Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk pranojnë me respekt të marrin pjesë në ceremoni kombëtare?
Dëshmitarët e Jehovait i respektojnë qeveritë dhe simbolet kombëtare. Ne e pranojmë faktin se të tjerët mund të zgjedhin të bëjnë betimin para flamurit, të përshëndetin flamurin ose të këndojnë himnin kombëtar.
Sidoqoftë, Dëshmitarët e Jehovait zgjedhin të mos marrin pjesë në këto ceremoni, sepse besojnë se kjo bie ndesh me mësimet e Biblës. E çmojmë shumë kur të tjerët i respektojnë bindjet tona njëlloj siç i respektojmë ne ata që bëjnë një zgjedhje ndryshe nga jona.
Në këtë artikull
Cilat mësime të Biblës na drejtojnë në këtë çështje?
Këto dy mësime kyç nga Bibla ndikojnë te zgjedhja që bëjmë:
Vetëm Perëndia e meriton adhurimin tonë. Bibla thotë: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.» (Luka 4:8) Betimet para flamurit dhe himnet kombëtare shpesh përmbajnë shprehje ku premtohet përkushtimi ndaj një shteti mbi çdo gjë tjetër. Ndaj, Dëshmitarëve të Jehovait nuk ua lejon ndërgjegjja që të marrin pjesë në ceremoni të tilla.
Dëshmitarët e Jehovait, po ashtu, mendojnë se të përshëndetësh flamurin është një akt adhurimi, ose idhujtari, që Bibla e ndalon. (1 Korintasve 10:14) Disa historianë e pranojnë se, në të vërtetë, flamujt kombëtarë janë simbole fetare. «Simboli kryesor i besimit dhe objekti qendror i adhurimit në nacionalizëm është flamuri»,—shkroi historiani Karlton J. H. Hejz. a Në lidhje me të krishterët e hershëm, autori Daniel P. Maniks vërejti: «Të krishterët nuk pranonin të . . . bënin flijime për frymën mbrojtëse të perandorit [romak], që sot është thuajse njëlloj si të mos pranosh të përshëndetësh flamurin.» b
Ne si Dëshmitarë të Jehovait nuk e përshëndetim flamurin, por nga ana tjetër as e vandalizojmë, as e djegim, e nuk tregojmë në asnjë mënyrë tjetër mungesë respekti për të e për simbole të tjera kombëtare.
Të gjithë njerëzit janë të barabartë para Perëndisë. (Veprat 10:34, 35) Bibla thotë se «nga një njeri i vetëm, [Perëndia] bëri të gjitha kombet». (Veprat 17:26) Për këtë arsye, Dëshmitarët e Jehovait besojnë se do të ishte e gabuar të lëvdonin ndonjë grup etnik a kombësi mbi një tjetër. Ne i nderojmë të gjithë njerëzit, ngado ta kenë prejardhjen e kudo ta kenë vendbanimin.—1 Pjetrit 2:17.
Si veprojmë kur pjesëmarrja në një ceremoni kërkohet me ligj?
Dëshmitarët e Jehovait nuk janë anti-qeveritarë. Ne besojmë se qeveritë janë pjesë e «rregullit të Perëndisë» dhe Ai i ka lejuar të ekzistojnë. (Romakëve 13:1-7) Po ashtu, besojmë se të krishterët duhet t’u binden autoriteteve qeveritare.—Luka 20:25.
Po nëse ka një konflikt mes ligjeve të qeverisë dhe atyre të Perëndisë? Në disa raste, ekziston mundësia t’i paraqitet një kërkesë formale qeverisë për të bërë një ndryshim në ligj. c Kur është e pamundur të bëhen ndryshime në ligj, Dëshmitarët e Jehovait me respekt zgjedhin ‘t’i binden Perëndisë si sovran, dhe jo njerëzve’.—Veprat 5:29.
A është kjo një përpjekje e Dëshmitarëve të Jehovait për të marrë ndonjë anë sociale a politike?
Jo. Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin asnjë krah në çështjet sociale dhe politike. Nuk betohemi para flamurit, nuk e përshëndetim flamurin dhe nuk e këndojmë himnin kombëtar, jo ngaqë jemi aktivistë politikë, por ngaqë u përmbahemi bindjeve tona të bazuara në Bibël lidhur me këto ceremoni.
a Essays on Nationalism, faqet 107-108.
b The Way of the Gladiator, faqja 212.
c Për shembull, shih artikullin «Guximi për të vepruar sipas ndërgjegjes krijoi një precedent në Gjykatën e Lartë 75 vjet më parë».