtu edhe në jetën e përditshme.
Asambletë dhe kongreset. Çdo vit marrim pjesë në tri grumbullime të mëdha, në të cilat mblidhen shumë kongregacione. Këto evente të gëzueshme përqendrohen te një temë specifike nga Bibla dhe përfshijnë fjalime, demonstrime, intervista dhe video. Njësoj si mbledhjet e kongregacionit, edhe asambletë e kongreset na shtojnë njohurinë për Biblën dhe na ndihmojnë të jemi mësues e predikues më të aftë të lajmit të mirë. Edhe këto evente janë të hapura për publikun dhe nuk mblidhen para.
Shkolla nga Bibla për Dëshmitarët e Jehovait
Për një stërvitje më të avancuar, disa Dëshmitarë të Jehovait ftohen të ndjekin shkolla të caktuara që bazohen në Bibël. Për cilat shkolla e kemi fjalën? Cili është qëllimi i tyre dhe sa zgjatin? Kush merr pjesë në to?
Shkolla e Shërbimit për Pionierë
Qëllimi: Të stërvitë Dëshmitarë të Jehovait që shërbejnë në kohë të plotë, të cilët quhen pionierë, b që të bëhen më të efektshëm në veprën e predikimit dhe të mësimdhënies. Ky kurs përfshin diskutime në klasë, demonstrime, fjalime dhe zbatime praktike.
Kohëzgjatja: Gjashtë ditë.
Pjesëmarrësit: Ata që kanë kryer vitin e parë si pionierë ftohen të ndjekin këtë shkollë. Mund të ftohen përsëri edhe ata që kanë vite në këtë formë shërbimi dhe që nuk e kanë ndjekur shkollën pesë vitet e fundit.
Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë
Qëllimi: T’u japë stërvitje të specializuar Dëshmitarëve me përvojë që shërbejnë në kohë të plotë. Studentët i zhvillojnë më tej aftësitë në predikim e mësimdhënie dhe studiojnë thellë tema nga Bibla. Shumë nga ata që mbarojnë këtë shkollë ftohen të shkojnë në zona ku ka më tepër nevojë për predikues.
Kohëzgjatja: Dy muaj.
Pjesëmarrësit: Pionierët mund të aplikojnë për ta ndjekur shkollën nëse plotësojnë disa kërkesa dhe kanë rrethanat për të shërbyer kudo ku të ketë nevojë.
Shkolla për Pleqtë e Kongregacionit
Qëllimi: T’i ndihmojë pleqtë c të kujdesen për përgjegjësitë e tyre në kongregacion, për shembull në lidhje me mësimdhënien dhe kujdesin për besimtarët, si edhe të thellojnë dashurinë që kanë për Perëndinë dhe bashkadhuruesit.—1 Pjetrit 5:2, 3.
Kohëzgjatja: Pesë ditë.
Pjesëmarrësit: Ftohen ta ndjekin ata që sapo janë emëruar si pleq kongregacioni, si edhe pleqtë me përvojë të cilët nuk e kanë ndjekur shkollën pesë vitet e fundit.
Shkolla për Mbikëqyrësit Qarkorë dhe Gratë e Tyre
Qëllimi: Të stërvitë shërbëtorët fetarë udhëtues, të cilët quhen mbikëqyrës qarkorë, d për t’i plotësuar në mënyrë më të efektshme përgjegjësitë e tyre. (1 Timoteut 5:17) Veç kësaj, programi i shkollës i ndihmon këta pleq dhe gratë e tyre ta kuptojnë më mirë Fjalën e Perëndisë.
Kohëzgjatja: Një muaj.
Pjesëmarrësit: Mbikëqyrësit e rinj qarkorë dhe gratë e tyre ftohen ta ndjekin shkollën një vit pas emërimit. Pastaj ftohen përsëri pak a shumë çdo pesë vjet.
Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë
Qëllimi: T’i ndihmojë pleqtë dhe shërbëtorët e kongregacionit e të kujdesen për përgjegjësitë e tyre në kongregacion duke marrë parasysh situatat, prirjet dhe nevojat aktuale. (2 Timoteut 3:1) Kjo shkollë mbahet një herë në ca vjet.
Kohëzgjatja: Varet, por në përgjithësi një ditë.
Pjesëmarrësit: Mbikëqyrësit qarkorë, pleqtë dhe shërbëtorët e kongregacionit.
