Kalo te përmbajtja

Ka më shumë se 7 dekada që Kulla e Rojës disponohet në gjuhën zulu

1 SHKURT 2024
AFRIKA E JUGUT

75 vjet që lajmërohet Mbretëria e Jehovait në gjuhën zulu

75 vjet që lajmërohet Mbretëria e Jehovait në gjuhën zulu

Në janar 2024 bëhen plot 75 vjet që kur Kulla e Rojës u botua për herë të parë në gjuhën zulu. Duke filluar nga viti 1949, Kulla e Rojës në këtë gjuhë shtypej në degën e Afrikës së Jugut me një shaptilograf të vogël dore. Me kohë, dega mori një shtypshkronjë më moderne, dhe si pasojë mund të shtypnin më shumë revista e me cilësi më të lartë.

Një përkthyes në vitet 80 duke përdorur një regjistrues zëri për të përkthyer botime të bazuara në Bibël, në gjuhën zulu

Në fillim, një sfidë e madhe ishte të gjeje strehim të përshtatshëm për skuadrën e përkthimit të gjuhës zulu. Për shkak të ligjeve të aparteidit në Afrikën e Jugut, zezakët dhe të bardhët nuk mund të jetonin në të njëjtën ndërtesë. Përkthyesit zezakë ishin të detyruar të jetonin në godina jashtë Bethelit. Si pasojë, shpesh harxhonin më shumë kohë për të shkuar në punë e më shumë pará. Përveç kësaj, hasnin edhe sfida të tjera. Për shembull, për ca kohë, 20 përkthyes ndenjën në të njëjtën dhomë të një bujtine. Vëlla Alfred Fatsvana, që tani shërben në Komitetin e Degës në Afrikën e Jugut, ishte mes atyre që jetuan në këto kushte për dy vjet, duke filluar nga viti 1981. Ai kujton: «Kushtet në bujtinë nuk ishin gjithmonë ideale. Megjithatë, ishim të lumtur që kishim një vend ku të futnim kokën, që na lejonte të mbështetnim punën e përkthimit. Gjithashtu, përpiqeshim shumë ta mbanim sa më pastër dhomën ku jetonim, dhe kjo dha një dëshmi të mirë.»

Sa mirë që tani motrat e vëllezërit tanë në Afrikën e Jugut mund të punojnë e të jetojnë së bashku në një zyrë rajonale përkthimi me kushte të rehatshme, e cila ndodhet në Durban. Aktualisht, më shumë se 28.000 lajmëtarë në 584 kongregacione të gjuhës zulu, vazhdojnë të nxjerrin dobi nga Kulla e Rojës dhe botime të tjera të bazuara në Bibël, në gjuhën e tyre.

Fotografia e vogël lart: Zyra Rajonale e Përkthimit (ZRP) në Durban, Afrika e Jugut. Fotografia e vogël poshtë: vëllezër e motra që shërbejnë në ZRP. Djathtas: një vëlla e një motër predikojnë lajmin e mirë duke përdorur Kullën e Rojës në gjuhën zulu

Na gëzon zemra që Jehovai po vazhdon të bekojë ata që përkthejnë Kullën e Rojës dhe botime të tjera të bazuara në Bibël në gjuhën zulu, që edhe shumë të tjerë ‘të marrin falas ujin e jetës’.—Zbulesa 22:17.