Kalo te përmbajtja

25 SHKURT 2020
ARGJENTINË

Dega e Argjentinës hap një muze të ri

Dega e Argjentinës hap një muze të ri

Më 11 dhjetor 2019 zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Buenos-Ajres, Argjentinë, hapi një muze të ri. Muzeu ka dy ekspozita me tema «Imitoni besimin e tyre» dhe «Fjala jote mbetet përgjithmonë».

Ekspozita me temë «Imitoni besimin e tyre» flet për historinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Argjentinë dhe në Uruguai. Historia atje nis në vitet 20 me fare pak Dëshmitarë e vazhdon deri sot kur numri i tyre është rritur jashtë mase. Një pjesë e veçantë e kësaj ekspozite është historia e Dëshmitarëve gjatë viteve kur vepra ishte e ndaluar në Argjentinë. Ajo shpjegon edhe se fëmijët Dëshmitarë i përjashtonin nga shkolla dhe qindra të rinj i burgosnin për periudha të gjata për shkak të asnjanësisë së krishterë. Shumë nga këta vëllezër të rinj besnikë i torturuan fizikisht e psikologjikisht, dhe të paktën tre prej tyre vdiqën për hir të besimit.

Ekspozita «Fjala jote mbetet përgjithmonë» përmban një koleksion të Biblave dhe thekson sa përpjekje janë bërë gjatë shekujve për të përkthyer Biblën në spanjisht. Koleksioni përbëhet nga rreth 47 Bibla, ku përfshihen edhe disa përkthime të rralla e të rëndësishme, si Ferrara Bible, botimi i vitit 1630. Ky ishte ndër përkthimet e para të plota të Shkrimeve Hebraike në spanjisht; ai përmban emrin hyjnor në faqen e parë. Përveç këtyre, është ekspozuar edhe botimi i parë i Reina-Valera Bible, që doli më 1602. Ky përkthim përdor emrin e Perëndisë, Jehova, kudo në Dhiatën e Vjetër. Reina-Valera Bible është përkthimi më i përhapur në spanjisht.

Botimi origjinal i Reina-Valera Bible, që u shtyp për herë të parë më 1602

Meqë prej kohësh në Argjentinë ka shumë emigrantë, në ekspozitë ka edhe përkthime të Biblës në gjuhët që flitnin emigrantët që kanë vajtur atje gjatë shekullit të 19-të. Vizitorët mund të shohin Bibla në gjuhët angleze, armene, gjermane, hebraike, hungareze, kroate, irlandeze, italiane, portugeze dhe uellsiane.

Ferrara Bible—botimi i 1630-s; tetragrami, katër shkronjat hebraike që përfaqësojnë emrin e Perëndisë, Jehova, shfaqet në faqen e parë

Gjithashtu, koleksioni ka përkthime që u botuan në Argjentinë, si Nuevo Testamento nga Pablo Besoni, më 1919, dhe përkthime moderne në gjuhët vendëse, si në çorote, mapudungune, mokovi, pilaga, toba del oeste, toba kom dhe uiçi.

Dhiata e Re e vitit 1919 nga Pablo Besoni, ishte Bibla e parë në Amerikën Latine e përkthyer direkt nga greqishtja. Shenja e kuqe tregon Lukën 2:15, ku Besoni rivendosi emrin hyjnor, Jehova

Vëlla Timoteo Kostantino, që punon në zyrën e degës në Argjentinë, komentoi: «Falënderojmë të gjithë ata që vunë në dispozicion këto Bibla për ekspozitën! Ky muze ka ndihmuar edhe vizitorët vendës, edhe të huaj që ta njohin në mirë historinë e Biblës dhe të Dëshmitarëve të Jehovait në Argjentinë dhe në Uruguai.»