30 QERSHOR 2023
ARGJENTINË
Në Argjentinë mbahet asambleja e parë në gjuhën uiçi
Më 7 maj 2023, në Argjentinë u mbajt asambleja e parë qarkore, në të cilën programi u prezantua i gjithi në gjuhën uiçi. Të pranishmit shijuan programin me temë «Miq të paqes», në një Sallë Mbretërie në Tartagal, Saltë. Disa e ndoqën asamblenë me videokonferencë nga 3 vende të tjera në Argjentinë. Gjithsej kishte 169 të pranishëm dhe 2 prej tyre u pagëzuan.
Shumica e popullit uiçi jeton në pjesën veriperëndimore të Argjentinës dhe juglindore të Bolivisë. Në pak më shumë se 10 vjet, janë formuar 2 kongregacione, 3 grupe dhe 6 paragrupe. Mes tyre ka 45 lajmëtarë që e kanë gjuhën uiçi gjuhë amtare, si edhe disa të tjerë që po e mësojnë gjuhën.
Shumë nga ata që erdhën në asamble jetojnë në zona të thella. Një vëlla i moshuar me emrin Paulino jeton rreth 455 kilometra larg Tartagalit, ndaj, për të ndjekur asamblenë, iu desh të udhëtonte me autobus për 12 orë vetëm vajtje. Në fund të programit, ai tha: «S’kam fjalë të përshkruaj sa mirënjohës i jam Jehovait për të gjithë punën e palodhur që kanë bërë vëllezërit, që ne të shijonim programin në gjuhën tonë.»
Për disa ishte hera e parë që ndiqnin fizikisht një asamble të Dëshmitarëve të Jehovait. Delia, një grua që flet gjuhën uiçi, nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait gjatë pandemisë COVID-19. Që të shkonte në asamble, ajo eci për 1 orë me 2 fëmijët e vegjël. Për Delian, një nga momentet më të bukura ishte takimi për herë të parë ballë për ballë me motrën me të cilën filloi studimin.
Gëzimi që përjetuan vëllezërit e motrat tona në këtë asamble të parë të gjuhës uiçi, është provë e mëtejshme se Jehovai ‘i mban në pëllëmbë të dorës’ besnikët e tij.—Psalmi 4:3.