Kalo te përmbajtja

16 TETOR 2017
ARMENI

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mbron ata që s’kryejnë ushtrinë për hir të ndërgjegjes në Armeni

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mbron ata që s’kryejnë ushtrinë për hir të ndërgjegjes në Armeni

Më 12 tetor 2017 Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) vendosi se katër Dëshmitarë të Jehovait në Armeni ishin dënuar padrejtësisht me burg ngaqë s’kishin kryer shërbim alternativ, i cili mbikëqyrej dhe kontrollohej nga ushtria. GJEDNJ-ja vendosi se katër të rinjtë ishin dënuar padrejtësisht pasi Armenia nuk u kishte siguruar një shërbim alternativ tërësisht civil.

Çështja Adjani dhe të tjerët kundër Armenisë, përfshinte Artur Adjanin, Vahanj Margarjanin, Harutjun Kaçatrjanin dhe Garegin Avetisjanin. Në verën e 2011-s secili prej tyre u dënua me dy vjet e gjysmë burg. GJEDNJ-ja vendosi se ndjekja penale dhe dënimi i këtyre të rinjve shkelte të drejtën e lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë që garantohet nga neni 9 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Konventa). Ajo e urdhëroi Armeninë të kompensojë me 12.000 euro (14.200 dollarë amerikanë) secilin prej aplikuesve, për dhembjen dhe vuajtjet që kanë përjetuar.

Të rinjtë u dënuan pak pasi Dhoma e Madhe e GJEDNJ-së vendosi se Konventa mbronte të drejtën e atyre që nuk kryejnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje në rastin Bajatjani kundër Armenisë (2011). * Në momentin që u mbrojt kjo e drejtë, Armenisë iu kërkua t’u ofronte shërbim alternativ atyre që nuk kryenin ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Megjithatë, asokohe shërbimi alternativ në Armeni nuk përputhej me standardet ndërkombëtare pasi kontrollohej dhe mbikëqyrej direkt nga ushtria. Katër të rinjtë nuk e pranuan këtë lloj shërbimi alternativ, ndaj u burgosën si dhjetëra bashkëbesimtarë të tjerë. Në çështjen Adjani, GJEDNJ-ja vendosi se, për ata që nuk kryejnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje, Armenia duhet të ofrojë «shërbim alternativ me karakter tërësisht civil dhe jo kufizues ose ndëshkues».

Nga fundi i 2013-s, pasi katër të rinjtë e përfshirë në çështjen Adjani u liruan nga burgu, më në fund Armenia miratoi një shërbim alternativ tërësisht civil që as mbikëqyret dhe as kontrollohet nga ushtria. Si rrjedhojë, Dëshmitarët e Jehovait në Armeni nuk burgosen më ngaqë i binden ndërgjegjes së tyre të stërvitur sipas Biblës dhe ngaqë nuk pranojnë të kryejnë shërbimin ushtarak. Ata e çmojnë pa masë mundësinë për të kryer shërbim alternativ tërësisht civil.

^ par. 3 Bajatjani kundër Armenisë [GC], nr. 23459/03, GJEDNJ 2011