22 JANAR 2024
ANGOLË
Prezantohen Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën çokve
Më 13 janar 2024, vëllai Xhefri Uinder, një anëtar i Trupit Udhëheqës, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën çokve, gjatë një programi special që u mbajt në zyrën e degës, në Luandë, Angolë. Gjithsej 187 vëllezër e motra ishin të pranishëm. Ndërsa nëpërmjet videokonferencës ishin të lidhur 353.427 të tjerë, përfshirë këtu 1.644 vëllezër e motra që flasin gjuhën çokve. Shkrimet e Krishtere Greke në formatin e shtypur iu shpërndanë të pranishmëve në auditor. U vu në dispozicion edhe formati elektronik.
Është përllogaritur se gjuhën çokve e flasin rreth 3 milionë veta në Angolë, në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Zambie. Në Angolë, në 10 kongregacione të gjuhës çokve, shërbejnë 462 vëllezër e motra. Ndërsa në Republikën Demokratike të Kongos, në 21 kongregacione të gjuhës çokve, shërbejnë 734 vëllezër e motra.
Gjatë fjalimit ku u prezantua Bibla, vëlla Uinder përmendi se në Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re, emri i Perëndisë Jehova shfaqet 237 herë. Një vëlla tregoi: «Romakëve 10:13 thotë se ‘kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë’. Megjithatë, disa përkthime të Biblës në gjuhën çokve nuk e shpjegojnë qartë se çfarë do të thotë ky varg. Prandaj mezi pres të përdor Shkrimet e Krishtere Greke për të ndihmuar njerëzit të kuptojnë lidhjen midis emrit të Jehovait dhe shpëtimit. Ç’dhuratë e mrekullueshme!»
Jemi të sigurt se Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën çokve, do të ndihmojë edhe shumë të tjerë të mësojnë për Jehovain e ta duan me gjithë zemrën e forcën e tyre.—Marku 12:33.