Kalo te përmbajtja

15 SHKURT 2018
ARMENI

Rrugëtimi i Armenisë drejt njohjes të së drejtës së refuzimit të ushtrisë për shkak të ndërgjegjes

Rrugëtimi i Armenisë drejt njohjes të së drejtës së refuzimit të ushtrisë për shkak të ndërgjegjes

Në një nga vendimet e fundit, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) bëri një hap para për njohjen e së drejtës së refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Kur shqyrtoi çështjen Adjani dhe të tjerët kundër Armenisë më 12 tetor 2017, GJEDNJ-ja vendosi një precedent për llojin e shërbimit alternativ që duhet të jetë në dispozicion.

Për vite me radhë, sistemi ligjor i GJEDNJ-së nuk e njihte të drejtën e refuzimit të ushtrisë për shkak të ndërgjegjes e si rrjedhojë, shumë u përndoqën dhe u burgosën. Megjithatë, në vitin 2011 qëndrimi i saj ndryshoi, sepse në çështjen Bajatjani kundër Armenisë e njohu si të drejtë themelore të drejtën e refuzimit për shkak të ndërgjegjes. Në vendimin më të fundit për çështjen Adjani, GJEDNJ-ja vendosi se ata që s’kryejnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, kanë të drejtën e një shërbimi alternativ me natyrë plotësisht civile dhe jo ndëshkuese.

Një historik i shkurtër i kësaj të drejte në Armeni tregon se si vendimet e favorshme të GJEDNJ-së në çështjet Bajatjani, Adjani dhe në çështje të tjera ndikuan shumë te mënyra si i trajton qeveria ata që s’bëjnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes.

Armenia nuk mban premtimin për të miratuar shërbimin alternativ civil

Jo alternativ, por ndëshkues. Kur Armenia u anëtarësua në Këshillin e Evropës në vitin 2001, u zotua të miratonte një ligj për shërbimin alternativ civil që përmbushte standardet evropiane, domethënë, një program shërbimi civil që nuk ishte nën kontrollin e ushtrisë dhe që nuk zgjaste aq shumë sikur të ishte ndëshkim. Armenia ra dakord edhe që t’i falte të gjithë ata që kishin refuzuar ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. * Megjithatë nuk e kishte plotësuar ende premtimin kur e thirri për ushtar Vahan Bajatjanin, një Dëshmitar të Jehovait, të cilit nuk ia lejonte ndërgjegjja të hynte në ushtri. Prandaj më 2002 e shpallën fajtor dhe e burgosën ngaqë refuzoi ushtrinë dhe ngaqë në Armeni nuk kishte asnjë shërbim alternativ. Në vitin 2003 z. Bajatjan paraqiti një kërkesë pranë GJEDNJ-së ku thoshte se, duke e dënuar me burg, Armenia i kishte shkelur të drejtën e lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë.

U ofrohet një alternativë jo efektive, pastaj ndëshkohen. Më 2004 Armenia miratoi një ligj për shërbimin alternativ civil dhe disa të rinj Dëshmitarë pranuan këtë lloj shërbimi në vend të shërbimit ushtarak. Ama, pasi ishin regjistruar, kuptuan se nuk mbikëqyrej nga autoritetet civile, por nga ushtria. Prandaj njoftuan autoritetet dhe i lanë caktimet që kishin në këtë lloj shërbimi. Ja pse i arrestuan, i ndoqën penalisht e madje disa i burgosën. Në maj të 2006-s Haik Kaçatrjani bashkë me 18 Dëshmitarë të tjerë që kishin refuzuar ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, paraqitën një kërkesë pranë GJEDNJ-së, ku pohonin se kjo padi e paligjshme u kishte shkelur të drejtat. *

Vite në vend-numëro. Për vite me radhë, Armenia nuk ndërmori asnjë hap për të ndrequr ligjin për shërbimin alternativ. Dëshmitarët vazhduan të refuzonin këtë shërbim jo efektiv, ndërsa Armenia vazhdoi t’i burgoste. Nga 2004-a (kur hyri në fuqi ligji për shërbimin alternativ civil) deri në 2013-n (kur ky ligj ndryshoi) u dënuan 317 veta. Dënimet varionin nga 24 deri në 36 muaj burg.

