Kalo te përmbajtja

28 MAJ 2021
AZERBAJXHAN

Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut mbron të drejtën e Dëshmitarëve të Jehovait për të mbajtur mbledhje fetare

Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut mbron të drejtën e Dëshmitarëve të Jehovait për të mbajtur mbledhje fetare

Më 26 prill 2021, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut mori një vendim të rëndësishëm në çështjen Aziz Alijevi dhe të tjerë kundër Azerbajxhanit. Ky është vendimi i tretë që ky Komitet merr në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Azerbajxhan dhe mbron të drejtën tonë për të adhuruar Perëndinë në mënyrë paqësore.

Kjo çështje bën fjalë për një bastisje të paligjshme që bënë disa policë në fshatin Aliabad, në krahinën e Zagatalës. Më 21 shtator 2013, policët hynë me forcë në shtëpinë e vëlla Aziz Alijevit ku ndodheshin disa Dëshmitarë të Jehovait për të mbajtur një mbledhje kongregacioni. Policët kontrolluan shtëpinë dhe kërcënuan vëllezërit e motrat, u konfiskuan literaturën, dokumentet ligjore dhe mjekësore, si edhe pará. Pastaj, të gjithë i shoqëruan në rajonin e policisë. Rrugës për në rajon, motër Hava Alijevin e kapi një krizë epileptike dhe ra pa ndjenja. Për këtë arsye, policët ishin të detyruar ta çonin në spital. Sapo mori veten, e shoqëruan për në rajonin e policisë që ta merrnin në pyetje.

Më vonë, Gjykata e Krahinës së Zagatalës vendosi të gjobiste shumë nga vëllezërit e motrat me 1.500 manate (1.716 dollarë amerikanë në atë kohë). Gjykata e Apelit në Sheki la në fuqi vendimin e paligjshëm të gjykatës së mëparshme. Meqë i kishin përdorur të gjitha mundësitë ligjore në Azerbajxhan, por pa asnjë rezultat, vëllezërit apeluan pranë Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Komiteti vendosi se Azerbajxhani u kishte shkelur vëllezërve tanë të drejtën e lirisë së fesë dhe se i kishte arrestuar dhe ndëshkuar padrejtësisht. Në vendimin e tij, Komiteti theksoi se Dëshmitarët e Jehovait ishin keqtrajtuar nga autoritetet dhe nga policët, që «i kërcënuan me burgim, ofenduan disa prej tyre dhe kritikuan fenë e tyre, por pa u shpjeguar si i kishin dëmtuar ose si mund t’i dëmtonin të tjerët mbledhjet e tyre fetare ose literatura fetare që përdorin». Si rezultat, Azerbajxhanit iu kërkua të dëmshpërblejë vëllezërit tanë dhe «të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar shkelje të ngjashme në të ardhmen, si edhe të rishqyrtojë ligjet dhe/​ose praktikat e vendit».

Jemi të lumtur që vitet e fundit vëllezërit tanë në Azerbajxhan kanë pasur mundësi të adhurojnë Perëndinë dhe të mblidhen së bashku lirisht. Falënderojmë Perëndinë tonë, Jehovain, që e vërteta vazhdon të themelohet ligjërisht në gjykatat e kohëve tona!—Filipianëve 1:7.