Kalo te përmbajtja

20 NËNTOR 2013
ARMENI

Armenia liron të gjithë të burgosurit Dëshmitarë të Jehovait

Armenia liron të gjithë të burgosurit Dëshmitarë të Jehovait

EREVAN, Armeni​—Më 12 nëntor 2013, Armenia liroi 14 Dëshmitarët e Jehovait që kishin ngelur në burg, ngaqë kishin refuzuar shërbimin ushtarak. Që nga data 8 tetor 2013, janë liruar nga burgu gjithsej 28 Dëshmitarë të Jehovait ngaqë kishin refuzuar për shkak të ndërgjegjes. Kjo sinjalizon një ndryshim në politikën e Armenisë që nuk e merrte parasysh të drejtën e refuzimit për shkak të ndërgjegjes, e cila çoi në burgosjen e më shumë se 450 të rinjve Dëshmitarë në 20 vitet e kaluara. Tani, për herë të parë që nga viti 1993, në Armeni nuk ka asnjë Dëshmitar të Jehovait të burgosur për shkak të refuzimit të shërbimit ushtarak.

Para datës 12 nëntor, Armenia kishte liruar tetë Dëshmitarë më 8 dhe 9 tetor, bazuar në një amnisti që ua uli dënimin me gjashtë muaj. Gjashtë të tjerë u liruan më 24 tetor. Këta të gjashtë ishin të parët që nxorën dobi më 8 qershor 2013, kur ligjit ekzistues për shërbimin civil alternativ në Armeni iu shtuan disa amendamente. Këto amendamente i lejojnë ata që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, të bëjnë kërkesë për një shërbim alternativ që nuk është nën kontrollin dhe nën mbikëqyrjen e ushtrisë, dhe kështu shmangin burgosjen.

Mbi 90 Dëshmitarë kanë bërë kërkesë për këtë program të ri. Më 23 tetor dhe 12 nëntor 2013, Komisioni Republikan rishikoi dhe miratoi kërkesat e 71 prej këtyre të rinjve. Komisioni bëri me dije se ka ndër mend t’i shqyrtojë së shpejti edhe rastet e tjera që kanë ngelur.

David A. Semonian, një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në selinë e tyre botërore në Nju-Jork, thotë: «Jemi të kënaqur që qeveria armene i ka liruar këta të rinj dhe që kjo çështje e tejzgjatur duket se është zgjidhur.»

Zëdhënësi për mediat:

Ndërkombëtar: David A. Semonian, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000

Armeni: Tigran Harutyunyan, tel. +374 93 900 482