Gjatë kësaj kohe GJEDNJ-ja nuk ndërmori ndonjë hap për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Në 2009-n ajo shqyrtoi ankesën e z. Bajatjan, i cili arsyetonte se refuzimi i shërbimit ushtarak mbrohej nga neni 9 i Konventës Evropiane që garanton të drejtën e lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë. Megjithatë, GJEDNJ-ja ishte e detyruar të mbështetej te sistemi i saj ligjor që ekzistonte prej shumë dekadash. Ajo argumentoi se, së pari, çdo vend e kishte vetë në dorë nëse do ta njihte këtë lloj të drejte. Por, edhe nëse nuk e bënin, neni 9 s’mund t’i garantonte mbrojtje nga ndjekja penale atyre që refuzonin ushtrinë. Meqë ky vendim nuk përputhej me normat ndërkombëtare për njohjen e kësaj të drejte, avokatët e z. Bajatjan kërkuan që çështjen ta rishqyrtonte Dhoma e Madhe e GJEDNJ-së.

Seancë dëgjimore për çështjen Bajatjani kundër Armenisë para Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së më 24 nëntor 2010

Një hap para. Pika e kthesës ishte kur Dhoma e Madhe e GJEDNJ-së rishqyrtoi kërkesën e z. Bajatjan. Më 17 korrik 2011, për herë të parë, GJEDNJ-ja pohoi qartë se e drejta e refuzimit të ushtrisë për shkak të ndërgjegjes është një e drejtë që mbrohet nga neni 9 i Konventës. Ajo arsyetoi se Konventa është një «instrument i gjallë» që kur interpretohet, duhet të marrë parasysh evoluimin e ligjeve që kanë çuar «në një marrëveshje të përgjithshme për këtë çështje në Evropë dhe në vende të tjera». Me anë të këtij vendimi, Dhoma e Madhe jo vetëm njohu të drejtën e refuzimit për shkak të ndërgjegjes në Evropë, por edhe e detyroi Armeninë t’u siguronte një alternativë tërësisht civile atyre që nuk kryejnë ushtrinë për hir të ndërgjegjes.

«Kur refuzimi i shërbimit ushtarak motivohet nga një konflikt serioz dhe i pakapërcyeshëm ndërmjet detyrimit për të shërbyer në ushtri dhe ndërgjegjes së një personi ose bindjeve të rrënjosura thellë e të sinqerta fetare a të një natyre tjetër, atëherë përbën një bindje mjaftueshëm të fortë, serioze, koherente dhe të rëndësishme për t’u mbrojtur nga neni 9.»—Bajatjani kundër Armenisë [Dhoma e Madhe], nr. 23459/03, par. 110, GJEDNJ 2011

Armenia bën ndryshime në ligjin për shërbimin alternativ

Ende problem mungesa e një shërbimi tërësisht civil. Në verën e 2011-s katër Dëshmitarë në Armeni, ku përfshihej edhe Artur Adjani, u shpallën fajtorë dhe u burgosën ngaqë refuzuan shërbimin alternativ nën kontrollin e ushtrisë. Ata paraqitën një kërkesë pranë GJEDNJ-së ku thanë se Armenia u kishte shkelur të drejtat, sepse shërbimi alternativ që ajo kishte siguruar nga 2004-a nuk përputhej me standardet evropiane dhe nuk pajtohej me ndërgjegjen e tyre.

