Kalo te përmbajtja

24 PRILL 2024
AFRIKA E JUGUT

Mijëra Dëshmitarë përhapin mesazhin shpresëdhënës të Biblës mes atyre që flasin gjuhën xhose në Afrikën e Jugut

Mijëra Dëshmitarë përhapin mesazhin shpresëdhënës të Biblës mes atyre që flasin gjuhën xhose në Afrikën e Jugut

Nga data 29 janar deri më 11 mars të vitit 2024, mbi 11.000 vëllezër e motra nga vende të ndryshme të Afrikës së Jugut, morën pjesë në një fushatë predikimi në gjuhën xhose, në provincën e Kepit Lindor. Shumica e 7 milionë njerëzve që jetojnë në këtë provincë flasin gjuhën xhose. Si rezultat i fushatës, më shumë se 2.700 veta kanë kërkuar të studiojnë Biblën.

Gjatë fushatës, 2 motra takuan një grua së cilës i kishte vdekur vëllai në një aksident tragjik vetëm 2 javë më parë. Kur gruaja me lot në sy u tregoi motrave për vdekjen e të vëllait, ato i lexuan Zbulesën 21:3, 4 për ta ngushëlluar. Ngaqë donte të dinte më shumë për premtimin e Biblës se një ditë nuk do të ketë më vdekje dhe vuajtje, gruaja i pyeti se kur dhe ku mbaheshin mbledhjet tona. Gjithashtu, me të u fillua një studim i Biblës.

Një motër që quhet Zukisua hyri në muhabet me një grua që vuan nga artriti i rëndë. Për shkak të sëmundjes, e ka të vështirë t’u përgatitë ushqim fëmijëve. Gruaja ishte në merak se fëmijët e saj nuk do të kishin asgjë për të ngrënë atë ditë, meqë s’kishte pasur fuqi të punonte brumin për bukën. Me dashuri, Zukisua u ofrua të punonte brumin, ndërsa motra tjetër që ishte me të i foli gruas për mesazhin e Biblës. Ngaqë i bëri përshtypje meraku dhe ndihma e tyre e dashur, gruaja u tregoi shumë shoqeve të saj se çfarë kishin bërë për të motrat tona. Pak pas kësaj, gruaja filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët.

Ndërsa predikonin shtëpi më shtëpi në qytetin e Eberhës, dy vëllezër takuan një burrë të cilit i kishin prerë njërën këmbë. Ai u tha se kishte shumë kohë që pyeste veten pse e lejon Perëndia Satanain të sundojë botën, përderisa njerëzimi i përket Perëndisë. (1 Gjonit 5:19) Vëllezërit tanë iu përgjigjën duke përdorur Biblën. Më vonë po atë ditë, pasi panë videon Pse i lejon Perëndia vuajtjet?, burri dhe gruaja e tij pranuan me kënaqësi të studionin Biblën.

Një nga motrat tona, që gjithashtu po predikonte në Eberha, pyeti një grua nëse do të kishte dëshirë të lexonte Psalmin 37:29. Pasi e lexoi vargun nga Bibla e saj, gruaja tha se nuk e kuptonte. Pastaj motra ia lexoi këtë varg nga Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën xhose. Gruaja u shpreh e entuziazmuar: «Gjuha xhose e përdorur në këtë Bibël qenka shumë e natyrshme. E kuptoj më mirë se Biblën time.» Tani ajo studion rregullisht Biblën dhe po kënaqet.

Na bëhet zemra mal që kaq shumë njerëz që flasin gjuhën xhose në mbarë Afrikën e Jugut po e mirëpresin mesazhin e shpresës, që «Perëndia i çdo ngushëllimi» na jep nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës.—2 Korintasve 1:3.