Kalo te përmbajtja

21 KORRIK 2014
AUSTRI

Nderohen Dëshmitarët e Jehovait në kampin e përqendrimit Gusen

Nderohen Dëshmitarët e Jehovait në kampin e përqendrimit Gusen

SELTERS, Gjermani—Të dielën, më 13 prill 2014, në kampin e përqendrimit muze Gusen në Austri u përurua një pllakë përkujtimore për nder të rreth 450 Dëshmitarëve të Jehovait që u burgosën nga nazistët në kampin e përqendrimit Mauthausen dhe në kampin më të vogël të varur prej tij, në Gusen. Në këtë ceremoni morën pjesë më se 130 vizitorë.

Pllaka përkujtimore që u përurua gjatë një ceremonie të mbajtur në kampin e përqendrimit në Gusen, më 13 prill, 2014.

Kur Dëshmitarët mbërritën në kampin e përqendrimit Mauthausen, komandanti i kërcënoi duke thënë: «Asnjë Student i Biblës s’ka për të dalë gjallë që këtu!» Martin Poetzinger, i cili u mbijetoi nëntë viteve burgimi në Dachau, Mauthausen dhe në Gusen e që më vonë shërbeu si anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork, duke iu referuar kohës që kaloi në Mauthausen, tha: «Gestapoja përdori çdo metodë që të na thyente integritetin.»

Maj, 1945: kampi i përqendrimit Gusen. Martin Poetzinger (ulur në rreshtin e parë, i dyti nga e majta) me 23 të mbijetuar të tjerë pak pasi u liruan.

Disa nga Dëshmitarët në Mauthausen u transferuan më pas në kampin më të vogël, në Gusen. Ky njihej si «kampi i vrasjes», ku vrasje të qëllimshme e të planifikuara ishin pjesë e rutinës ditore. Për ta mbajtur të fortë besimin, Dëshmitarët mblidheshin në grupe të vogla natën e flisnin për shkrime që kujtonin nga Bibla. Në një rast, arritën të merrnin një Bibël. E ndanë në pjesë që të gjithë t’i përdornin faqet me radhë. Këto i lexonin të fshehur poshtë shtretërve gjatë asaj pak kohe të lirë që kishin.

Me maturi, Dëshmitarët e ndanin edhe me të tjerët mesazhin e Biblës. Pesë të burgosur polakë studiuan Biblën dhe u pagëzuan fshehurazi në një govatë druri të bërë enkas për atë qëllim. Një Dëshmitar, Franz Desch, i dha mesazhin e Biblës një oficeri të SS-ve, i cili më vonë u bë Dëshmitar i Jehovait.

Wolfram Slupina, zëdhënës për Dëshmitarët e Jehovait në Austri, u shpreh: «E vlerësojmë faktin që Dëshmitarët po i kujtojnë për besimin e guximin gjatë kohës që ishin në kampet Gusen dhe Mauthausen. Vendosmëria e tyre për t’i trajtuar të gjithë me empati dhe mirëdashje të krishterë është një fitore mbi ligësinë, e denjë për t’u kujtuar e imituar.»

Zëdhënësi(t) për mediat:

Ndëkombëtar: J. R. Brown, Zyra e informacionit publik, tel. +1 718 560 5000

Austri: Wolfram Slupina, tel. +49 6483 41 3110