Vazhdon problemi i mbikëqyrjes së shërbimit civil nga ushtria. Më 27 nëntor 2012 GJEDNJ-ja mori vendimin për çështjen Kaçatrjani dhe të tjerët kundër Armenisë, ku përfshiheshin 19 Dëshmitarët që lanë shërbimin alternativ sepse mbikëqyrej nga ushtria, jo nga autoritetet civile. Ajo vendosi se ndjekja penale dhe dënimet e Dëshmitarëve ishin të paligjshme. Edhe pse vendimi nxori në pah se aplikantët ishin ankuar se shërbimi alternativ mbikëqyrej nga ushtria, kur shqyrtoi çështjen Kaçatrjani, gjykata nuk bëri diçka për këtë problem.

Një alternativë e pranueshme. Në verën e 2013-s qeveria armene ndryshoi ligjin dhe ofroi një shërbim alternativ civil, siç kishte premtuar në 2000-shin. Që nga tetori i 2013-s shumica e Dëshmitarëve të burgosur në Armeni janë liruar nga burgu, ndonëse disa që po e mbaronin dënimin, zgjodhën të qëndronin në burg. Që prej asaj kohe, kushdo që refuzon shërbimin ushtarak, mund të kryejë shërbim alternativ civil.

Sistemi ligjor i GJEDNJ-së bën progres

Dy vendimet e GJEDNJ-së në çështjet Bajatjani dhe Kaçatrjani, treguan qartë se refuzimi i shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes është një e drejtë themelore dhe qeveria e Armenisë duhet ta respektojë. Megjithatë, GJEDNJ-ja nuk arriti të dekretonte se shërbimi alternativ nuk duhet të mbikëqyret ose të kontrollohet nga ushtria.

Ky hendek u mbyll më 12 tetor 2017 kur GJEDNJ-ja nxori vendimin për çështjen Adjani dhe të tjerët kundër Armenisë. Në çështjen Adjani, GJEDNJ-ja arsyetoi se, meqë refuzimi i ushtrisë për shkak të ndërgjegjes është një e drejtë, Armenia duhej të siguronte një shërbim alternativ të pranueshëm që përputhej me standardet evropiane. Shërbimi alternativ nuk duhej të mbikëqyrej apo të kontrollohej nga ushtria dhe as duhej të kishte natyrë ndëshkimore. GJEDNJ-ja vendosi se të rinjtë që kishin refuzuar këtë program jo efektiv, duhej të dëmshpërbleheshin për gjithë sa kishin hequr.

«Gjykata mendon se e drejta e refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes, që garantohet nga neni 9 i Konventës, do të ishte thjesht një iluzion nëse një shtet lejohet të organizojë dhe të zbatojë një sistem shërbimi alternativ që nuk ofron – qoftë me anë të një ligji, qoftë në praktikë – një shërbim alternativ tërësisht civil, me karakter jo frenues ose ndëshkues.»—Adjani dhe të tjerët kundër Armenisë, nr. 75604/11 dhe 21759/15, par. 67, GJEDNJ 2017

Problemi merr zgjidhje

Deri në janar të 2018-s, 161 të rinj Dëshmitarë në Armeni kishin përfunduar shërbimin civil alternativ. Ndërsa 105 janë aktualisht të regjistruar në këtë program. Si Dëshmitarët, edhe autoritetet që mbikëqyrin programin, janë të kënaqur me rezultatet. Ky shërbim plotëson nevojat e komunitetit dhe është i pranueshëm për të rinjtë që duan t’i shërbejnë kombit në një mënyrë tjetër. Gjithashtu eliminon problemin e të drejtave të njeriut që ekzistonte në Armeni.

André Karbonó, një prej avokatëve që përfaqësoi Dëshmitarët në Armeni, e përgëzoi qeverinë për zgjidhjen e këtij problemi. Ai u shpreh: «Kur shohim vendimet e GJEDNJ-së kundër Armenisë, duket qartë progresi i kësaj çështjeje që nga viti 2011 kur u shqyrtua çështja Bajatjani. Vendimet në rastet Kaçatrjani dhe Adjani i hapën rrugën mbrojtjes së një shërbimi alternativ civil pa ndërhyrjen e ushtrisë. Shpresojmë që edhe vende të tjera pa një program shërbimi alternativ tërësisht civil të nxjerrin mësim nga rezultatet e kënaqshme të Armenisë, ngaqë miratoi një shërbim alternativ të pranueshëm për ata që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes dhe që është dobiprurës për komunitetin.»

