Kalo te përmbajtja

12 nga vëllezërit e dënuar në 2012-n ngaqë refuzuan për shkak të ndërgjegjes bashkë me avokatët e tyre (në qendër) në janar të vitit 2019

9 DHJETOR 2019
ARMENI

GJEDNJ-ja dënon burgosjen e padrejtë të 22 vëllezërve në Armeni

GJEDNJ-ja dënon burgosjen e padrejtë të 22 vëllezërve në Armeni

Më 5 dhjetor 2019, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mori një vendim unanim në favor të 22 Dëshmitarëve të Jehovait në Armeni, që ishin dënuar padrejtësisht ngaqë nuk kishin pranuar të kryenin ushtrinë. GJEDNJ-ja vendosi që të gjithë bashkë duhej të dëmshpërbleheshin me 242.000 euro. Ky është dëmshpërblimi më i madh që kjo gjykatë ka vendosur për vëllezërit tanë në çështjet e refuzimit të ushtrisë për shkak të ndërgjegjes.

Më 2012 vëllezërit i burgosën ngaqë nuk pranuan të kryenin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes dhe refuzuan shërbimin alternativ civil (SHAC). Vëllezërit e refuzuan SHAC-in, sepse në atë kohë mbikëqyrej nga ushtria dhe nuk ishte vërtet civil. Ndaj 20 nga vëllezërit vuajtën dënime me burg deri më 2013. Nga ky vit Armenia implementoi një shërbim alternativ tërësisht civil dhe nuk i burgosi më vëllezërit që refuzonin ushtrinë për shkak të ndërgjegjes.

Ky vendim i GJEDNJ-së bazohej në fitoren ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait në 2017-n për çështjen Adjani dhe të tjerët kundër Armenisë. Ajo pohoi se Armenia e dinte se këto ishin 2 çështje të ngjashme dhe duhej të jepte një zgjidhje të mirë për 22 vëllezërit. Pavarësisht nga përpjekjet e vëllezërve gjatë vitit të kaluar, qeveria nuk pranoi të jepte një zgjidhje të mirë. Kështu që GJEDNJ-ja vendosi unanimisht në favor të vëllezërve.

Jemi të lumtur se, që nga 2013-a, qëndrimi i Armenisë kundrejt atyre që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes ka ndryshuar për mirë. Tani nuk ka më vëllezër të burgosur ose të ndjekur penalisht për qëndrimin asnjanës. Ky shërbim tërësisht civil që ka ofruar Armenia këto 7 vitet e fundit, ka qenë një model për vendet e tjera. Gjithsesi, me vendimin e 5 dhjetorit, GJEDNJ-ja e dënoi Armeninë ngaqë nuk kishte zbatuar ligjet ndërkombëtare në vitin 2012.

Me këtë vendim, ajo jep një mesazh të qartë se do të ndëshkojë rëndë cilindo vend që nuk zbaton ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. E falënderojmë Jehovain që u dha këtë fitore ligjore të jashtëzakonshme vëllezërve në Armeni. Lutemi që ky të jetë precedent edhe për vende të tjera, si Azerbajxhani, Koreja e Jugut, Turkmenistani dhe Turqia, që t’u ofrojnë mundësinë vëllezërve të refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes dhe të kenë mundësi të kryejnë shërbim alternativ civil.