20 KORRIK 2020
RUMANI
Një kryebashkiak në Rumani lavdëron vëllezërit tanë për ndihmën pas një katastrofe
Në qershor 2020 në komunën e Rodnës në Transilvani të Rumanisë ranë shira të rrëmbyeshme dhe pati përmbytje të mëdha. Si pasojë u dëmtuan 6 shtëpi të vëllezërve tanë. Më 27 qershor 2020, mbikëqyrësi qarkor në Rodnë bashkë me pleqtë vendës mblodhën 25 vëllezër dhe motra nga tri kongregacione fqinje, që të ndihmonin të prekurit në këtë rast urgjent. a Përpjekjet e vëllezërve nuk i shpëtuan syrit të kryebashkiakut të Rodnës, që i lavdëroi në median vendëse.
Komuna e Rodnës ndodhet në një luginë me shumë lumenj. Rrjedha e vrullshme e ujit solli me vete aq shumë baltë e mbeturina, sa u bllokuan disa rrugë dhe u bë thuajse e pamundur të hyje në qytet. Shtëpia e një motre ishte në një zonë ku kryebashkiaku me skuadrën e tij hasën vështirësi për të pastruar lymin dhe mbeturinat. Kur vëllezërit tanë mbërritën atje, i ndihmuan të hiqnin papastërtitë që të arrinin deri te shtëpia e motrës. Kështu ua lehtësuan punën autoriteteve.
Më vonë, kryebashkiaku i lavdëroi Dëshmitarët gjatë një interviste që dha për një nga stacionet televizive në vend. Ai tha: «Dua të përmend një shembull të jashtëzakonshëm që më la goxha mbresa. . . . Ditën e parë përdorëm një kamion të madh dhe një traktor, e prapëseprapë ishte shumë e vështirë të mbaronim punë, sepse përmbytjet kishin bërë kërdinë në atë zonë. Të nesërmen erdhën për të na ndihmuar . . . mbi 30 vullnetarë që janë Dëshmitarë të Jehovait. Aty nga mbrëmja arritëm ta mbaronim gjithë punën.» Në përfundim tha: «Falë tyre arritëm ta kthenim në gjendjen e mëparshme atë zonë. Dua t’i falënderoj të gjithë!»
Përveç kësaj, kryebashkiaku postoi në një sit këtë mesazh për vëllezërit: «Jehovai në qiell ju bekoftë të gjithë ju dhe ju dhëntë jetë të gjatë, shëndet dhe sukses!»
Kjo përvojë nga Rumania është një shembull tjetër që tregon se me sjelljen tonë të shkëlqyer i japim lavdi Atit tonë qiellor, Jehovait.—1 Pjetrit 2:12.
a Ndonëse rikonstruksionet janë pezulluar për shkak të pandemisë, këto shtëpi kishin nevojë urgjente për rregullime.