Kalo te përmbajtja

13 SHTATOR 2019
AFRIKA E JUGUT

Përkthimi Bota e Re prezantohet në 3 gjuhë në kongresin ndërkombëtar në Afrikën e Jugut

Përkthimi Bota e Re prezantohet në 3 gjuhë në kongresin ndërkombëtar në Afrikën e Jugut

Më 6 shtator 2019 në kongresin ndërkombëtar në Johanesburg, Afrika e Jugut, u prezantuan Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhët xhose, vende dhe afrikanse, të cilat i flasin mbi 16 milionë veta. Vëlla Entoni Morisi i Trupit Udhëheqës ua prezantoi këtë rishikim 36.865 të pranishmëve në FNB Stadium. Përveç tyre, programin e ndoqën edhe 51.229 veta nga tetë vende të Lezotos, të Namibisë, të Shën-Elenës e të tjera.

Duke komentuar për veçoritë e rralla të këtyre Biblave, një nga përkthyesit tha gjithë entuziazëm: «Mezi presim ta lexojmë Biblën në një gjuhë që të prek zemrën.» Një përkthyes tjetër u shpreh: «Ç’është më e rëndësishme [Bibla e rishikuar] do të na ndihmojë të lidhemi më ngushtë me Jehovain, sepse e përdor vazhdimisht emrin e Perëndisë.»

Përveç kësaj, këto Bibla do të ndikojnë jashtë mase edhe te cilësia e shërbimit. Një pjesëtar i skuadrës xhose të përkthimit, tha: «Përkthimi Bota e Re i rishikuar do të na ndihmojë në shërbim. Njerëzit do ta kuptojnë qartë atë që mëson Bibla, pa pasur nevojë të shpjegosh çdo fjalë.» Një përkthyes i gjuhës afrikanse, shtoi: «Tani thjesht mund të lexosh shkrimet dhe Bibla shpjegon veten.»

Jemi të kënaqur që vëllezërit kanë këto Bibla që lexohen lehtë, të cilat do t’i ndihmojnë t’i afrohen edhe më shumë Perëndisë tonë.—Jakovi 4:8.