26 GUSHT 2022
AUSTRALI
Përditësim për xhirimin e serisë së parë të filmit Lajmi i mirë sipas Jezuit
Më 12 gusht 2022 përfundoi faza e parë e xhirimeve për serinë e parë të filmit Lajmi i mirë sipas Jezuit. Pas një ndërprerjeje të shkurtër do të nisë faza e dytë, e cila është planifikuar të përfundojë në tetor 2022.
Siç është raportuar më parë, xhirimet për filmin Lajmi i mirë sipas Jezuit nisën më 20 maj 2022. Për to u përdorën kryesisht ambiente të brendshme. Në atë kohë, vëllezërit ishin në pritje të dokumentacionit përfundimtar për disa pjesë të një godine që do të përdorej për shërbime të ndryshme në mbështetje të projektit dhe për një shesh xhirimi të jashtëm me sfond historik. Kjo leje përfundimtare u mor më 15 korrik 2022 dhe Departamenti i Ndërtimit të Degës së Australazisë i dorëzoi godinën dhe shesh xhirimin Skuadrës Rajonale të Videos (SRV). Tashmë këto godina janë gati për t’u përdorur për xhirimin e filmit.
Për të ndërtuar mbi 7.000 metra katrorë shesh xhirime që paraqesin me saktësi historinë, punuan mbi 500 vullnetarë nga Australia dhe nga Zelanda e Re. Vëllai Rasëll Grajgorsuiks, koordinator i Komitetit të Ndërtimit, u shpreh kështu për projektin: «Rrugës hasëm mjaft sfida, ama pamë qartë se si na ndihmoi Jehovai t’i kapërcenim të gjitha. S’ka pikë dyshimi se gjithçka u arrit falë frymës së tij të shenjtë.»
Vëllai Ronald Kërzën, ndihmës i Komitetit të Mësimit, ishte i pranishëm gjatë pjesës më të madhe të fazës së parë të xhirimeve. Ai tha: «Ishte mbresëlënëse të shihje bashkëpunimin dhe miqësinë mes vullnetarëve të ndërtimit dhe familjes Bethel. Është emocionuese që pas vitesh të tëra planifikimi dhe ndërtimi kemi këto shesh xhirime. Na ka ngrohur zemrën mbështetja e jashtëzakonshme e vëllezërve dhe motrave në mbarë territorin e degës. Jemi të sigurt se ky film me 18 seri për jetën dhe mësimet e Jezuit do t’u prekë zemrat njerëzve anembanë botës.»
Vëllai Keneth Kuk i Trupit Udhëheqës, i cili ishte i pranishëm në ditët e fundit të fazës së parë të xhirimeve për serinë e parë, komentoi: «Është e dukshme se ky projekt ka mbështetjen e Atit tonë të dashur, Jehovait. Falënderojmë Jehovain dhe të gjithë ata që kanë marrë pjesë në ndërtimin e shesh xhirimeve, për shpirtin e sakrificës dhe për punën e bërë plot dashuri. Lutemi që ky film i veçantë me seri të ndihmojë sa më shumë veta të imitojnë edhe më mirë Jezuin e të lidhen më ngushtë me Jehovain.»
Hyrja për në shesh xhirim
Pamje nga lart e një pjese të shesh xhirimit të përfunduar
Një vathë dhensh (në plan të parë) në pjesën e jashtme të shesh xhirimit
Sheshi i pazarit
Godinat qeveritare