Kalo te përmbajtja

29 TETOR 2019
AZERBAJXHAN

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendos në favor të 5 Dëshmitarëve në Azerbajxhan

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendos në favor të 5 Dëshmitarëve në Azerbajxhan

Më 17 tetor 2019, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) vendosi të mos i shpallte fajtorë për vepër penale vëllezërit që nuk pranojnë të bëjnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Vendimi konfirmoi edhe një herë se të dënosh ata që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, është shkelje e të drejtës së lirisë së ndërgjegjes, të mendimit dhe të fesë. Është hera e parë që GJEDNJ-ja merr një vendim në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Azerbajxhan.

Ky vendim zbatohet për 4 raste që ka shqyrtuar gjykata gjatë viteve 2008-2015. Rastet përfshijnë 5 vëllezër: Mushfig dhe Farid Mamadovin, Samir Husejnovin, Fahradin dhe Kamran Mirzajevin. Secili prej tyre kreu dënimin me burg ngaqë refuzoi shërbimin ushtarak. Gjykata doli në përfundimin se, meqë refuzimi i ushtrisë për shkak të ndërgjegjes bazohej në «bindje të sinqerta fetare», veprimet e Azerbajxhanit kundër vëllezërve shkelën Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjithashtu pohoi se shërbimi alternativ nuk duhet të vlejë vetëm për klerin dhe për studentë të disa institucioneve fetare. Madje i kërkoi Azerbajxhanit të dëmshpërblejë vëllezërit që kryen dënimin.

Siç u shpjegua në vendimin e gjykatës, kur Azerbajxhani u bë pjesë e Këshillit Evropian më 2001, premtoi të ofronte shërbim alternativ civil. Për më tepër, Kushtetuta e vendit siguron shërbim alternativ civil për ata që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të bindjeve personale. Gjithsesi, autoritetet nuk e kanë mbajtur fjalën dhe vazhdojnë t’i dënojnë vëllezërit për këtë arsye.

Shpresojmë që vendimi i gjykatës t’i shtyjë autoritetet vendëse të implementojnë këtë formë shërbimi alternativ. Ndërkohë lutemi që vëllezërit në Azerbajxhan të vazhdojnë t’i shërbejnë me guxim Jehovait.—Psalmi 27:14.