10 JANAR 2020
AUSTRALI
Zjarret bëjnë kërdinë në Australi
Zjarret vazhdojnë të intensifikohen si pasojë e nxehtësisë e thatësirës më të madhe të regjistruar në Australi. Që nga shtatori i vitit 2019 zjarret katastrofike kanë pllakosur çdo shtet të Australisë. Stina e zjarreve sapo ka filluar dhe tashmë situata është alarmante. Më të prekura janë rajonet bregdetare në juglindje, Viktoria dhe Uellsi i Ri Jugor.
Sipas raporteve, nuk është vrarë a plagosur asnjë vëlla, megjithatë shumë shtëpi janë dëmtuar rëndë, nëntë prej të cilave janë shkatërruar plotësisht. Deri tani janë evakuar mbi 700 vëllezër. Mjaft familje Dëshmitarësh kanë vendosur të largohen nga zonat e prekura për shkak të nivelit rekord të ndotjes së ajrit, që disa specialistë e kanë cilësuar si rrezik për shëndetin publik. Shumica e atyre që janë evakuar, po rrinë me familjarë, miq ose lajmëtarë nga kongregacionet në zona që s’janë prekur nga zjarri.
Dega e Australazisë ka formuar dy Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash për t’u dhënë vëllezërve inkurajim nga Bibla dhe ndihmë materiale. Dy mbikëqyrës qarkorë dhe disa anëtarë të Komitetit të Degës po vizitojnë e po u japin zemër vëllezërve në zonat e prekura. Ndonëse shumica e vëllezërve e motrave janë të sfilitur fizikisht dhe emocionalisht, mjaft prej tyre kanë shprehur mirënjohje nga zemra për dashurinë e sinqertë që po shfaqin bashkëbesimtarët.—1 Pjetrit 2:17.