30 KORRIK 2019
AZERBAJXHAN
Kongres rajonal historik në Azerbajxhan
Nga 26 deri më 28 korrik 2019, Dëshmitarët e Jehovait në Azerbajxhan mbajtën kongresin e përvitshëm në Darnagul Ceremony House në Baku, kryeqyteti i vendit. Ashtu si kongreset e paharrueshme ndërkombëtare që po mbahen këtë vit, edhe ky kongres rajonal në Baku ishte historik. Ishte kongresi publik më i madh i mbajtur ndonjëherë në Azerbajxhan dhe i pari ku u mblodhën bashkë të gjitha kongregacionet e gjuhës azerbajxhane dhe ruse të vendit.
Në Azerbajxhan ka vetëm rreth 1.500 lajmëtarë, por maksimumi i të pranishmëve në kongres ishte 1.938 dhe u pagëzuan 33 veta. Vëlla Mark Sandersonit iu dha një leje e veçantë për të hyrë në Azerbajxhan, që të mbante fjalime në kongres. Ishte hera e parë që një anëtar i Trupit Udhëheqës mbante fjalime në një kongres në Azerbajxhan. U jemi mirënjohës autoriteteve për këtë mundësi.
Uniteti i vëllezërve dhe motrave ishte një dëshmi e shkëlqyer. Administratori i vendit ku u mbajt kongresi, tha se gjatë këtyre ditëve pa njerëz paqësorë, të dashur dhe zemërmirë, që e zbatojnë vërtet atë që u predikojnë të tjerëve.
Edhe pse Dëshmitarëve të Jehovait në Azerbajxhan vazhdon t’u cenohet liria fetare, pak nga pak autoritetet po u japin më tepër liri vëllezërve për të adhuruar Perëndinë. Në nëntor 2018, Azerbajxhani u dha status të plotë ligjor Dëshmitarëve të Jehovait në Baku. Tani kanë bazë më të fortë ligjore që ta praktikojnë lirisht besimin e tyre në qytet.
Jemi shumë të lumtur për këto ngjarje pozitive në Azerbajxhan, mes të cilave renditet edhe ky kongres i rëndësishëm në historinë e tyre teokratike. Lutemi që Jehovai të vazhdojë të na bekojë ndërsa përpiqemi për «themelimin ligjërisht të lajmit të mirë» në Azerbajxhan dhe në tërë botën.—Filipianëve 1:7.