Çfarë mendojnë Dëshmitarët e Jehovait për shkencën?
Ne i respektojmë arritjet e shkencës dhe besojmë në zbulimet shkencore që mbështeten në prova.
Sipas një fjalori «shkenca është studimi i natyrës, i sjelljes së botës së gjallë dhe njohuria që fitojmë për to». (Collins Cobuild Advanced Learner’s English Dictionary) Edhe pse Bibla nuk është libër shkencor, ajo i nxit njerëzit të studiojnë botën fizike dhe të nxjerrin dobi nga zbulimet shkencore të të tjerëve. Shqyrto disa shembuj:
Astronomi: «Ngrini sytë lart dhe shikoni. Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e yjeve të llogaritur me numër dhe e thërret secilin me emër.»—Isaia 40:26.
Biologji: Solomoni «foli për pemët, që nga cedri i Libanit deri te hisopi i mureve. Foli për kafshët, për krijesat që fluturojnë në qiell dhe për ato që lëvizin në tokë, si edhe për peshqit».—1 Mbretërve 4:33.
Mjekësi: «Njerëzit e shëndetshëm nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët po.»—Luka 5:31.
Meteorologji: «Mos vallë ke hyrë në depot e borës? Mos vallë i sheh depot e breshrit . . . ? Nga cila udhë . . . shpërndahet era e lindjes në mbarë dheun?»—Jobi 38:22-24.
Botimet tona ushqejnë respekt për shkencën nëpërmjet artikujve që flasin për natyrën dhe për arritjet shkencore. Prindërit Dëshmitarë i nxitin fëmijët të marrin një arsimim bazë që të kuptojnë më mirë botën që i rrethon. Disa Dëshmitarë të Jehovait janë specialistë në fusha të ndryshme shkencore, si biokimi, matematikë dhe fizikë.
Kufizimet e shkencës
Ne nuk besojmë se shkenca u jep përgjigje të gjitha pyetjeve të njerëzve. a Për shembull, gjeologët analizojnë se nga çfarë është bërë toka ndërsa biologët që studiojnë trupin e njeriut, shqyrtojnë si funksionon ai. Por, pse toka është kaq e mirëprojektuar për t’u banuar dhe pse pjesët e trupit funksionojnë në mënyrë kaq të harmonishme?
Kemi arritur në përfundimin se vetëm Bibla jep përgjigje të kënaqshme për këto pyetje. (Psalmi 139:13-16; Isaia 45:18) Ja pse besojmë se një arsimim i mirë përfshin njohuri si nga shkenca, edhe nga Bibla.
Ndonjëherë duket sikur shkenca bie në kundërshtim me Biblën. Megjithatë, këto kontradikta në dukje i kanë rrënjët tek idetë e gabuara për atë çfarë mëson vërtet Bibla. Për shembull, ajo nuk thotë se toka u krijua për gjashtë ditë 24-orëshe.—Zanafilla 1:1; 2:4.
Disa teori që njihen gjerësisht si shkencore nuk mbështeten në prova të mjaftueshme dhe janë hedhur poshtë nga shkencëtarë goxha të respektuar. Për shembull, meqë bota fizike është pasqyrë e një projekti inteligjent, jemi në një mendje me shumë biologë, kimistë dhe të tjerë që kanë arritur në përfundimin se qeniet e gjalla nuk evoluan përmes një procesi mutacionesh të rastësishme dhe përzgjedhjes natyrore.
a Ervin Shrëdingeri, fizikan austriak dhe fitues i çmimit Nobel, shkroi se shkenca «nuk thotë as edhe një fjalë për gjithçka . . . që kemi në zemër e që na intereson vërtet». Kurse Albert Ajnshtajni pohoi: «Nga përvoja e hidhur kemi mësuar se të menduarit racional nuk mjafton për të zgjidhur problemet në jetë.»