Kalo te përmbajtja

Majtas: vëllezër e motra që marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar në Luandë të Angolës. Djathtas: një vëlla (në qendër) po u demonstron vizitorëve në këndin tonë kursin interaktiv të Biblës

12 SHTATOR 2024
ANGOLË

Mbi 200 veta provojnë kursin tonë interaktiv të Biblës në Panairin Ndërkombëtar në Angolë

Mbi 200 veta provojnë kursin tonë interaktiv të Biblës në Panairin Ndërkombëtar në Angolë

Nga data 23 deri më 28 korrik 2024, u zhvillua për herë të 39-të Panairi Ndërkombëtar në Luandë të Angolës. Këtë event të përvitshëm, ku morën pjesë gati 1.800 ekspozues, e vizituan afro 100.000 veta. Dëshmitarët e Jehovait ngritën një kënd me literaturë të bazuar në Bibël në 9 gjuhë. Këndi kishte edhe një vend ku vizitorët mund të uleshin e të mësonin më shumë rreth kursit tonë interaktiv të Biblës. Gjatë panairit, vëllezërit e demonstruan 227 herë këtë kurs dhe mbi 100 veta kërkuan që Dëshmitarët t’u shkonin në shtëpi.

Kur një grua shkoi te këndi dhe tha se donte të dinte më shumë për Biblën, një motër i ofroi një studim. Gjatë bisedës, gruaja bëri shumë pyetje dhe ishte veçanërisht e interesuar për premtimet që jep Bibla për të ardhmen. Tani ajo studion rregullisht Biblën me motrën.

Një motër po tregon nga një pajisje sitin jw.org

Një grua tjetër u habit kur mësoi se vepra jonë e arsimimit nga Bibla bëhet falas. Motra jonë i shpjegoi se e rëndësishme për ne është t’ua japim lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë sa më shumë njerëzve të jetë e mundur. Kur mori vesh se gruaja kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët në të kaluarën, motra i tregoi videon Çfarë ndodh në një Sallë Mbretërie? Ajo u kënaq kur dëgjoi se të gjithë janë të mirëpritur në mbledhjet tona dhe kërkoi të dinte më shumë.

Një turisteje nga Portugalia iu bë shumë qejfi kur pa Dëshmitarët e Jehovait në panair. Ajo tha se fliste shpesh me fqinjën e saj që është Dëshmitare. «Organizata juaj më bën shumë përshtypje dhe dua të di më tepër»,—tha ajo. Gruaja premtoi se, kur të kthehej në shtëpi, do t’i kërkonte fqinjës të studionin Biblën së bashku.

Jemi të lumtur që mjaft njerëz në Angolë duan të mësojnë më shumë për Biblën dhe po pranojnë me kënaqësi ftesën e Jehovait për ta marrë «falas ujin e jetës».—Zbulesa 22:17.