Kalo te përmbajtja

Lart majtas: letra e ministres së arsimit e datës 15 mars 2023. Poshtë: disa nxënës Dëshmitarë që ishin përjashtuar nga shkolla dhe prindërit e tyre

1 MAJ 2023
RUANDË

Ministria e Arsimit në Ruandë mbron lirinë fetare të nxënësve

Ministria e Arsimit në Ruandë mbron lirinë fetare të nxënësve

Më 15 mars 2023, ministrja e arsimit në Ruandë urdhëroi shkollat anembanë vendit që të ripranonin nxënësit Dëshmitarë të Jehovait, të cilët i kishin përjashtuar ngaqë nuk pranonin të merrnin pjesë në zakone fetare që binin ndesh me ndërgjegjen e tyre. Të paktën 80 nxënës ishin përjashtuar nga shkolla.

Ministrja e arsimit u dërgoi letra kryebashkiakëve dhe autoriteteve nëpër shkolla në mbarë Ruandën ku u kërkonte që t’u jepnin fund përjashtimeve. Duke iu referuar Kushtetutës së Republikës së Ruandës, ajo u shpreh: «Çdo qytetar i Ruandës ka të drejtën e arsimimit. Liria e mendimit, e ndërgjegjes, e fesë, e adhurimit dhe e shfaqjes së bindjeve në publik mbrohet nga shteti.» Gjithashtu shkroi se kushdo që e pengon një fëmijë të shkojë në shkollë «kryen padrejtësi dhe do të marrë dënimin e merituar». Ajo u rikujtoi autoriteteve të shkollave se «asnjë nxënës nuk duhet të përjashtohet nga shkolla për shkak të ideve, të ndërgjegjes, të fesë ose të adhurimit . . . Prandaj autoritetet shkollore duhet ta ndalojnë menjëherë një praktikë të tillë të gabuar dhe të pranojnë në shkollë nxënësit e përjashtuar.»

Ndër nxënësit e përjashtuar ishte edhe motra Zhanetë Nijonkuru. Ajo shpjegon: «Kur më përjashtuan, ngela 1 vit pa shkollë. Më në fund gjeta një shkollë që më pranoi, por më duhej të ecja 2 orë çdo ditë që të ndiqja mësimin.» Kurse disa të tjerë u detyruan ta ndërpritnin shkollën në pamundësi për të përshkuar distanca të largëta.

Tre fëmijët e çiftit Hakizimana u përjashtuan ngaqë nuk pranuan të merrnin pjesë në aktivitete fetare që organizonte shkolla. Vëlla Hakizimana thotë: «I dërguam një letër një prej autoriteteve të shkollës, por s’morëm asnjë përgjigje. Madje organizuam një mbledhje me drejtorin e shkollës. Ai dëgjoi fëmijët ndërsa i shpjegonin bindjet e tyre duke përdorur Biblën, por sërish çështja nuk u zgjidh. U gëzuam pa masë kur morëm vesh për vendimin e ministres. Më pas takuam autoritetet e shkollës dhe fëmijët i ripranuan në shkollë.»

I jemi mirënjohës ministres së arsimit që dha këtë drejtim, i cili mbron të drejtat e nxënësve në Ruandë. Të rinjtë tanë kanë mbajtur «një ndërgjegje të mirë» duke i sjellë lavdi emrit të Jehovait.—1 Pjetrit 3:16.