Kalo te përmbajtja

2 KORRIK 2015
RUANDË

Gjykata në Ruandë vendos kundër diskriminimit fetar

Gjykata në Ruandë vendos kundër diskriminimit fetar

Një gjykatë në krahinën Karongi të Ruandës mbrojti të drejtën e lirisë së fesë të tetë nxënësve që janë Dëshmitarë të Jehovait. Çështja u ngrit ngaqë ata nuk pranuan të merrnin pjesë në orë mësimore fetare për arsye ndërgjegjeje.

Shumica e shkollave në Ruandë janë të lidhura me organizata fetare. Disa nga këto shkolla u kërkojnë nxënësve të marrin pjesë në shërbesat e tyre fetare dhe të paguajnë taksat e kishës. Nxënësit që janë Dëshmitarë të Jehovait nuk pranuan, prandaj autoritetet e shkollave përjashtuan 160 nxënës nga viti 2008 deri në vitin 2014. Ndonëse ky problem mbarëkombëtar vazhdon ende, rasti në Karongi, në Provincën Perëndimore, tregon se autoritetet ruandeze mund ta luftojnë me sukses diskriminimin fetar.

Diskriminimi fetar nxit përjashtimin nga shkolla

Më 12 maj 2014 autoritetet e shkollës Groupe Scolaire Musango në Karongi përjashtuan tetë nxënës Dëshmitarë, 13 deri në 20 vjeç, * ngaqë nuk pranuan të merrnin pjesë në një shërbesë fetare. Kur u përjashtuan, prindërit e tyre u ankuan te sekretari ekzekutiv i sektorit të Ruankubës, i cili urdhëroi që nxënësit Dëshmitarë të pranoheshin sërish. Autoriteteve të shkollës s’u pëlqeu ky vendim, prandaj i ndryshuan taktikat dhe i akuzuan nxënësit se kishin treguar mungesë respekti për himnin kombëtar ngaqë nuk kishin pranuar ta këndonin. Më 4 qershor 2014, vetëm dy ditë pasi nxënësit u pranuan, në shkollë erdhi policia dhe i arrestoi.

Policia i mbajti gjashtë ditë në burg nxënësit. Policët i kërcënuan dhe ushtruan dhunë verbale ndaj tyre. Dy nxënësit më të mëdhenj i rrahën ngaqë, sipas tyre, kishin ndikuar te më të vegjlit. Ndonëse u keqtrajtuan, të tetë nxënësit nuk pranuan të bënin kompromis me bindjet e tyre fetare.

Gjykata i shpall të pafajshëm

Më 9 qershor 2014 policia i la të lirë shtatë nxënës dhe prokurori i tërhoqi akuzat ndaj nxënësit më të vogël. Gjithsesi, më të madhin policia e mbajti në burg edhe për nëntë ditë të tjera. Më tej gjykatësi urdhëroi që ai të lihej i lirë nën mbikëqyrje gjyqësore deri në seancën që do të zhvillohej më 14 tetor 2014.

Gjatë seancës, gjykatësi mori në pyetje secilin nxënës. Njëri prej tyre, duke folur në emër të të gjithëve, i shpjegoi gjykatësit arsyen e vërtetë pse ishin përjashtuar nga shkolla: ata u përjashtuan ngaqë nuk pranuan të paguanin taksat e kishës e të merrnin pjesë në shërbesat fetare në shkollë, jo ngaqë nuk pranuan të këndonin himnin kombëtar.

Më pas gjykatësi i kërkoi prokurorit të paraqiste prova të tjera për të vërtetuar akuzën e «mosrespektimit të himnit kombëtar». Kur prokurori këmbënguli që nxënësit të tregonin më tepër hollësi, ata provuan se nuk ishte aspak e vërtetë që s’kishin treguar respekt kur të tjerët kënduan himnin kombëtar.

Në vendimin e datës 28 nëntor 2014, Gjykata e Ndërmjetme në Karongi shkruante se të mos këndosh himnin kombëtar «nuk duhet konsideruar si akt përdhosjeje ose mosrespektimi». Vendimi i gjykatës mbrojti ligjin, shfajësoi fëmijët nga akuzat dhe mund të jetë një kontribut për t’i dhënë fund diskriminimit fetar në shkollat e Ruandës.

Thirrje për të respektuar të drejtat themelore

Dëshmitarët e Jehovait në Ruandë janë mirënjohës që çështja e nxënësve të shkollës Groupe Scolaire Musango përfundoi kaq pozitivisht. Megjithatë, në raste të tjera, fëmijët Dëshmitarë të përjashtuar nga shkolla për shkak të bindjeve fetare, nuk mund të bëjnë gjë tjetër, veçse të ndryshojnë shkollë. Disa fëmijë detyrohen ta ndërpresin shkollën, sepse alternativa e vetme është shkolla private, të cilën nuk mund ta përballojnë nga ana ekonomike.

Prindërit Dëshmitarë duan për fëmijët e tyre të njëjtën gjë si çdo prind tjetër. Ata duan që fëmijët e tyre të zhvillojnë aftësi që u duhen në jetë, si edhe të bëhen pjesëtarë të dobishëm të shoqërisë. Dëshmitarët e Jehovait shpresojnë që ky vendim pozitiv i gjykatës në Karongi t’i nxitë të gjitha shkollat ruandeze të respektojnë të drejtën e fëmijëve për lirinë e ndërgjegjes e të fesë.

^ par. 5 Në Ruandë, mosha e pjekurisë është 21 vjeç (Neni 360 i Kodit Civil).