Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë Pashkët?
Ide të gabuara e të zakonshme
E rreme: Arsyeja pse Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë Pashkët është se nuk janë të krishterë.
E vërtetë: Ne besojmë se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe bëjmë çmos ‘t’i ndjekim me kujdes gjurmët e tij’.—1 Pjetrit 2:21; Luka 2:11.
E rreme: Ju nuk besoni se Jezui u ngrit nga të vdekurit.
E vërtetë: Ne e besojmë ringjalljen e Jezuit; e pranojmë si thelbësore për besimin e krishterë dhe është pjesë e rëndësishme e predikimit tonë.—1 Korintasve 15:3, 4, 12-15.
E rreme: Ju nuk doni t’ia dini që fëmijët tuaj e humbasin festën e gëzuar të Pashkëve.
E vërtetë: Ne i duam fëmijët tanë; nuk kursehemi për t’i stërvitur e ndihmuar që të jenë të lumtur.—Titit 2:4.
Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë Pashkët?
Festimi i Pashkëve nuk bazohet në Bibël.
Jezui urdhëroi që të përkujtojmë vdekjen e tij, jo ringjalljen. E mbajmë çdo vit këtë Përkujtim në përvjetorin e vdekjes së tij sipas kalendarit hënor biblik.—Luka 22:19, 20.
Ne besojmë se origjina e zakoneve të Pashkëve, të cilat vijnë nga rite të lashta të pjellorisë, i bën Pashkët të papranueshme për Perëndinë. Perëndia kërkon ‘t’i përkushtohemi vetëm atij’ dhe fyhet nga adhurimi që përfshin praktika të pamiratuara nga ai.—Dalja 20:5; 1 Mbretërve 18:21.
Besojmë se vendimi ynë për të mos i festuar Pashkët ka baza të forta në Bibël, e cila na nxit të përdorim «mençurinë dhe aftësinë për të menduar», në vend se thjesht të ndjekim traditat njerëzore. (Proverbat 3:21; Mateu 15:3) Kur na pyesin, u tregojmë të tjerëve bindjet tona për Pashkët, megjithatë e respektojmë të drejtën e çdo individi për të vendosur vetë se ç’do të bëjë.—1 Pjetrit 3:15.