Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk shkojnë në luftë?
Dëshmitarët e Jehovait nuk shkojnë në luftë për këto arsye:
I binden Perëndisë. Bibla thotë se shërbëtorët e Perëndisë ‘do t’i farkëtonin shpatat duke i kthyer në plore dhe nuk do të mësonin më luftën’.—Isaia 2:4.
I binden Jezuit. Jezui i tha apostullit Pjetër: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.» (Mateu 26:52) Me këto fjalë Jezui tregoi se dishepujt e tij nuk do të rroknin armët për të luftuar.
Dishepujt e Jezuit i binden urdhrit të tij ‘për të mos qenë pjesë e botës’ duke qëndruar plotësisht asnjanës në çështjet politike. (Gjoni 17:16) Nuk protestojnë kundër veprimeve ushtarake dhe as ndërhyjnë në punët e atyre që zgjedhin të shërbejnë në forcat e armatosura.
I duan të tjerët. Jezui i urdhëroi dishepujt ‘ta donin njëri-tjetrin’. (Gjoni 13:34, 35) Kështu, ata do të formonin një vëllazëri ndërkombëtare ku asnjëri s’do të luftonte kurrë kundër vëllait ose motrës së tij.—1 Gjonit 3:10-12.
Shembulli i të krishterëve të hershëm. Enciklopedia e fesë dhe e luftës (anglisht) thotë: «Dishepujt e hershëm të Jezuit nuk e pranonin luftën a shërbimin ushtarak», duke i konsideruar këto si «të papajtueshme me etikën e dashurisë së Jezuit dhe urdhrin për të dashur armiqtë». Po ashtu, teologu gjerman Peter Majnholdi tha për dishepujt e hershëm të Jezuit: «Për ta ishte e papajtueshme të ishe njëkohësisht i krishterë dhe ushtar.»
Pjesëtarë të dobishëm të komunitetit
Dëshmitarët e Jehovait janë pjesëtarë të dobishëm të shoqërisë dhe nuk përbëjnë aspak kërcënim për sigurinë e vendeve ku jetojnë. Ne e respektojmë autoritetin qeverisës, në harmoni me këto urdhërime të Biblës:
‘Jini të nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta.’—Romakëve 13:1.
«Paguajini pra, Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.»—Mateu 22:21.
Kështu, ne i bindemi ligjit, paguajmë taksat dhe bashkëpunojmë me përpjekjet që bën qeveria në dobi të mirëqenies publike.