Disa vende ku shërbimi ushtarak është i detyrueshëm dhe nuk ka shërbim alternativ civil të pranueshëm

 

S’ka shërbim alternativ

Shërbimi alternativ është ndëshkues

Ekziston e drejta e shërbimit alternativ, por nuk zbatohet

Azerbajxhan

 

 

X

Bjellorusi

 

X

 

Eritre

X

 

 

Lituani

X *

 

 

Singapor

X

 

 

Koreja e Jugut

X

 

 

Taxhikistan

 

 

X

Turqi

X

 

 

Turkmenistan

X

 

 

Tabelë kronologjike

  1. 12 tetor 2017

    GJEDNJ-ja nxjerr vendimin për çështjen Adjani dhe të tjerët kundër Armenisë

  2. Janar 2014

    Nisin punën Dëshmitarët e parë të regjistruar në programin e ri të shërbimit alternativ civil

  3. 12 nëntor 2013

    Për herë të parë në mbi 20 vjet nuk ka asnjë Dëshmitar të burgosur ngaqë refuzon ushtrinë për shkak të ndërgjegjes

  4. 8 qershor 2013

    Armenia miraton ndryshime në ligjin për shërbimin alternativ të cilat hyjnë në fuqi në tetor 2013

  5. 27 nëntor 2012

    GJEDNJ-ja nxjerr vendimin për çështjen Kaçatrjani dhe të tjerët kundër Armenisë

  6. 10 janar 2012

    Në çështjet Bukaratjani kundër Armenisë dhe Tsaturiani kundër Armenisë, GJEDNJ-ja përdor si precedent çështjen Bajatjani dhe deklaron se, duke burgosur Dëshmitarët, Armenia kishte shkelur nenin 9

  7. 7 korrik 2011

    Në çështjen Bajatjani kundër Armenisë, 16 nga 17 gjyqtarët e Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së mbrojtën të drejtën e atyre që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes dhe konstatuan se u ishte shkelur e drejta e lirisë së ndërgjegjes (neni 9 i Konventës Evropiane)

  8. 27 tetor 2009

    Në çështjen Bajatjani kundër Armenisë, GJEDNJ-ja vendos se neni 9 i Konventës Evropiane nuk zbatohej për ata që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes; çështja i kalon Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së

  9. 2004

    Armenia miraton ligjin për shërbimin alternativ civil—nën mbikëqyrjen e ushtrisë

  10. 2001

    Armenia zotohet të miratojë një ligj për shërbimin alternativ civil

^ par. 6 Në opinionin nr. 221 (2000), Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sugjeroi që Armenia të merrte ftesën për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, me kusht që «të zotohet të respektojë angazhimet e mëposhtme: . . . brenda tre vjetëve nga anëtarësimi, të miratojë një ligj për shërbimin alternativ në përputhje me standardet evropiane e njëkohësisht të falë ata që janë në burg ose në batalione disiplinore ngaqë kanë refuzuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Dhe në momentin që hyn në fuqi ligji për shërbimin alternativ, t’u japë mundësinë të zgjedhin shërbim ushtarak ku nuk përdoren armë ose shërbim alternativ civil».

^ par. 7 Ndjekja penale dhe dënimi i 19 Dëshmitarëve nga ana e Armenisë ishin të paligjshme sepse më 2005, kur ata u dënuan, nuk kishte asnjë ligj që thoshte se të braktisësh shërbimin alternativ, përbën krim.

^ par. 39 «Shërbimi alternativ i mbrojtjes kombëtare» në Lituani kontrollohet dhe mbikëqyret nga ushtria.