4 SHKURT 2022
AZERBAJXHAN
Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut mbron të drejtat e motrave të arrestuara në Azerbajxhan ngaqë predikojnë
Në nëntor dhe në dhjetor 2021, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (CCPR) mori 2 vendime që mbronin të drejtën e Dëshmitarëve të Jehovait për t’u folur të tjerëve për besimin. Çështjet përfshinin disa motra që ishin arrestuar nga autoritetet në Azerbajxhan ngaqë u flitnin të tjerëve për Biblën.
Më 5 nëntor 2021, CCPR-ja mbrojti të drejtën për të predikuar të motrave Matanate Gurbanova dhe Sadete Muradhasilova. Ato ishin arrestuar pas një ankese anonime që kishin marrë autoritetet në nëntor të 2014-s dhe secila ishte gjobitur me 1.500 manate (880 dollarë). CCPR-ja vendosi se arrestimi ishte i paligjshëm dhe kërkoi nga Azerbajxhani që të mos përsëriteshin më të tilla ngjarje.
Matanatja dhe Sadetja, që janë edhe motra prej gjaku, thanë: «Megjithëse policët dhe gjykatësit donin të na frikësonin, ky incident vetëm sa na forcoi besimin. Jehovai vërtetoi edhe një herë se dora e tij nuk është shkurtuar dhe se ai di kur dhe si t’i mbrojë shërbëtorët e vet.»
Në një vendim të ngjashëm më 21 dhjetor 2021, CCPR-ja vendosi se policët në Azerbajxhan kishin shkelur ligjin kur arrestuan motrat Jeirane Azizova dhe Gulnaze Israfilova ngaqë «po zhvillonin veprimtari fetare jashtë adresës së tyre ligjore». Në vendim, CCPR-ja konfirmonte se motrat nuk kishin bërë asgjë të jashtëligjshme se po u flitnin të tjerëve për besimin.
Në nëntor të 2016-s, Jeirania dhe Gulnazja kishin shkuar të takonin miqtë e tyre në Rajonin e Goranbojit në Azerbajxhan dhe u kishin folur të tjerëve për Biblën. Por i kishin arrestuar ngaqë një zyrtar vendës ishte ankuar në polici. Në gjyqin që u mbajt më pas, gjykatësi i akuzoi motrat se ishin spiune dhe i gjobiti me 2.000 manate (1.176 dollarë). Edhe një gjykatë apeli la në fuqi të njëjtin vendim. Më pas motrat e apeluan çështjen pranë CCPR-së.
Vendimet gjyqësore në favorin tonë na ndihmojnë të kryejmë lirshëm veprën tonë më të rëndësishme. Gëzojmë bashkë me motrat tona të cilat lënë një shembull të shkëlqyer duke predikuar lajmin e mirë me guxim.—Mateu 10:18.