Shkolla e Shërbimit në Bethel
Qëllimi: Të ndihmojë anëtarët e Bethelit f të kenë sukses në caktimin e tyre dhe të thellojnë dashurinë për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin.
Kohëzgjatja: Pesë ditë e gjysmë.
Pjesëmarrësit: Kërkohet të marrin pjesë anëtarët e rinj të Bethelit. Mund të ftohen përsëri edhe anëtarët që kanë vite në këtë lloj shërbimi, të cilët nuk e kanë bërë shkollën pesë vitet e fundit.
Shkolla Watchtower e Galadit
Qëllimi: T’u ngulitë studentëve çmueshmëri më të thellë për Fjalën e shkruar të Perëndisë dhe t’i ndihmojë të zbatojnë atë që mësojnë. (1 Selanikasve 2:13) Të krishterët e pjekur që ndjekin Galadin bëhen edhe më të çmuar për organizatën e Jehovait dhe për veprën mbarëbotërore të arsimimit nga Bibla. Disa nga ata që mbarojnë këtë shkollë mund të caktohen në një zyrë dege, në vendin e tyre ose jashtë shtetit. Të tjerë mund të caktohen të shërbejnë në një formë shërbimi special ose si misionarë, në vendin e tyre a në një vend tjetër.
Kohëzgjatja: Pesë muaj.
Pjesëmarrësit: Zyrat e degëve ftojnë që të aplikojnë disa shërbëtorë fetarë në kohë të plotë. Shkolla mbahet në Shtetet e Bashkuara, në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork.
Shkolla për Anëtarët e Komiteteve të Degëve dhe Gratë e tyre
Qëllimi: Të stërvitë anëtarët e Komitetit të Degës g për të mbikëqyrur veprën që kryhet në një zyrë dege dhe aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait në shtetin ose në shtetet që i janë caktuar degës së tyre.
Kohëzgjatja: Dy muaj.
Pjesëmarrësit: Selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait fton disa anëtarë të komiteteve të degëve dhe gratë e tyre për të ndjekur shkollën, e cila mbahet në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork.
Ku bazohet stërvitja që u sigurohet Dëshmitarëve të Jehovait?
Bibla është gjithmonë libri kryesor ku bazohet stërvitja që marrim ne si Dëshmitarë të Jehovait. Ne besojmë se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia dhe se përmban drejtimin më të mirë për çdo aspekt të jetës.—2 Timoteut 3:16, 17.
A duhet të paguajnë Dëshmitarët e Jehovait për stërvitjen që marrin?
Jo. Kjo stërvitje ofrohet falas. Aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait mbështeten nga dhurimet vullnetare.—2 Korintasve 9:7.
a Bibla dhe mjetet ndihmëse për studimin e Biblës, ku përfshihen videot, disponohen në sitin tonë jw.org.
b Një pionier është një Dëshmitar i pagëzuar shembullor, mashkull ose femër, i cili dëshiron të kalojë një numër të caktuar orësh çdo muaj duke u folur të tjerëve për mesazhin e Biblës.
c Pleqtë janë burra të krishterë të pjekur që i mësojnë të tjerët nga Shkrimet dhe që kujdesen për shërbëtorët e Perëndisë duke i ndihmuar dhe duke u dhënë zemër. Ata nuk paguhen për punën që bëjnë.
d Një mbikëqyrës qarkor është një shërbëtor fetar që shërben në kohë të plotë, i cili viziton çdo javë një kongregacion të ndryshëm nga qarku ose zona që i është caktuar. Ai u jep zemër Dëshmitarëve në kongregacion me anë të fjalimeve të bazuara në Bibël dhe duke u shoqëruar me ta në shërbim.
e Shërbëtorët e kongregacionit kryejnë punë të ndryshme praktike për vëllezërit dhe motrat e tyre në besim. Kështu u japin mundësi pleqve t’i kushtojnë më tepër kohë mësimdhënies dhe kujdesit për bashkadhuruesit.
f Bethel quhet çdo zyrë dege e Dëshmitarëve të Jehovait. Shërbëtorët në kohë të plotë që shërbejnë atje, mbështetin veprimtaritë e Dëshmitarëve në territorin e degës vendëse.
g Një Komitet Dege përbëhet nga tre ose më shumë burra të pjekur.