29 NËNTOR 2021
ANGOLË
Prezantohen Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën kimbundu
Të dielën më 21 nëntor 2021, vëlla Erik Rafaeli, anëtar i Komitetit të Degës së Angolës, prezantoi në format dixhital Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën kimbundu. Botimi i shtypur do të jetë në dispozicion në vitin 2022. Programi i regjistruar paraprakisht u transmetua nëpërmjet streaming për një auditor prej rreth 11.000 vetash.
Aty nga viti 1920, qeveria koloniale e Portugalisë ndaloi nëpër shkolla përdorimin e gjuhës kimbundu, si edhe të gjuhëve të tjera afrikane. Megjithatë sot gjuhën kimbundu e flasin rreth 1,7 milionë veta në Angolë, përfshirë edhe banorët e kryeqytetit, Luandë. Ajo është një nga gjuhët kryesore të vendit.
Literatura e Dëshmitarëve të Jehovait disponohej në këtë gjuhë që në fillim të viteve 90. Gjithsesi, kongregacioni i parë në gjuhën kimbundu u formua në vitin 2008. Sot ka 55 kongregacione të gjuhës kimbundu ku shërbejnë 2.614 lajmëtarë.
Për shumë lexues, ky përkthim i ri është më i kuptueshëm se përkthimi i mëparshëm i Biblës në këtë gjuhë. Për shembull, në përkthimin e mëparshëm, Mateu 5:3 përkthehej kështu: «Të bekuar janë të varfrit në frymë.» Kurse te Përkthimi Bota e Re ky varg është lënë: «Lum ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë!»
Një përkthyes tha: «Jam i bindur se kjo Bibël do të jetë një bekim i madh për vëllezërit tanë që flasin gjuhën kimbundu. Do t’i ndihmojë të afrohen më shumë me Jehovain teksa e përdorin gjatë studimit personal dhe në shërbim. Për mua ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm të kontribuoj sadopak në këtë projekt. Kjo Bibël dëshmon për dashurinë besnike të Jehovait.»
Jemi të sigurt se Bibla në gjuhën kimbundu do t’ua bëjë më të lehtë vëllezërve e motrave që flasin këtë gjuhë, të vazhdojnë të ndihmojnë të interesuarit që ‘të kuptojnë sekretet e shenjta të Mbretërisë së Perëndisë’.—Luka 8:10.