Kalo te përmbajtja

A janë kundër vaksinimit Dëshmitarët e Jehovait?

A janë kundër vaksinimit Dëshmitarët e Jehovait?

 Jo. Dëshmitarët e Jehovait nuk janë kundër vaksinimit. Për ne, vaksinimi është çështje personale, për të cilën çdo i krishterë duhet të vendosë vetë. Shumë Dëshmitarë të Jehovait zgjedhin të vaksinohen.

 Ne kërkojmë kujdesin më të mirë shëndetësor dhe i vlerësojmë përparimet e shumta të shkencës së mjekësisë që ulin rrezikun e sëmundjeve serioze. Jemi mirënjohës për përkushtimin dhe për tërë punën e palodhur të profesionistëve të shëndetësisë, sidomos në kohë krizash!

 Dëshmitarët e Jehovait bashkëpunojnë me autoritetet e shëndetit publik. Për shembull, që kur shpërtheu pandemia COVID-19, Dëshmitarët e Jehovait kanë publikuar vazhdimisht materiale në qindra gjuhë në këtë sit, duke i nxitur njerëzit të respektojnë masat parandaluese të vendit. Në to kanë theksuar sa e rëndësishme është të ruhet distancimi fizik dhe të zbatohen rregullat e vendosura për grumbullimet publike, karantinimin, larjen e duarve dhe mbajtjen e maskave, si edhe të respektohen masat e tjera praktike që kërkojnë ose rekomandojnë autoritetet vendëse.—Romakëve 13:1, 2.

 Për dekada me radhë, botimet e Dëshmitarëve të Jehovait kanë theksuar këto parime:

  •   Vendimet për shëndetin janë çështje personale.—Galatasve 6:5.

     «[Kjo revistë] nuk rekomandon ndonjë lloj të veçantë mjekimi ose terapie dhe nuk ofron këshilla mjekësore. Synimi i saj është që thjesht të paraqesë fakte, duke ia lënë në dorë lexuesit të gjykojë situatën e tij dhe të marrë vendime.»—Zgjohuni!, 8 shkurt 1987.

     «Nëse ju ose fëmijët tuaj duhet të vaksinoheni apo jo, është një çështje për të cilën duhet të vendosni ju vetë.»—Zgjohuni!, 22 gusht 1965.

  •   Ne kërkojmë trajtim mjekësor, sepse e çmojmë jashtë mase jetën.—Veprat 17:28.

     «Dëshmitarët u drejtohen profesionistëve të mjekësisë kur kanë probleme shëndetësore. E duan jetën dhe dëshirojnë të bëjnë gjithçka që është e arsyeshme dhe në përputhje me Biblën për të jetuar sa më gjatë.»—Kulla e Rojës, 1 korrik 1975.

     «Dëshmitarët e Jehovait pranojnë me kënaqësi mjekime dhe trajtim mjekësor. Ata duan të kenë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë. Në fakt, ashtu si një i krishterë në shekullin e parë me emrin Luka, disa Dëshmitarë të Jehovait janë mjekë. . . . Pa dyshim që Dëshmitarët e Jehovait e çmojnë punën e palodhur dhe përkushtimin e atyre që sigurojnë kujdes mjekësor. Gjithashtu janë mirënjohës për lehtësimin e dëshiruar nga sëmundja që këta individë japin.»—Kulla e Rojës, 1 shkurt 2011.