Kalo te përmbajtja

17 DHJETOR 2018
AZERBAJXHAN

Apelim në Gjykatën e Lartë të Azerbajxhanit për shkak të ndërgjegjes

Apelim në Gjykatën e Lartë të Azerbajxhanit për shkak të ndërgjegjes

Më 31 tetor 2018, Gjykata e Apelit të Ganjës, Azerbajxhan, pranoi vendimin e një gjykate më të ulët për të dënuar 19-vjeçarin Vahid Abilovi, se refuzoi shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Ndonëse vëlla Abilovi nuk është burgosur, dënimi 1-vjeçar me kusht e kufizon në disa gjëra. Për shembull, çdo javë duhet të paraqitet te punonjësi i Shërbimit të Provës dhe nuk mund të largohet nga Azerbajxhani. Vëlla Abilovi tani do të apelojë në Gjykatën e Lartë, dhe kjo është mundësia e tij e fundit për të gjetur drejtësi në sistemin gjyqësor të Azerbajxhanit.

Problemet e vëlla Abilovit filluan në maj të 2017-s. Sapo kishte mbushur 18 vjeç kur i erdhi thirrja për ushtar nga Departamenti i Krahinës së Agdamit i Shërbimit të Shtetit për Mobilizimin dhe Rekrutimin. Aty paraqiti një deklaratë të shkruar ku shpjegonte arsyet pse nuk mund të shërbente në ushtri. Në të thuhej: «Ndërgjegjja ime e stërvitur sipas Biblës nuk më lejon të kryej shërbimin ushtarak. Nuk po refuzoj të ndihmoj komunitetin tim e as të shmang përgjegjësitë e mia si qytetar i Azerbajxhanit. Me mirësjellje po kërkoj thjesht të më jepni mundësinë të kryej një shërbim alternativ në vend të shërbimit ushtarak.» Autoritetet e hodhën poshtë kërkesën e vëlla Abilovit dhe, më 9 korrik 2018, e paditën për shmangie të shërbimit ushtarak.

Vëlla Abilovi i shpjegoi më gjerë motivet e tij për mospranim të shërbimit ushtarak gjatë seancës në Gjykatën e Apelit të Ganjës. Ai lexoi Isainë 2:4 dhe tha se, duke e shqyrtuar vetë Biblën, kishte vendosur se «nuk duhej madje as të mësonte të luftonte». Pavarësisht këtij shpjegimi, gjykata e shpalli fajtor. Mbetet për t’u parë nëse Gjykata e Lartë do t’i respektojë dëshirat e vëllait.

Kur Azerbajxhani u bë anëtar i Këshillit të Evropës në vitin 2001, pranoi të formonte një ligj që do të siguronte shërbimin alternativ civil, por qeveria ende nuk e ka bërë një gjë të tillë. Për pasojë, vëllezërit tanë përballen rregullisht me çështjen e asnjanësisë ngaqë nuk pranojnë të kryejnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Në fillim të vitit, një gjykatë krahinore në Azerbajxhan shpalli fajtor edhe një vëlla tjetër, Emil Medievin, për shmangie të shërbimit ushtarak dhe e dënoi 1 vit në liri me kusht. Edhe ky vëlla e apeloi çështjen në Gjykatën e Lartë. Tani në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut kemi katër çështje pezull kundër Azerbajxhanit për sa u përket vëllezërve që nuk pranojnë të kryejnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Pavarësisht këtyre sfidave, vëllezërit tanë vazhdojnë të mbështeten te Jehovai për të ruajtur asnjanësinë.—Gjoni 15:19