A i shmangin Dëshmitarët e Jehovait ata që dikur ishin Dëshmitarë?
Ne nuk i shmangim personat e pagëzuar si Dëshmitarë të Jehovait, që tani nuk predikojnë më dhe që ndoshta as shoqërohen më me bashkëbesimtarët e tyre. Në fakt, kontaktojmë me ta dhe përpiqemi të ndezim rishtas interesin e tyre për Perëndinë.
Nuk e përjashtojmë automatikisht dikë që kryen një mëkat të rëndë. Megjithatë, e shmangim ose e përjashtojmë një Dëshmitar të pagëzuar nëse ai apo ajo e bën zakon të shkelë kodin moral të Biblës dhe nuk pendohet. Bibla e thotë qartë: «Hiqeni të ligun nga mesi juaj.»—1 Korintasve 5:13.
Po nëse një burrë përjashtohet, por gruaja dhe fëmijët e tij janë ende Dëshmitarë të Jehovait? Lidhjet e tij fetare me familjen ndryshojnë, por lidhja e gjakut mbetet. Marrëdhënia martesore vazhdon e po kështu edhe marrëdhëniet dhe ndjenjat normale familjare.
Individët e përjashtuar mund të ndjekin mbledhjet tona fetare. Nëse dëshirojnë, mund të marrin edhe këshilla frymore nga pleqtë e kongregacionit. Synimi është që të ndihmojmë çdo individ të kualifikohet përsëri për të qenë Dëshmitar i Jehovait. Të përjashtuarit që e braktisin sjelljen e papërshtatshme dhe shfaqin dëshirë të sinqertë për të jetuar sipas normave biblike, janë gjithnjë të mirëpritur të bëhen sërish Dëshmitarë të Jehovait.