Kalo te përmbajtja

Vëllezërit Rojal Karimov dhe Sejmur Mamadov nga Azerbajxhani

4 JANAR 2023
AZERBAJXHAN

Në Azerbajxhan lirohen nga burgu Rojal Karimovi dhe Sejmur Mamadovi

Në Azerbajxhan lirohen nga burgu Rojal Karimovi dhe Sejmur Mamadovi

Në Azerbajxhan janë liruar nga burgu vëllezërit Rojal Karimov dhe Sejmur Mamadov. Ata ndodheshin në burg ngaqë refuzuan të kryenin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes.

Siç është raportuar më parë, një gjykatë në Azerbajxhan e kishte hedhur poshtë kërkesën e Sejmurit për shërbim alternativ civil. Më 22 shtator 2022, atë e shpallën fajtor dhe e dënuan me 9 muaj burg. Vendimi shkelte haptazi dy vendime që kishte marrë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen kundër Azerbajxhanit. Avokatët e Sejmurit e apeluan vendimin dhe, më 12 dhjetor 2022, Gjykata e Apelit në Ganjë vendosi të ndryshonte dënimin me burg në dënim me vënie në provë. Megjithëse tani Sejmuri është i lirë, ai po e apelon çështjen në Gjykatën e Lartë të Azerbajxhanit, që t’i ndryshojnë vendimin dhe dënimin e padrejtë.

Në burg, Sejmurin nuk e lejuan të kishte një Bibël ose të merrte letra, prapëseprapë Jehovai e mbështeti. Ai shpjegon: «Një ditë para seancës së fundit, shkrova në një copë letër fjalët e Josiut 1:5, 6: ‘Siç isha me Moisiun, ashtu do të jem edhe me ty. As nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.’» Këto fjalë i dhanë forcë Sejmurit kur e arrestuan dhe e futën në burg. Ai thotë: «Ato vargje u bënë shkrimi im i ditës.»

Më 30 maj 2022, autoritetet e thirrën Rojalin në Shërbimin e Shtetit për Mobilizimin dhe Rekrutimin në Rajonin e Gadabajit. Rojali nuk pranoi të shkonte ushtar për shkak të ndërgjegjes dhe bëri kërkesë që të kryente shërbim alternativ civil. Por, kërkesa e tij u refuzua. Më 25 korrik 2022, autoritetet ushtarake e arrestuan dhe e burgosën padrejtësisht në një njësi ushtarake deri më 1 nëntor 2022. Rojali kërkon që veprimet e Shërbimit të Shtetit për Mobilizimin dhe Rekrutimin në Rajonin e Gadabajit të hetohen nga autoritetet përkatëse.

Ai thotë: «U ndieva tmerrësisht keq kur më thanë se do të më mbanin në njësinë ushtarake. Por u përpoqa t’i kujtoja vetes se kjo ishte sprovë besimi.»

Motrën e Rojalit e lejuan që ta vizitonte ndërsa ai ishte në burg. Ajo i dha një Bibël, që e ndihmoi Rojalin ta mbante të fortë besimin. Ai shprehet: «Me raste ndihesha përtokë. Mirëpo, në ato momente, Jehovai m’i ripërtërinte fuqitë. Leximi i Biblës dhe lutjet më falnin një paqe të jashtëzakonshme.»

Lutemi vazhdimisht që autoritetet në Azerbajxhan të mos i burgosin më vëllezërit që s’bëjnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, por të sigurojnë një shërbim alternativ me natyrë vërtet civile, siç e ofrojnë shumë vende.—1 Timoteut 2:1, 2.