Kalo te përmbajtja

Pjesëtarë të familjes Bethel përshëndetin vizitorët teksa vijnë për kushtimin e godinave të reja të degës në Argjentinë

22 PRILL 2024
ARGJENTINË

Kushtohen godinat e reja të degës në Argjentinë

Kushtohen godinat e reja të degës në Argjentinë

Vëllai Uinder duke mbajtur fjalimin e kushtimit

Më 6 prill 2024, vëllai Xhefri Uinder, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin e kushtimit për godinat e reja të degës në Buenos-Ajres, Argjentinë. Në programin e kushtimit morën pjesë thuajse 500 vëllezër e motra që u akomoduan në 3 auditore në kompleksin e ri të Bethelit. Kurse 5.844 të tjerë u lidhën nëpërmjet videokonferencës nga një Sallë Asamblesh në qytetin fqinj të Ezeizës. Të nesërmen, u mbajt një mbledhje speciale në Sallën e Asambleve, e cila u transmetua për të gjitha kongregacionet në Argjentinë dhe Uruguai. Atë e ndoqën gjithsej 181.643 veta.

U morën masa që të ftuarit të vizitonin godinat e reja të degës, të shijonin shoqërinë e dashur dhe të merrnin pjesë në aktivitete të tjera speciale. Mes tyre ishin edhe mbi 230 vëllezër e motra nga 25 vende. Vëlla Serxho Spakasasi, që tani shërben në Ekuador, ndihmoi në ndërtimin e degës së re në Argjentinë. Duke iu drejtuar grupit të madh me vëllezër e motra nga vende të ndryshme të botës, të mbledhur për kushtimin, ai tha: «Jehovai përdor raste speciale si këto për të na afruar më shumë me njëri-tjetrin si një familje e bashkuar adhuruesish.»

Vëlla Huan-Karlos Nigro, anëtar i Komitetit të Degës në Argjentinë, komentoi: «Kemi parë si e ka drejtuar dhe bekuar Jehovai këtë projekt në çdo hap. Falë Tij kemi këtë ndërtesë të bukur që i jep lavdi emrit të tij.»

Vëllezërit e motrat po shijojnë programin e kushtimit nga auditoret e godinave të reja të Bethelit në Buenos-Ajres

Bashkë me vëllezërit e motrat tona në Argjentinë falënderojmë Jehovain, atë që ‘e bën çdo gjë të bukur në kohën e vet’, për këtë kompleks të ri të Bethelit.—Eklisiastiu 3:11.