A janë Dëshmitarët e Jehovait sionistë?
Jo. Dëshmitarët e Jehovait janë të krishterë që i bazojnë bindjet e tyre në Shkrimet e Shenjta. Edhe pse disa fe mësojnë se grumbullimi i judenjve në Palestinë lidhet me profecitë e Shkrimeve, Dëshmitarët e Jehovait nuk e besojnë këtë pikëpamje. Ata nuk besojnë se ky zhvillim politik është parathënë konkretisht në Shkrime. Në fakt, Shkrimet nuk përkrahin asnjë qeveri njerëzore dhe nuk lartësojnë asnjë grup etnik a popull mbi një tjetër. Kulla e Rojës, revista zyrtare e Dëshmitarëve të Jehovait, në mënyrë të qartë ka deklaruar: «Nuk ka asgjë në Shkrime që mbështet sionizmin politik.»
Një enciklopedi e përkufizon sionizmin si «lëvizje nacionaliste judaike që ka pasur për qëllim të krijojë dhe të përkrahë në Palestinë një shtet të përbërë nga judenj». (Encyclopædia Britannica) Në thelb është lëvizje fetare dhe politike. Dëshmitarët e Jehovait nuk e përkrahin sionizmin si doktrinë fetare dhe janë krejtësisht asnjanës ndaj sionizmit politik.
Organizata e Dëshmitarëve të Jehovait është krejtësisht fetare dhe nuk përkrah asnjë organizim politik, ku përfshihet edhe lëvizja sioniste. Asnjanësia politike e Dëshmitarëve të Jehovait është e dokumentuar më së miri dhe në disa vende Dëshmitarët kanë vuajtur nga përndjekja e ashpër vetëm sepse donin të ruanin asnjanësinë. Jemi të bindur se vetëm Mbretëria qiellore e Perëndisë do të sjellë paqe të përhershme në tokë, jo ndonjë qeveri ose lëvizje njerëzore.
Dëshmitarët e Jehovait, kudo ku banojnë, u binden ligjeve të qeverive dhe ky është një ndër parimet bazë të besimit të tyre. Ata nuk ngrihen kundër autoriteteve qeveritare dhe as nuk marrin pjesë në konflikte të armatosura.