25 JANAR 2022
AFRIKA E JUGUT
Zyrtarë në Afrikën e Jugut lavdërojnë Dëshmitarët e Jehovait që ndihmojnë personat që nuk flasin e nuk dëgjojnë
Dalin edhe 2 libra të tjerë të Biblës në gjuhën afrikano-jugore të shenjave
Në Afrikën e Jugut, mbrojtësit e të drejtave të personave që nuk flasin e nuk dëgjojnë, kanë falënderuar Dëshmitarët e Jehovait që kanë ndihmuar këtë kategori njerëzish të përmirësojnë jetën, duke vënë në dispozicion video mjaft cilësore në gjuhën afrikano-jugore të shenjave (SASL). Para se të dilnin 2 librat e rinj, më 15 nëntor 2021 doli në SASL libri i Galatasve dhe i Efesianëve nga Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re. Tani shkon në 10 numri i librave të Biblës të prodhuar në këtë gjuhë shenjash. Pritet që deri në prill 2022 të dalin edhe 4 libra të tjerë. Librat mund të gjenden në faqen e internetit jw.org dhe në aplikacionin JW Library Sign Language.
Mina Stejni, specialiste edukimi dhe drejtuese në Qeverinë e Kepit Perëndimor, tha për Dëshmitarët: «Më pëlqen jashtë mase të shoh interpretuesit dhe dua t’i përgëzoj nga zemra ata dhe organizatën për standardin dhe cilësinë e interpretimit të shenjave.»
Bongani Makama, president i Federatës së Personave me Aftësi të Kufizuara në Esuatini, komentoi: «I lavdërojmë Dëshmitarët e Jehovait që u kanë hapur rrugën personave që nuk dëgjojnë ose që kanë vështirësi në dëgjim, të kenë akses në këto materiale.» Ai shtoi: «[Personat që nuk flasin e nuk dëgjojnë] meritojnë të kenë një Bibël në gjuhën e tyre. Ja pse i lavdërojmë Dëshmitarët e Jehovait që i kanë siguruar këtij komuniteti këta libra të Biblës në gjuhën e zemrës. Po presim me padurim që të 66 librat e Biblës të dalin në gjuhën e shenjave.»
Në Afrikën e Jugut ka rreth 450.000 njerëz që përdorin SASL-në. Gjithashtu ka 283 lajmëtarë që nuk dëgjojnë fare ose dëgjojnë me vështirësi. Falë përpjekjeve të Dëshmitarëve, «njerëz të çdo lloji» po fitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën, ndër këta edhe personat që nuk flasin e nuk dëgjojnë në territorin e degës së Afrikës së Jugut.—1 Timoteut 2:4.