Kalo te përmbajtja

29 SHTATOR 2020
AZERBAJXHAN

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut jep dy vendime në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Azerbajxhan

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut jep dy vendime në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Azerbajxhan

Më 24 shtator 2020, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mori dy vendime të rëndësishme në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Azerbajxhan. Vendimi i parë lidhej me çështjen Valijevi dhe të tjerë kundër Azerbajxhanit, ndërsa i dyti me çështjen Komuniteti Fetar i Dëshmitarëve të Jehovait kundër Azerbajxhanit. Këto vendime mbrojnë të drejtën e vëllezërve tanë për ta praktikuar lirisht fenë e tyre.

Në të dyja rastet, Azerbajxhani deklaroi se kishte shkelur të drejtën ligjore të Dëshmitarëve. Gjithashtu, qeveria ra dakord t’i kompensonte vëllezërit me një shumë prej gjithsej 19.000 eurosh (22.146 dollarë amerikanë). Vendimet e GJEDNJ-së tregojnë se ajo e pranoi deklaratën e Azerbajxhanit.

Vëlla Valijevi drejton mbledhjen në një shtëpi

Në çështjen Valijevi dhe të tjerë kundër Azerbajxhanit, që është paraqitur para GJEDNJ-së që më 2011, ishin të përfshirë vëllezërit në qytetin e Ganjës. Për vite me radhë, autoritetet në Ganjë nuk e lejonin organizatën tonë të regjistrohej ligjërisht. Për pasojë, forcat e rendit ndërpritnin vazhdimisht mbledhjet tona paqësore, arrestonin të gjithë të pranishmit dhe i gjobitnin me shuma të mëdha disa prej tyre. Një vëlla u shpall fajtor dhe u gjobit disa herë rresht. Ai ka paguar në total 9.450 manate (në atë kohë 11.375 dollarë). Madje disa nga vëllezërit e motrat i arrestuan, sepse nuk i paguanin dot këto gjoba marramendëse.

Më 2013 vëllezërit raportuan çështjen e dytë në GJEDNJ, Komuniteti Fetar i Dëshmitarëve të Jehovait kundër Azerbajxhanit, sepse Azerbajxhani kishte kufizuar sasinë e literaturës që mund të importohej në vend.

Edhe pse qeveria ende nuk i ka regjistruar ligjërisht Dëshmitarët e Jehovait në Ganjë, situata është përmirësuar dukshëm. Vitet e fundit vëllezërit kanë mbajtur mbledhje me grupe të vogla në shtëpitë e tyre pa ndërhyrjen e autoriteteve. Gjithashtu, edhe pse literatura duhet të kontrollohet nga autoritetet para se të importohet, ata i kanë lejuar vëllezërit të importojnë mjaftueshëm literaturë.

Vëlla Kiril Stepanovi, që punon në Zyrën e Informacionit për Publikun të Dëshmitarëve të Jehovait në Azerbajxhan, komenton: «Shpresojmë që ky vendim i rëndësishëm i GJEDNJ-së ta përshpejtojë procesin e regjistrimit ligjor në Ganjë dhe në qytete të tjera të Azerbajxhanit. Madje shpresojmë që me kalimin e kohës autoritetet ta heqin rregullin për kontrollin e literaturës para importimit.»

I jemi mirënjohës Jehovait për mbështetjen. Këto vendime ligjore në favorin tonë janë prova të mëtejshme se ‘asnjë armë e sajuar kundër popullit të Perëndisë nuk do të ketë sukses’.—Isaia 54:17.