Kalo te përmbajtja

Fotografi me të pranishmit në kongres. Përballë tyre ishte tabela me fjalët «Shpatat shndërrohen në plore»

27 SHTATOR 2021
RUMANI

75-vjetori i Kongresit të parë Kombëtar në Rumani

75-vjetori i Kongresit të parë Kombëtar në Rumani

Më 28 shtator 2021 bëhen plot 75 vjet që kur Dëshmitarët e Jehovait mbajtën kongresin e parë kombëtar në Rumani. Ky kongres u organizua kur shtetet po rimëkëmbeshin pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë një periudhe përndjekjeje të egër. Pavarësisht nga përpjekjet e kundërshtarëve për ta penguar, vëllezërit e motrat e ndoqën kongresin dhe u kënaqën jashtë mase.

Nga e majta: një fizarmonikë që u përdor në orkestrën e kongresit, një çantë predikimi dhe distinktivë që përdorën të pranishmit

Ky kongres u mbajt më 28 dhe 29 shtator 1946, në Roman Arenas në Bukuresht. Vëllezërit prenotuan një tren që të transportonte një pjesë të delegatëve për në kongres. Mirëpo, për të penguar udhëtimin, kleri i pushtetshëm ortodoks mori masa që treni të bënte ndalesa të paprogramuara, që të vononte mbërritjen e tij.

Vëllezërit që ishin tashmë në qytetin ku u mbajt kongresi, filluan të mblidheshin në stacion të premten në orën 9.00 paradite, një ditë para kongresit, duke pritur trenin që, sipas programit, duhej të mbërrinte një orë më vonë, në 10.00. Ata nuk u shkurajuan ngaqë treni po vonohej, por pritën me durim deri në 6.00 të pasdites kur më në fund treni mbërriti në stacion.

Lufta kishte shkatërruar qindra shtëpi, prandaj kishte fare pak vende për të strehuar vëllezërit. Në një rast, vëllezërit blenë kashtë dhe e shtruan në oborrin e një vëllai që jetonte afër vendit ku u mbajt kongresi. Moti ishte i ngrohtë, ndaj familjet mund të flinin rehat nën qiellin me yje.

Në programin e së shtunës paradite ishin rreth 3.400 të pranishëm. Ata u njoftuan se Kulla e Rojës do të botohej sërish në rumanisht dhe hungarisht 2 herë në muaj. Gjatë kongresit, vëllezërit u shpërndanë të pranishmëve rreth 1.000 kopje të botimit të parë. Për njëfarë kohe, revista përmbante edhe artikuj studimi shtesë, që vëllezërit të kishin edhe informacionin që kishin humbur gjatë periudhës së luftës.

Më vonë gjatë kongresit erdhën edhe shumë të tjerë, dhe fjalimin publik të dielën e ndoqën rreth 15.000 veta. Ndër të pranishmit ishin edhe qeveritarë të Rumanisë, policë dhe priftërinj ortodoksë me veshjet e tyre zyrtare. Vëllezërit morën vesh se kleri kishte organizuar që pranë vendit të kongresit të vendoseshin disa fuçi me benzinë që të shpërthenin gjatë programit. Por, në bashkëpunim me autoritetet, arritën t’ua prishnin planin.

Gjatë programit, një nga priftërinjtë u përpoq të hipte në podium, por vëllezërit nuk e lejuan. Një vëlla i tha priftit: «Nuk ka nevojë që një prift ortodoks të drejtojë këtë asamble, por je i mirëpritur të ulesh e të dëgjosh.» Prifti nuk u përpoq më të prishte programin. Më vonë, prokurori i përgjithshëm i Rumanisë i lavdëroi vëllezërit e motrat që kishin organizuar një kongres kaq të rregullt.

Vëllai 96 vjeçar, Vasili Sabadai, i cili mori pjesë në atë kongres, shpjegoi se pavarësisht nga kërcënimet, vëllezërit nuk u frikësuan. Ai tha: «S’mbaj mend të kem pasur frikë. Nuk na trembte asgjë. Vëllezërit ishin mësuar me përndjekjen. S’ua bënte syri tërr.»

Gjithashtu u shpreh se ai kongres forcoi unitetin mes popullit të Jehovait në Rumani. Shumë veta kishin studiuar Biblën dhe ishin pagëzuar gjatë luftës. Ngaqë ishin të rinj në të vërtetën, disa u përçanë ngaqë kishin pikëpamjen e tyre për luftën. Por, gjithçka ndryshoi pas kongresit. Vasili tha: «Vëllezërit u larguan të bashkuar, të gëzuar e të lumtur.» Më pas shtoi: «Do të doja që kongresi të vazhdonte. Ishte e vështirë t’i thoshim lamtumirë njëri-tjetrit.»

Sot, vëllezërit e motrat në Rumani e adhurojnë lirisht Jehovain. Në vitin 2020, atje kishte mbi 39.000 Dëshmitarë të Jehovait dhe në vitin 2021, mbi 100.000 veta ndoqën Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, një rekord i ri në Rumani.

Vendosmëria e vëllezërve tanë në Rumani për të kapërcyer çdo pengesë që të mblidhen së bashku, është e lavdërueshme. Falënderojmë Jehovain që e bekoi dhe e mbrojti popullin e tij gjatë atij kongresi historik!—Hebrenjve 10:24, 25.