5 JANAR 2021
AZERBAJXHAN
Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut vendos në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Azerbajxhan
Më 15 dhjetor 2020 Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut mori dy vendime të rëndësishme në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Azerbajxhan. Bëhej fjalë për këto dy çështje: Rahima Husejnova kundër Azerbajxhanit dhe Saladin Mamadovi, Rashad Neftaljevi dhe Sadagat Abasova kundër Azerbajxhanit. Në të dy rastet Komiteti i OKB-së vendosi që Azerbajxhani kishte shkelur të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait dhe i kërkoi të ndryshonte ligjet që këto të drejta të mos shkelen më në të ardhmen.
Rahima Husejnova kundër Azerbajxhanit përfshinte një situatë ku forcat e rendit në Baku burgosën motër Rahima Husejnovën në dhjetor 2014 ngaqë fliste me të tjerët për bindjet e saj. Më pas, një gjykatë krahinore e gjobiti motrën me 1.500 manate (882 dollarë amerikanë), ngaqë Dëshmitarët e Jehovait nuk ishin regjistruar ende si fe në Baku në atë kohë. a Kur motër Husejnova e apeloi vendimin pranë Gjykatës së Apelit në Baku, kjo gjykatë nuk e ndryshoi vendimin. Prandaj, ajo vendosi ta paraqiste çështjen pranë një gjykate ndërkombëtare.
Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut vendosi që shteti kishte shkelur nenin 18(1) të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (CCPR). Ky Komitet i kërkoi Azerbajxhanit ta kompensonte motrën. Është interesante që në deklaratën e tij, Komiteti shprehej se Azerbajxhani është edhe «nën detyrimin që të marrë të gjithë hapat e domosdoshëm që të parandalojë shkelje të ngjashme në të ardhmen, të rishikojë ligjet dhe/ose praktikat e vendit në mënyrë që të mbrojë e të respektojë të drejtat e përcaktuara në nenin 18 të [CCPR-së]».
Çështja Saladin Mamadovi, Rashad Neftaljevi dhe Sadagat Abasova kundër Azerbajxhanit lidhej me një grup vëllezërish dhe motrash në Ganjë, të cilët ishin mbledhur në shtëpinë e vëlla Saladin Mamadovit për të studiuar Biblën së bashku. Në tetor 2014 disa policë e ndërprenë me forcë këtë mbledhje të vogël, kontrolluan shtëpinë dhe u konfiskuan Biblat e mjete të tjera. Vëllezërit Saladin Mamadovin dhe Rashad Neftaljevin, si edhe motër Sadagat Abasovën i çuan në rajonin e policisë dhe i mbajtën atje për më shumë se 6 orë. Pas dy ditësh u kërkuan të paraqiteshin pranë Gjykatës Krahinore të Nizamit, në Ganjë. Gjykata vendosi se mbledhja ishte e jashtëligjshme, sepse të pranishmit si grup nuk i përkitnin ndonjë feje të regjistruar ligjërisht në Ganjë. Gjykata e gjobiti secilin prej tyre me 2.000 manate (1.176 dollarë amerikanë). Vëllezërit e motra apeluan pranë Gjykatës së Apelit në Ganjë. Mjerisht, gjykata mbështeti vendimin që ishte marrë. Prandaj, ata apeluan pranë Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Komiteti vërejti se Azerbajxhani kishte shkelur disa nene të CCPR-së dhe duhej t’i kompensonte të tre Dëshmitarët. Është domethënëse që në deklaratën e tij, Komiteti shprehej se «Gjykata Krahinore nuk kishte paraqitur ndonjë argument pse ishte e nevojshme që këta persona fillimisht duhej të njiheshin ligjërisht nga qeveria, pastaj të mblidheshin së bashku për të praktikuar fenë e tyre në një shtëpi private». Deklarata konfirmon se vëllezërit tanë në Azerbajxhan kanë të drejtë të mblidhen së bashku për të adhuruar Perëndinë pa qenë të regjistruar ligjërisht.
Njësoj si me çështjen e Rahima Husejnovës, Komiteti kërkoi edhe që Azerbajxhani të rishikojë «ligjet dhe/ose praktikat e vendit», që të respektohen të drejtat e garantuara nga CCPR-ja.
Jemi të lumtur që situata në Azerbajxhan është përmirësuar dhe që vitet e fundit autoritetet nuk kanë ndërhyrë tek e drejta e vëllezërve tanë për të adhuruar Perëndinë. Shpresojmë që këto dy vendime të ndihmojnë që lajmi i mirë të themelohet ligjërisht në Azerbajxhan.—Filipianëve 1:7.
a Në nëntor 2018 Azerbajxhani u dha status të plotë ligjor Dëshmitarëve të Jehovait në Baku.