Kalo te përmbajtja

Disa nga vëllezërit e motrat që janë arrestuar në Azerbajxhan në vitin 2010. GJEDNJ-ja vendosi se është shkelur liria e tyre fetare

27 SHKURT 2020
AZERBAJXHAN

Fitoret e GJEDNJ-së në Azerbajxhan

Fitoret e GJEDNJ-së në Azerbajxhan

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) u ka dhënë dy fitore Dëshmitarëve të Jehovait në çështje që lidhen me lirinë e fesë në Azerbajxhan. Shpresojmë që këto vendime të GJEDNJ-së t’i ndihmojnë vëllezërit të kenë më shumë liri për të adhuruar Perëndinë.

Më 20 shkurt 2020 gjykata mori vendim për çështjen Nasirovi dhe të tjerë kundër Azerbajxhanit, e cila ishte lënë pezull që nga viti 2010, dhe për çështjen Komuniteti Fetar i Dëshmitarëve të Jehovait kundër Azerbajxhanit, pezull që nga 2009-a. Në çështjen Nasirov, gjykata vendosi se Azerbajxhani shkeli nenet 5 dhe 9 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Liria e personit dhe Liria e fesë) kur në mënyrë të përsëritur në vitin 2010 arrestoi, shpalli fajtorë dhe gjobiti Dëshmitarë të Jehovait ngaqë predikonin. Gjykata e urdhëroi Azerbajxhanin t’i paguajë 3.000 euro për dëme morale secilit Dëshmitar të keqtrajtuar, pra gjithsej 21.000 euro. Në çështjen Komuniteti Fetar i Dëshmitarëve të Jehovait, gjykata vendosi që Azerbajxhani shkeli nenin 10 të Konventës (Lirinë e shprehjes) kur i ndaloi vëllezërit të importonin e të shpërndanin disa nga botimet tona.

Xhejson Uajzi, një nga avokatët që u mor me këto çështje, shpjegon: «Për shumë vjet Dëshmitarët e Jehovait në Azerbajxhan e kanë pasur të vështirë të importonin e të shpërndanin literaturë fetare. Kemi bërë mjaft beteja ligjore që të kishim leje për të importuar literaturën tonë dhe shumë më tepër beteja për rastet kur autoritetet arrestonin Dëshmitarët që u predikonin të tjerëve. Dy vendimet e GJEDNJ-së kanë ndryshuar rrjedhën e historisë së Dëshmitarëve të Jehovait në Azerbajxhan. Në çështjen Komuniteti Fetar i Dëshmitarëve të Jehovait, gjykata vendosi se botimet e Dëshmitarëve nuk i kanë hapur probleme asnjë feje e as kanë shkaktuar ndonjë dëm tjetër. Në çështjen Nasirov, gjykata konfirmoi se Dëshmitarët e Jehovait kanë të drejtë t’u japin literaturë fetare në vende publike atyre që s’janë Dëshmitarë. Jemi të lumtur që gjykata ka mbrojtur lirinë e fesë dhe të shprehjes në Azerbajxhan.»

Vëllai Famil Nasirov u shpreh kështu: «Në të kaluarën jemi përballur me shumë vështirësi në vendin tonë. Ishte e zakonshme që policët të na arrestonin e të na merrnin në pyetje për 4 a 5 orë. Por falë mbështetjes së Jehovait dhe përpjekjeve të vëllezërve tanë të dashur, kjo nuk ndodh më dhe sot kemi më shumë liri për të predikuar.»

Edhe para këtyre vendimeve të GJEDNJ-së, vëllezërve në Azerbajxhan u kanë dhënë gradualisht më shumë liri. Qeveria i ka lejuar të importonin e të shpërndanin literaturë. Që nga janari i 2017-s asnjë nga vëllezërit nuk është gjobitur ngaqë ka ndjekur mbledhjet. Sot mbledhjet tona atje mbahen në tri Salla Mbretërie në Baku dhe nëpër shtëpi të vëllezërve anekënd vendit. Që nga viti 2015 Komiteti Shtetëror për Shoqatat Fetare që merret me regjistrimin dhe ligjet për fenë në Azerbajxhan, e ka lejuar Komunitetin Fetar të Dëshmitarëve të Jehovait të mbajë Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, kongreset rajonale dhe asambletë në ndërtesa të marra me qira.

I jemi mirënjohës Jehovait për këto vendime të favorshme dhe e falënderojmë që mbështet vazhdimisht vëllezërit e motrat në Azerbajxhan.—Psalmi 98:1.