Kalo te përmbajtja

Vëlla Sejmur Mamadovi, i burgosur ngaqë nuk pranon të kryejë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes

20 TETOR 2022
AZERBAJXHAN

Azerbajxhani shkel vendimet e GJEDNJ-së dhe burgos Sejmur Mamadovin ngaqë nuk pranon të bëjë ushtrinë

Azerbajxhani shkel vendimet e GJEDNJ-së dhe burgos Sejmur Mamadovin ngaqë nuk pranon të bëjë ushtrinë

Më 22 shtator 2022, Gjykata e Krahinës së Goranbojit në Azerbajxhan dënoi me 9 muaj burg vëllanë 22-vjeçar Sejmur Mamadovin, ngaqë nuk pranon të kryejë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Atë e arrestuan në sallën e gjyqit menjëherë pas vendimit. Ky vendim shkel hapur 2 vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) që lidhen me Azerbajxhanin.

Që nga viti 2019, GJEDNJ-ja ka marrë 2 vendime kundër Azerbajxhanit—Mamedovi dhe të tjerë kundër Azerbajxhanit dhe Mehtijevi dhe Abilovi kundër Azerbajxhanit. Të dyja vendimet mbështetin të drejtën e Dëshmitarëve të Jehovait për të refuzuar shërbimin ushtarak për arsye fetare, një e drejtë e garantuar nga neni 9 i Konventës Evropiane.

Në të 2 rastet, qeveria e Azerbajxhanit pranoi para GJEDNJ-së se kishte shkelur të drejtat e vëllezërve tanë dhe shprehu gatishmërinë për t’i kompensuar për të gjitha dëmet që u kishte shkaktuar. Megjithatë, shkelja flagrante e të drejtave të vëllait Mamadov i shpërfill fare ato vendime.

Sejmur Mamadovi u thirr për herë të parë nga Shërbimi i Shtetit për Mobilizimin dhe Rekrutimin në Rajonin e Goranbojit më 4 maj 2022. Ai u shpjegoi autoriteteve qëndrimin e tij të bazuar në Bibël dhe kërkoi që t’i jepnin mundësi të kryente shërbim alternativ civil. Autoritetet e hodhën poshtë kërkesën e drejtë të Sejmurit. Pavarësisht nga presioni, me guxim, vëlla Sejmuri ruajti vendosmërinë.

Në këtë moment, Sejmuri është në burg, në qytetin e Ganjës. Ai po qëndron pozitiv në këto rrethana të vështira. Madje tregon se ka arritur të flasë për bindjet e tij me rreth 30 të burgosur, disa prej të cilëve po shfaqin interes për mesazhin e Biblës.

Avokati i Sejmurit e ka apeluar vendimin. Shpresojmë që Gjykata e Apelit e Ganjës të marrë një vendim të drejtë dhe ta lirojë nga burgu vëllanë tonë.

S’ka pikë dyshimi se Jehovai do të vazhdojë ta mbështetë Sejmurin gjatë kësaj sprove.—Isaia 43:2.